Në prag të votimit vendimtar për paketën e Reformës në Drejtësi në Parlamentin Shqiptar, Presidenti i Partisë Popullore Europiane Joseph Daul dha këtë deklaratë:

“Ne kemi ndjekur nga afër diskutimet dhe negociatat për draftin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Ndërsa shpesh bisedimet kanë qenë të vështira dhe komplekse, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha negocoi me sukses dhe kontriboi për një rezultat të frytshëm. Kryetari Basha ka demonstruar lidership për partinë dhe vendin e tij duke luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e një marrëveshje që i shërben interesave të të gjithë popullit shqiptar”, tha presidenti i PPE, Joseph Daul.

“Një sistem i pavarur dhe transparent i drejtësisë mbetet një nga elementet kryesore të nevojshme që një vend demokratik të ketë sukses dhe të rritet. Shqiptarët meritojnë të ketë një sistem drejtësie ku asnjë qytetar nuk është mbi ligjin dhe ku korrupsioni të mos lulëzojë. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe për të mbështetur partnerët tanë shqiptarë në krijimin e një sistemi të tillë drejtësie”.

 “Vota e nesërme për paketën e Reformës në Drejtësi do të jetë një hap për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bazat për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar. Partitë politike shqiptare dhe deputetë, duke përfshirë edhe ata të Partisë Demokratike, duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre për kauzën Europiane për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve duke miratuar Reformën në Drejtësi”, përfundoi Presidenti Daul.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 20 korrik 2016