Kryetarja e Komisionit parlamentar për çështjet  sociale , deputetja Albana Vokshi, njëherësh dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas kërkoi që në bashkitë e reja të bëhet funksional mekanizmi i mbrojtjes së fëmijëve . Në një takim në Devoll dhe në Maliq me kandidatët për bashkitë respektive  Bledjon Nallbati dhe Xhevdet Belishta, znj. Vokshi  tha se çështja e mbrojtjes së fëmijëve dhe mekanizmi i mbrojtjes së grave kundër dhunës nuk kanë funksionuar deri më tani sikurse e përcakton  ligji. Në takimin me gratë dhe vajzat e Devollit dhe të Maliqit znj. Vokshi tha se gratë dhe vajzat janë të parat që ndiejnë pasojat e mëdha  kësaj krize të thellë ekonomike dhe të papunësisë, ku 50% e tyre në të gjithë Shqipërinë janë të papuna. Znj. Vokshi tha se gratë amvisa dhe nënat nuk po mundin të përballojnë faturat tejet të larta të dritave, të ujit, madje  dhe kurimit të fëmijëve kur ato i kanë të sëmurë.

“Në çdo takim që po kryejmë me vajzat dhe gratë përballem me histori trishtuese, të dhimbjes dhe vetësakrifikimit  që nënat heroina bëjnë për të patur ushqim dhe shkollim të fëmijëve. Kjo është qeverisja e braktisjes dhe e diskrimimit të nënave që sfidojnë me guxim çdo pengesë- u shpreh zonja Vokshi.

Më tej ajo  tha se gratë dhe vajzat nuk mund të votojnë një kryeministër i cili fyen dhe i diskriminon gratë,  të cilat i përdor për retorikë fushate  dhe nuk i përkrah në asnjë nevojë të tyre. Mbi 3 mijë gra janë pushuar nga  puna, me mijëra të tjera në nevojë dhe kryefamiljare, janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike dhe nga KEMP për invalidët . Gratë dhe vajzat  tha deputetja Vokshi  do të jenë ato, që me energjinë dhe përkushtimin e tyre do të sjellin ndryshimin e madh në 21 Qershor.

Nga ana e tyre kandidatët demokratë për Devollin  Bledjon Nallbati dhe për Maliqin z. Xhevdet Belishta shpalosën gjerësisht programin e tyre serioz për punë dhe dinjitet në integrimin e grave dhe vajzave në shoqëri.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Qershor 2015