Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqimin e ligjit të qeverisë për pronat.

Partia Demokratike vlerëson se ky ligj i qeverisë cënon të drejtën themelore të njeriut që është prona, dhe heq sigurinë juridike.

Për PD, ky ligj është një shpronësim i ri që u bëhet pronarëve.

Deputetët Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi u shprehën për mediat pas dorëzimit në Kushtetuese të kërkesës.

“Ka disa elemente që ne gjatë gjithë kësaj kohe i kemi ngritur si shqetësime për faktin se ky ligj është antikushtetues. Së pari ligji merr dhe vlerëson pronën në bazë të vendimit të momentit të shpronësimit të saj duke cënuar një parim shumë të rëndësishëm, të sigurisë juridike.

Ligji bazuar njëkohësisht dhe mbi parimet ndërkombëtare të pranuara dhe nga vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, bie ndesh pikërisht me një sërë vendimesh të dhëna kohët e fundit, por cënon dhe parimin e barazisë para ligjit që do të thotë të gjitha vendimet e reja që dalin nga komisioni janë në mënyrë logjike me vlerë shumë më të vogël se prona që u është njohur qytetarëve të tjerë pas vendimeve të dhëna nga gjykata e Strasburgut.

Ne në fakt kemi mbledhur gjatë gjithë kësaj kohe mendimet e grupeve të interesit duke gjykuar që prona është një nga të drejtat bazë themelore të njeriut dhe duke gjykuar që ky ligj vetëm do ta vonojë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave sepse ky ligj në vetvete nuk e njeh procesin e njohjes, nuk e njeh pronën si një koncept por kalon thjesht direkt në kthimin dhe kompensimin e saj. Sigurisht që, ligji ka dhe elemente të cilët në mendojmë se janë shumë të dëmshëm duke kaluar në rastin kur një individ heq dorë në mënyrë vullnetare nga e drejta e tij që është e drejtë e bazuar në Kushtetutë, e drejta themelore e njeriut, e drejta e pronës, nëse ai do të marrë një pjesë të shpërmblimit. Këto janë disa nga elementet kryesore për të cilën ne sot e kemi sjellë ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe i shtohet argumenteve të sjella nga grupet e tjera të interesit duke shpresuar që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim të drejtë për këtë çështje”, tha Jorida Tabaku.

“Besoj që çështja që duhet të fokusojmë qartë ne si Parti Demokratike është që për ne ish-pronarët janë një shtyllë identiteti e PD, elektorat i PD, ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë, e ndaj jemi këtu përpara Gjykatës Kushtetuese, që me këtë ligj të mos ndodhë diçka e papranueshme, rishpronësimi i pronarëve. Cënimi i drejtpërdrejt i parimit kushtetues i të drejtës së pronës nëpërmjet këtij ligji është flagrant. Pronarët rishpronësohen dhe ne, këtë, nuk do ta lejojmë në asnjë moment. Gjithashtu, një element shumë thelbësor për ne është fakti që cenohet siguria juridike dhe barazia përpara ligjit, siguria juridike e të gjithë ish-pronarëve. Tashmë kjo qeveri me këtë ligj ato dhjetëra mijëra vendime që pronarët kanë sot nëpër duar, ua djeg në duar pronën. Ua heq edhe atë copë letër që ata arritën ta fitonin si një të drejtë. Qeveria sot ia kthen në një letër pa vlerë në mos ia djeg fare. Ne e kemi bërë shumë të qartë në emër të Partisë Demokratike në parlament dhe sot jemi për të konfirmuar këtë qëndrim se ky ligj në çdo mënyrë do të shfuqizohet. Vullneti i Partisë Demokratike është që në momentin më të pare, çdo element që bie ndesh me pronat e ish-pronarëve, ai moment të shfuqizohet për rrjedhojë pronarëve t’u garantohet e drejta.

Unë besoj se është shumë e qartë për Gjykatën Kushtetuese bazuar edhe mbi çka marrë vendime edhe më parë. Nuk mund të flas asgjë se ç’mund të jetë presioni që do të bëjë qeveria në çdo rast, ky ligj nuk mund t’i qëndrojë kësaj Gjykate. Në çdo ligj që kërkon shumicë të thjeshtë ne do ta shfuqizojmë dhe do të miratojmë një ligj që të jetë plotësisht, 100 përqind në favor të ish-pronarëve”, tha Oerd Bylykbashi.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

 

KERKESE GJYKATES KUSHTETUESE PER LIGJIN E PRONAVE