Pyetje: z. Strazimiri, çfarë u vendos në mbledhjen e sotme të Këshillit?

U vendos ti hapet rrugë Prokurorisë për hetimin e mëtejshëm dhe ti hiqet imuniteti i deputetit Prenga. Unë do të doja të theksoja që kemi 2 vjet që ky vend drejtohet nga një bandë kriminale, nga një mazhorancë e inkriminuar autorë të secilës janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Aktualisht nuk patë asgjë të re dhe opinioni publik dhe të gjithë bashkë u bëmë  dëshmitarë të puntatës më të fundit të një seriali kriminal i cili si regjisor, producent dhe skenarist ka Edi Ramën dhe Ilir Metën në mënyrë të qëllimshme dhe në mënyrë shumë të kujdesshme. Nëse bëni retrospektivën e ngjarjeve do të arrini të gjeni që një nga një po mbushet lista e atyre që ka denoncuar opozita që prej 2 vitesh. Është një mazhorancë e kriminalizuar që ka kriminalizuar shtetin.

Secili prej nesh duhet t’i bëjë pyetjen vetes se pse kur shikon polic në rrugë largohet me vrap duhanshitësi i cigareve, ai ambulanti dhe jo shpërndarësi i drogës. Pse kur shikon polic në rrugë largohet me vrap fshatari që mbjell duhan dhe jo ai që mbjell kanabis. Të gjithë bashkë duhet ti bëjmë pyetjen vetes si shoqëri se përse dridhet nga frika ai që ka ndërtuar një strehë për fëmijët e tij apo një biznes të vogël, një dyqan të vogël, dhe jo ata që në mënyrë të papërgjegjshme po gllabërojnë çdo centimetër, çdo gram të pasurisë kombëtare. Pse ka frikë qytetari nga policia ndërsa krimineli arrin të futet deri në komisariat me dy armë, jo më një, dhe arrin të sfidojë shtetin duke plagosur 7 persona mu në derën e komisariatit.

Mendoj se është një sfidë e madhe e shoqërisë, është kauza e shoqërisë. Është shumë më tepër se kauza e opozitës. Ka dy vite që është kauza e opozitës megjithëse disa thonë që kjo është kauzë pa kauzë. Sot është kauza e të gjithë shoqërisë. Eshtë një gjë që e ka kaluar konfliktin politik dhe përmasat e tifozllëkut politik midis forcave të majta e të djathta. Po na mbyt krimi nuk ka nevojë të gjejmë modele të tjera. Shqiptarët e kanë bërë njëherë mrekullinë. Në vitin 1990, nëse kauza do të ishte vetëm e atyre të pushkatuarve pa gjyq apo e 75 mijë të burgosurve në mënyrë të padrejtë nga regjimi komunist, sigurisht që akoma sot do të kishim Ramiz Alinë të gjallë në pushtet. Ajo u bë kauza e të gjithë shqiptarëve pavarësisht se kishin apo jo tesër ndaj dhe ai regjim u shemb. Kjo është thirrja që kam sot. Të gjithë bashkë duhet të kuptojmë që nuk mund të kemi frikë nga shteti i kriminelë. Shteti i kriminelëve është vetëm për t’u rrëzuar.


Prononcim për mediat i deputetit të PD, Gent Strazimiri, 6 Shtator 2015