Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e Vettingut, të kaluar nga Edi Rama në shkelje të konsensusit dhe parimeve themelore të së drejtës.

Deputeti Oerd Bylykbashi, u shpreh për mediat, pas depozitimit të kërkesës.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paditi sot shkeljet e Kushtetutës, që mazhoranca bëri në 30 Gusht me ligjin e Vettingut . Me konsensus të plotë, Parlamenti miratoi në Kushtetutë Vettingun i cili do të luftojë korrupsionin  në sistemin e drejtësisë, dhe më pas kjo do të cojë në luftën ndaj korrupsionit në qeveri. Kushtetuta për ta bërë këtë, ngriti organe të pavarura kushtetuese, e do të jenë ato sipas Kushtetutës që do të bëjnë procesin e Vettingut të gjyqtarëve. Organe të ngritura me kontributin e drejtpërdrejtë të ndihmës-sekretares së Shtetit Nuland dhe Komisioneri të BE,  z.Hahn. Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, Vetingun, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS, ta bëjë Alket Hyseni i cili është garanti i Kushtetutës së PS dhe e dinë shumë mirë se çfarë ndodh atje. Edi Rama do që vettingun ta bëjë Arben Seferi , zyrtar tjetër i PS-së, pra me levat dhe instrumentet e e tij, të kontrollojë gjyqtarët të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë kryeministër të korruptuar, për korrupsion. Kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues, është 100 % në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias. PD dha konsensusin e plotë që korrupsioni të luftohet duke futur Vettingun në Kushtetutë, por jo, për asnjë sekondë PD nuk mund të mbështesë dhe, është e gatshme të kundërshtojë përpara kësaj Gjykate kushtetuese, shkeljet që bëri me ligjin e Vettingut, kjo mazhorancë. Eshtë standard i vendeve të BE-së dhe SHBA-së që kur dhe një germë e vetme e ligjit, është në dyshim se shkel Kushtetutën, duhet t’i përgjigjet testit të Gjykatës Kushtetuese. Jo më një numër i pafund shkeljesh që cënon parimin e ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së drejtësisë, shtetit dhe së drejtës, procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave të njeriut”.

Bashkangjitur kërkesa e plotë dorëzuar sot në Kushtetuese

KERKESE GJK PER LIGJIN E VETTINGUT- FINAL


Prononcim për mediat i deputetit Oerd Bylykbashi, 5 tetor 2016