Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Kumbarë ministra!

Ndrikulla ministre!

Sigurisht që ju quaj ndrikulla. Kur të kap mafia quhesh ndrikull, kur nga mëngjesi deri në darkë vjedh paratë e taksapaguesve minimumi quhesh ndrikull.

Të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë!

Së pari dëshiroj t’u përcjell përshëndetjet më të përzemërta atij grupi qytetarësh, që në mbrojtje të interesave jetike të çdo qytetari shqiptar, në mbrojtje të shëndetit, në mbrojtje të jetës, në mbrojtje të të ardhmes së shqiptarëve në këtë vend, zbardhën një natë në të ftohtë për të bërë një thirrje, një apel e një kushtrim mbarë qytetarëve të vendit; të mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, të mos pranojmë që kjo qeveri, për lidhjet e saj të dokumentuara mafioze, të cilat i paraqita para një jave me dokumenta, me mafien italiane të shndërrojë Shqipërinë në megapellgun e plehrave të Italisë dhe më gjerë.

Politika  e shndërrimit të Shqipërisë në megapellgun e plehrave është një politikë jashtëzakonisht e rrezikshme që kërcënon në mënyrë thelbësore jetën e shqiptarëve. Dhe marrëveshja e importit të plehrave, futja në trajtimin e plehrave të Tiranës të kompanive të Ndraghetës janë vetëm disa aspekte. Aspekte të tjera po kaq makabre zhvillohen në heshtje në sekret njësoj si në shpellat mafioze në këtë qeveri.

A e dini të dashur qytetarë se sot duhet të ishte në Kuvend, ligji për katastrofën e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës, ligj që do shndërronte zonën më të pasur të Shqipërisë, në pellgun më të ndotur të Ballkanit dhe Evropës?! Ligji që i jepte jetë një projekti, të cilin nuk guxoi asnjë qeveri që nga viti 1992 deri sot, t’i japë jetë, i ndërtimit të një megateci me torfën e kënetës së Maliqit, e cila në në sipërfaqen që do të jepej për këtë qëllim për 157 milionë metër kub, e cila, sipas ekspertëve më të shquar të fushës, për shkak të koeficinetit të ulët energjitik do të prodhonte 50 milionë metër kub hi pleh me të gjitha mbetjet toksike.

Ky është peshqeshi që Peleshi i bën Korçës me kryemafiozin, me don Edvinin. Po ka mendje të sëmurë që mund t’i lejojë vetes një vendim të tillë? Dhe e bën këtë në sekretin më të plotë, duke thyer çdo ligj të vendit, duke mos patur asnjë autorizim tjetër përveç xhepit të Lefterit, që majmet me rryshfetet që merr nga kriminelët e mjedisit dhe të Peleshit me shokë.

A ka mundësi o socialistë t’ju pyes si ka mundësi që nuk pyetet asnjë qytetar i Korçës? Ku e keni ligjin e kalimit nga fondi bujqësor në fond të përdorimit për TEC të 288 hektarëve tokë në Maliq? A keni ndjenja njerëzore a jo, o të babëzitur që mendoni vetëm për xhepat tuaj. Si mund të veproni prapa shpinës o të neveritur?! Këtë as diktatori nuk e bënte. A doni t’ju jap dokumenta të plota?! Ju jeni të mbërthyer kokë e këmbë nga mafia e plehrave! Ju jeni mafia e plehrave! Në fakt, kufi për të vjedhur këtë vend ju nuk njihni.

Vazhdojmë më tutje. Cfarë ndodh me inceleratorët. Shkoni në Fier. Pa pyetur asnjëri, në Mbrostar kërkojnë t’u bëjnë gjëmën, t’u kallin datën. A e dini si është bërë tenderi i inceleratorit në Fier? Nëse keni ndjenjat më minimale njerëzore për fëmijët e Fierit, ju o deputetë socialistë merreni e shiheni tenderin se si është bërë, si është hapur. Tenderi është hapur se kush do të ndërtojë inceleratorin, pa asnjë lloj kushti. Cfarë po ndodh tani? Tani inceleratorët e përdorur për 30 -40 vite, që të gjitha, teknologjitë më të reja të djegies, të cilat janë në përdorim, i kanë nxjerrë jashtë përdorimi, i kanë nxjerrë në skrap. Ky skrap po vjen falas në Shqipëri dhe tenderi prej 20 mln eurosh, i shpallur si fond për inceleratorin është shpallur 20 milion vjedhje, se atë ta bëjnë dhuratë falas dhe të tillë në Europë ka me dhjetëra sot. Po ne duhet të vjedhim 20 milionë dollarë nga buxheti, për të blerë një të tillë për privatin. A ka kufi, a ka normë dhe etikë ky njëri që s’bën asgjë tjetër veçse pasurimin e tij. Ky njëri, i cili nga mëngjesi deri në darkë përdor mediat dhe mendon se me koprolalinë dhe llogorenë e tij të neveritshme do mund të mbulojë këto vjedhje monstruoze. Me shifrat që shpik, me elif matrakë mendon se do mund të gënjejë shqiptarët.

Një nga kriteret më themelore sot të BE është mbrojtja e mjedisit, sepse mjedisi është jeta. A dëgjoni ndonjëherë të flasin për mjedisin? A nuk e bënë këta moratoriumin e drurëve, e prerjes së drurit? Shkoni në rrugën në Librazhd. Cdo 10 min kalon një makinë me trungje. Për të gjitha taksën e merr Edi Rama me çakallin e tij të pafytyrë, me çakallin që e përdor si leckë për këpucët. A dëgjuat ju për moratoriumin për gjahun? Ja u kanë dyllosur çiftet gjahtarëve të ndershëm që prej vitesh e dekadash jetonin me gjahun. Dhe kanë dyfishuar çiftet e nomenklaturës së tyre të kalbur socialiste, që vjedh nga mëngjesi në darkë, plaçkit edhe cipëza toke, ku mundet e ku s’mundet. Do që të prishë në Himarë shtëpi mbi 300 vjeçare dhe nuk prish pallatet e Koços, që janë dy monstra, dy përbindësh që i kanë zënë detin Himarës, sepse është aksioner. Del dhe flet këtu për naftën, ndërkohë që mafia e naftës bën ligjin në Shqipëri që kur e mori me Besnik Sulën. A e dini ju që janë zhdukur mbi 40 mijë ton naftë dhe ky zotëria jep porosi që të mos flitet për këtë? Këta mashtrues ordinerë që përdorin këtë platformë për të lëshuar gënjeshtra dhe mashtrime për qytetarët të pafajshëm shqiptar. Dalin e flasin se mblodhën të ardhurat. Cfarë mblodhët? Duke rritur taksat 50%, kanë mbledhur në 4 vite, 4 herë më pak nga ç’kemi mbledhur ne me uljen e taksave mbi 50%. Dallimi është i madh shumë. Se ato para që u mblodhën me ulje taksash shkuan jo vetëm në buxhet por edhe biznesit i vjelet shumë më tepër, kurse këta vjedhin e vjedhin çdo fjë, natën, ditën, në çdo tender e gjithçka tjetër.

Cfarë bëni tjetër ju. Rregjistrimet tregojnë 19 mijë qytetarë, të cilët u shpallën se u janë bëra analizat, check -up, ishin të vdekur. A e kuptoni që karriget tuaja qëndrojnë mbi mashtrimet mbi të vdekurit, mbi përdhosjen e tyre. Përdorni edhe të vdekurit për të vjedhur. 19 mijë të vdekur në regjistrat e ndrikullës vampire, që me kushurirën vampirë pijnë gjakun e të sëmurëve shqiptar. 150 mijë të tjerë s’kanë bërë kurrë check-up.

Sot për çdo shqiptar shpenzimet për shëndetësinë janë më të ulta se 15-20 vitet e fundit. Nga 250 dollarë që janë, 130 dollarë janë të qytetarit në buxhet, kurse këto të buxhetit i merr ndrikull Nushi e kumbar Rama dhe mbushin regjistrat me emra të vdekurish. Tani dalin e thonë se nuk e japin regjistrin.

Unë ja u them këtu se kjo do jetë një çështje beteje për jetë a vdekje. Mos mendoni se mund të mbani të dhënat se në mënyrë absolute tolerancë zero do ketë nga opozita nëse ju guxoni të mendoni të fshihni të dhënat, kaq ju them, provojeni. Se na ka nxjerrë atë perversin që i futën kallëpin te kryeministria dhe thotë janë të dhëna personale, dmth të vjedhin për të dhëna personale. Unë i them kuvendit që t’a garantojë funksionimin normal, përndryshe do marrim qëndrimet më të merituara ndaj këtij qëndrimi..

Ju po vidhni haptaz por fshehje vjedhjesh ne nuk u lejojmë. Tani kaluat tek analizat. U premtuat shqiptarëve se do të kemi shërbim shëndetësor falas. Sot shërbimi shëndetësor është më i kushtueshëm se kurrë në Shqipëri. Sot 50% e shërbimeve janë pagesa direkte të qytetarëve shqiptarëve. Sot jo vetëm që nuk u hoqën sigurimet shoqërore, sikurse premtuat ju, por ato mbetën siç ishin me tendencë për rritje. Dhe tani, një vjedhje e paimagjinueshme.

Një muratori i dhatë sterilizimin!

Një magazinierjeje, apo ndrikull Nushit doni ti jepni laboratorët!

Nuk gënjehen shqiptarët, lëreni ç’thotë ky, se Rama është nastradin, nuk ka respekt për veten e tij, kujton se duke shqipëruar në çdo fjali një gënjeshtër kujton se kalon lumin.

Ka tre ditë që rreh gjoksin për partneritetin publik privat në shëndetësi. Do ti them njëriut që është tmerrësisht defiçitar se kur erdhëm në pushtet, në Shqipëri merrnin shërbimin e dializës vetëm 46 qytetarë. Të tjerët ose gjenin mik dhe mundësi në Janinë, ose në Strugë ose vdisnin. Nuk kishin ata asgjë tjetër! Nga 46, numri i të sëmurëve që morën shërbimin e hemodializës, pas firmosjes së partneritetit publik – privat arriti në 640!

Mirëpo njeriu as nuk skuqet, e as nuk zverdhet! se e di që këtu nuk ja pret kush fjalën dhe vazhdon. Ne e shpikëm këtë thotë. Që ta dini ju, me të njëjtin çmim e bënte kompania, por e bënte në lokalet e veta. Tani e bën me të njëjtin çmim, por në lokalet e shtetit! Pra të paktën aq sa është qiraja, 25% më shtrenjtë. Apo doni ta kapërceni me mashtrime këtë, doni ti kapërceni dështimet me mashtrime?

Nuk ka asnjë në botë që shërbimin qëndror të laboratorëve ta privatizojë. Nuk është se janë në nivelin më të lartë, por duhet të dini se në fushën e laboratorëve, në aparatura, në specialistë, në kualifikime janë investuar dhjetëra e miliona USD. Kam respektin më të madh për shërbimet private në spitalet private, por i garantoj qytetarët se laboratorët shtetërore janë laboratore serioze, drejtohen nga njerëz seriozë, nga laborante serioze, të cilat nuk kanë asnjë lloj interesi tjetër përveç saktësisë, nuk kanë interes për të regjistruar analiza fallco, nuk bëjnë check up-e fallco, kanë interes vetëm reputacionin dhe ndihmën e të sëmurit.

Por partneritetin publik – privat në laborator, përveç disa vendeve në Afrikë, e futi një një spital të vetëm dhe Britania e Madhe, në një spital të vetëm në Shën Thomas. Lexoni pak The Guardian çfarë thotë për këtë. 400 incidente janë bërë. Dështim i plotë thotë! Po ç’na duhet neve? Neve na duhet të vjedhim!

Të dashur qytetarë dhe qytetare,

Në 8 vite qeverisje ka patur vetëm një koncension, në të cilën buxheti juaj kalonte për shërbim privat, dhe kjo ka qënë hemodializa dhe asnjë tjetër. Kurse deri sot janë mbi 2 miliardë euro borxhe dhjetë vjeçare të buxheteve tuaja. Në një vit 19 të vdekur, prisni ju në vitet e ardhshme. Të gjitha do jenë shpenzime për ata që s’janë më ose gjysma e tyre. Po pse? Sepse paguajnë ministrin, paguajn kryekumbarin dhe kaq është e gjithë puna.

Tani na nxjerrin argumenti se këta na bëka 70 e ca analiza kundrejt pafundësisë që bën privati. Unë këtu do sqaroj dy gjëra. Së pari analizat sot, po bleve mjetet më moderne, i bën pafundësisht sa të duash. Po së dyti, në rast se zemra ka 200 tregues të punës së saj, dhe në vendet më të avancuara nuk përdoren më shumë se 20-30 prej tyre. Të tjerat janë teorike dhe i përdorin ata të cilët bëjnë studimethelbësore të avancuara por jo praktika e përgjithshme mjekësore. Ju doni të fusni paratë në këto? Ta dini mirë se kurrë sdo pranohet një gjë e tillë. Vjedhje dhe vetëm vjedhje. A e dini që ERE ka anulluar me urdhër tenderin e kumabrit Rama me kompaninë serbe. Kurse Rama urdhëron veglën e tij dhe i jep një llokëm të madhe pa tender, dhe, pasi ja jep asaj, bën me 1/3-tën e sasisë një tender me 5 kompani të tjera. A i pagoi kjo kompani ekspozitën në Beograd apo e bleu me dhurata të tjera? Një gjë është e sigurtë, se ajo është famoze në korrupsion. Dhe druaj se kjo është kompania nr. 1 që bllokon linjën Tiranë-Prishtinë dhe këtu Edi Rama është në tavë me këtë kompani. Kur Enti Rregullator i Energjisë urdhëron anullimin si të paligjshëm të tenderit, s’ishte tender por dhënie gratis, dhe këta vazhdojnë si pa të keq, sigurisht që këtu Rama është skllav i kompanisë serbe, e njohur kjo për korrupsion të politikanëve në Serbi dhe vende të tjera.

Më thatë se pse ti quaj kumbarë dhe ndrikulla. Po çfarë mund ti quaj ndryshe unë këta që shesin çdo interes për xhepat e tyre. A mund të veprohet siç veprojnë këta njerëz. Një njëri që del dhe bërtet e mashtron nga mëngjesi deri në darkë për suksese imagjinare në një kohë kur të gjitha janë dështime të plota. Cdo gënjeshtër e juaja, një nga një po del në dritën e diellit. Të jeni të sigurtë që i keni kohërat shumë të numëruara, keni marrë fund!

Lidhur me problemin e fundit, i them Edi Ramës të mos shërbehet me njerëz të cilët i depersonalizon, i shpërfytyroin, i degjeneron dhe degradon në shkallën më ekstreme në radhë të parë para vetes së tyre, para familjarëve më të afërt të tyre, para miqve e kolegëve, para zgjedhësve të Shqipërisë. Shërbeu sa të duash por ata janë simboli i fytyrës tënde. Unë nuk them se janë të pafajshëm, jo nuk janë. Ata janë skllevër të rekrutuar. Por e vërteta është se faqja e zezë të mbetet ty kur i detyron ata mjeranë të shpërfytyrohen dhe të gënjejnë në mënyrë të përsëritur para kamerave. E çon ministrin e jashtëm në Brazil dhe shtypi botës thotë se  shkoi në bordello burrash, dhe nuk e përgënjeshtron dhe nuk e hedh në gjyq….Po ju s’keni as dinjitet individual dhe asgjë tjetër. Po për cilin ministër është thënë kjo?   Ja u tha opozita këtë? Ja u tha bota more, e keni shkrimin që është qarkulluar në çdo kancelari të botës kudo që shkon. Nuk e shkruan dot opozita një shkrim të tillë. Absolutisht ja kanë shkruajtur ata që e kanë fotografuar, ata që e kanë faktuar. Po pse nuk del ta hedhi në gjyq autorin ky (Bushati)? Apo ja nxjerr fotot dhe videon pastaj? Cdo njëri, kudo që të ndodhë ka të drejtë të hapë gjyqe. Edhe Brazili ka një sistem gjyqësor të jashtëzakonshëm. Kanë kryqëzuar presidentin ata.

Së fundi do ti them Ramës. Me një zhgarravinë që ke shpërndarë, duke u vendosur yllin në ballë martirëve të kombit, i ke pushkatuar për së dyti ata. Turp i madh! Tregove që je besnik i xhelatëve të tyre sepse ata vërtet ranë në luftë me nazistët por për së dyti ata, idealin e tyre e ekzekutoi Enver Hoxha. Ti që e ke quajtur gjakun e tyre si gjak të rremë në themel të kolltuqeve, në faqen 7 të “Refleksione”-ve të tua, ti tani në vend të një ndjese publike, se ai është gjak i shenjtë jo gjak i rremë, ai që bie për atdhe atij i shenjtërohet gjaku. Yllin e kuq nuk ja u dha nëna dhe babai vet. Yllin e kuq ja u dha Enver Hoxha, kryekrimineli i të gjithë historisë kombëtare të shqiptarëve. Dhe ti ja u rivendos yllin e kuq pas 25 vitesh që e kemi hequr. Ti, atyre që ja u quan gjakun e rremë, tani na del në emër të babait tënd, skulptorit kriminel Kristaq Rama dhe kryexhelatit Enver Hoxha, gjete këto ditë t’ja u rikthesh yllin në ballë.

Ata kanë përjetësinë kurse ylli ka shkuar në koshin e plehrave të historisë së bashku me ata të cilët e sollën në Shqipëri.


Fjala ne kuvend e ish Kryeministrit Sali Berisha, 24 Nentor 2016