Orari i votimit është mbyllur.

Opinioni publik është njohur përmes medias për shumë probleme që janë hasur gjatë zgjedhjeve, ku përpjekjet për manipulim nga qeveria, nga dyshja Rama-Meta dhe njerëzit e saj kanë qenë prezente.

Partia Demokratike ka arritur të frenojë shumë prej këtyre rasteve. Ne po ju paraqesim tani një pjesë të listës me parregullsi e cënim të standardeve të raportuara gjatë gjithë ditës nga njerëzit tanë të pranishëm në çdo qendër votimi. Shkelje të faktuara e të dokumentuara, për të cilët janë njoftuar partnerët ndërkombëtarë.

Kështu, vetëm pak orë para se votimi të hapej zyrtarisht dhe në orët e para të 21 qershorit, në Selenicë, vëllai i kandidatit të majtë për bashkinë,  Kasem Cenaj, shef komisariati në Shkodër, ka kërcënuar me jetë disa votues në këtë zone duke mbjellur një klimë terrori dhe frike. Në Klos, shefi i policisë, njëkohësisht bashkëshorti i  kandidates së majtë për këtë bashki, ka kërcënuar dhe sulmuar fizikisht aktivistë të Partisë Demokratike.

Sot, për disa orë në qendrën e votimit 1629 në Krrabë, Nazmi Balla, një oficer burgjesh, i armatosur, kërcënonte votuesit.

Në Vorë, në Lezhë, në Përmet në Peqin zyrtarë të administratës kalonin në filtër qytetarët para se ata ti drejtoheshin kutisë së votimit.

Në Shkodër, një mjet tërësisht i veshur me logot dhe flamujt e LSI ka transportuar materialet zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit.

Në Krujë, eskorta e makinave që transportonin materialet zgjedhore nga KZAZ ka qenë e drejtuar nga vëllai i kandidatit të majtë, Artur Bushi. Ajo që e bën dhe më shqetësuese është që eskorta e Bushit ka lëvizur e shoqëruara nga policia dhe stafi i KZAZ në një bashkëpunim të pastër që nxit dyshimet për një krim elektoral.

Në Shkodër, në disa qendra votimi si ajo 92, 259/1, e 288 janë shfaqur individë me karta të falsifikuara ose që kanë votuar në emër të personave të tjerë, siç ishte rasti i bërë publik sot nga votuesja Ingrid Paçrami, e cila nuk arriti të votonte, pasi një tjetër person me identitetin e saj ishte paraqitur në qendrën e votimit.

Po ashtu Shaban Meta nga Durrësi nuk votoi dot se dikush votoi në emër të tij me kartë të falsifikuar.

Është denoncuar në mbarë vendin cilësia e dobët e bojës, dhe ky element sigurie ka rënë që në mëngjes herët.

Janë raportuar dhe dhjetëra raste, të dhunës fizike dhe verbale të ushtruar ndaj qytetarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike nga funksionarë shtetërorë dhe banditë të lidhur me ta. Ne kemi raporte të plota, dhe përgjegjësit kanë emër. Ata do të mbajnë përgjegjësi para ligjit deri në fund, dhe partnerët tanë e misioni i vëzhguesve do të njihen me këto rekorde kriminale.

Pavarësisht këtyre akteve, të dhënat e Partisë Demokratike flasin për fitoren tonë të qartë dhe bindëse, të kandidatëve dhe Partisë Demokratike nga Jugu në Veri.

Ne i kërkojmë qeverisë, dyshes Rama-Meta, të heqin dorë nga çdo përpjekjet e tyre për manipulim, të mos prekin rezultatin.

Vota është hedhur, tani të dëgjojmë zërin e qytetarëve.

I bëjmë thirrje numëruesve tanë të qëndrojnë në krye të përgjegjësisë historike që kanë për të garantuar votën e shqiptarëve.

Partia Demokratike është pranë jush, miqtë tanë ndërkombëtarë janë pranë jush.


Deklaratë për media e n/kryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 21 Qershor 2015