Flamur Bala, një djalë me aftësi të kufizuara në Durrës, ndërtoi vetë me materiale të riciklueshme disa rampa për t’i vendosur në pika kryesore në qytet në mënyrë që ai dhe qytetarë të tjerë me aftësi të kufizuara të lëvizin lirshëm në qytet. Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma vlerësoi punën dhe kontributin e Flamurit.

“Janë materiale të ricikluara. Është përdorur vetëm dërrasë, gozhda dhe bojë. Kostoja është e ulë. Mjafton vetëm 200 lekë për ta bërë. E kemi bërë edhe në formë simbolike duke parë që mbështetja nga institucionet është pothuaj zero për ne personat me aftësi të kufizuara”, tha Flamuri.

Zonja Duma tha se bashkë me Flamurin do të punohet që të 453 personat me aftësi të kufizuar në Durrës të kenë lehtësira në lëvizjen e tyre duke pajisur autobuzët, pallatet dhe trotuaret me rampa.

“Bashkëpunimi jonë në të ardhmen nuk do jetë prej mëshire që t’i të kërkosh 200 lekëshin për të bërë atë. Ne do ndërhyjmë realisht tek rampat që do t’i krijojmë çdo trotuari. Ashtu siç kemi thënë që do t’i realizojmë tek të gjithë autobuzët që nuk e kanë rampën. Do ta bëjmë me menteshë dhe do të ketë rampë. Po ashtu të gjithë pallatet ku ju banoni. Ne i kemi evidentuar që ju jeni  453 individë që keni nevojë për rampën atje ku banoni. Do kemi rampën e qendrueshme tek pallatet e vjetra dhe rampën me menteshë tek pallatet e reja”, tha Duma.

Në mënyrë simbolike, Flamuri dhe një grup të rinjsh bashkë me kandidaten Duma vendosën disa rampa të ndërtuara nga ai në disa prej trotuarëve në qendrën historike të qytetit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Qershor 2015