Të dashur miq
Ju përshëndes ju dhe ata dhjetra mijëra qytetarë që vazhdojnë të jenë ditë për ditë, e natë për natë pjesë e kësaj proteste të jashtëzakonshme të pashoqe në historinë e Shqipërisë, të pashoqe në historinë e Ballkanit. 9 ditë e 9 netë pa ndalim për kauzën e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sot përsëri në mesin tonë kemi njerëz që përfaqësojnë ajkën e shoqërisë, ajkën e kombit, përfaqësues të artsitëve, përfaqësues të kulturës shqiptare. Jo më kot këto nëntë ditë e nëntë netë të rezistencës, të përballjes e të protestës, këtu në sheshin e lirisë krah për krah me qytetarët , krah për krah me protestuesit, krah për krah me PD dhe me partitë e tjera të opozitës, janë njerëzit e elitës së vërtetë të kombit. Artistë të nderuar, intelektualë të mendimit më të fuqishëm shqiptar, sportistë, njerëz të medias, njerëz të lire. Këta janë këtu sepse me shqiptarët e ndershëm me shqiptarët e lirë, i bashkon kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Janë po kështu si një kundërthënie, si një kundërvënie ndaj pakicës që kemi përballë. Pakica që kemi përballë në këto momente paniku, frike dhe tmerri nga shumica e bashkuar e shqiptarëve, e gjen ngushëllimin e saj, e gjen sigurinë e saj tek banda dhe tek banditët. Sa herë që Rama futet në panik, cfarë bën? Ulet, drekon dhe darkon me banditët që ka sjellë në parlament, me banditët që ka sjellë në krye të bashkive të vendit.
Forca e tij janë banditët, pra llumi i shoqërisë. Forca jonë, janë elita e vërtetë, janë intelektualët, janë pedagogët, janë artistët janë sportistët, janë më e mira që ka prodhuar e prodhon ky komb. Eshtë sigurisht, rinia shqiptare, rinia studentore, rinia gjimnaziste që ka qenë e vazhdon të jetë ditë e natë pjesë e forcës dhe e vendosmërisë së këtij bashkimi popullor. Kjo në fakt, është dhe beteja, e thënë thjesht dhe me dy fjalë. E shpjeguar për ata të cilët e shohin nga larg Shqipërinë, që duan të dinë cila është beteja, cila është ndarja sot në Shqipëri? Nga njëra anë, shumica dërrmuese e shqiptarëve të djathtë e të majtë, të varfëruar e të zhgënjyer, të goditur të shpunësuar, subjekte të padrejtësisë së përditshme të një pushteti arrogant e të pashpirt, një shumicë, të cilës i mohohet ditë për ditë mundësia për të ndërtuar jetën me punë të ndershme . Një shumicë e cila nuk kërkon lëmoshë , por mundësi për të ndërtuar jetën me punë të ndershme dhe kjo i mohohet, i shkelet i dhunohet, nga kush;nga një pakicë e cila shkel ditë për ditë kushtetutën, shkel ditë për ditë ligjin. Pse? Pse shkelet ligji? Pse e shkel ligjin Edi Rama, për të mbajtur Elvis Rroshin kryetar bashkie kundër ligjit.
Pse, nga njëra anë, investohet te ai për të mbajtur një bandit të dënuar për përdhunim , të dënuar për trafik droge në kundërshtim me ligjin, në zyrën e kryetarit të bashkisë së Kavajës, dhe nga ana tjetër i merr shpirtin dhe i vë këmbën të pamundurit, të varfërit, të papunit, atij që nuk ka mundësinë ti kthejë favoret me shërbimet kriminale që merr nga kriminelët që ka futur në politikë. Sepse Edi Rama, fatin e tij e ka lidhur tashmë jo me shumicën dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm por me një grusht kriminelësh, hajdutësh dhe zuzarësh. Ky është problemi. Me që e ka lidhur fatin me ta, ka frikë nga gjykimi i shumicës, ka frikë nga vota popullore, ndaj ka bërë gati taboret e kriminelëve. I ka ndarë, bashki më bashki. U ka dhënë për detyrë të frikësojnë e të terrorizojnë qytetarët me qëllim që të prishë zgjedhjet e ardhshme. Të prishë zgjedhjet e ardhshme me qëllim që, përsëri ai me një grusht kriminelësh të mbeten në pushtet e të vazhdojnë ti marrin frymën popullit. Të vazhdojnë ta përballin shumicën e shqiptarëve me dy alternativa, ose dëshpërim dhe ulje koke, ose largimin masiv nga vendi i tyre, nga shtëpitë dhe qytetet e tyre, nga tokat e tyre. Ky ishte ekuacioni deri më 18 Shkurt. Deri më 18 Shkurt, frika si një instrument zotërimi, mbizotëronte në popull dhe kokoshi 200 milionësh krekosej me arrogancën dhe harbutërinë e tij. E keni pare, prej datës 18 Shkurt, nuk po gjen vrimë ku të fusë kokën. Nuk po gjen vrimë ku të fusë kokën. Ekuacioni ka ndryshuar, populli nuk ka më frikë. Populli e ka vrarë frikën, populli e ka kuptuar se nuk ka pse të ketë frikë nga një pakicë që përfaqëson llumin e shoqërisë, frika është përtej atyre mureve. Frika duhet të jetë e Edi Ramës dhe bandës së tij.
Edi Rama dhe banda e tij është më e izoluar se kurrë , nuk e duan demokratët, nuk e duan socialistët, nuk e do Jugu, nuk e do Veriu. Nuk e duan as ndërkombëtarët, ata që zgjedhjet e lira dhe të ndershme i kanë vlerën më të patjetërsueshme për kombet e tyre. E kanë kuptuar, se beteja jonë nuk ka e nuk mund të ketë përfundim tjetër përvec fitores së qytetarëve të bashkuar, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e parlamentit dhe nstitucioneve, luftës kundër drogës dhe një drejtësi të vërtetë. Veting me Armando Prengën, veting me Elvis Rroshin nuk ka e nuk ka për të pasur. Por do të ketë me qeverisjen e re, me qeverisjen që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe që të nesërmen ne do të ulemi për ti dhënë shqiptarëve Vetingun të cilin e votuam në 22 Korrik, vetingun që garanton gjyqtarë dhe prokurorë të pastër e të pakapur, të cilët janë mankthi i Edi Ramës. I dridhen leqet e këmbëve kur mendon drejtësinë e pakapur, drejtësinë që nuk e merr dot në telefon ta shantazhojë e ta urdhërojë, atij dhe bandës në pushtet. I prishet gjumi nga vetingu i vërtetë. Prandaj do veting fasadë, me shoqatat e vullnetarëve të Enverit që ka nxjerrë sot rrugëve të Tiranës. Veting do të ketë një ditë pas qeverisë teknike, do të ketë veting të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Por, e para punë që duhet të kryhet është largimi i pakicës së bandave në pushtet me të cilat do të prishë dhe kapë zgjedhjet e shqiptarëve. Kjo është detyra, ky është vendimi i madh që na ka mbledhur këtu. Kjo është detyra e madhe që kemi marrë para shqiptarëve sot, para historisë sonë kombëtare, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, po që këtej e tutje, shqiptarët nuk do të pranojnë më zgjedhje të diktuara nga krimi, zgjedhje të diktuara nga paratë e pisëta të drogës, zgjedhje të diktuara nga korrupsioni. Ose do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ose zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur. Ne nuk do ti lejojmë, nuk do ti lejojmë zgjedhjet fasadë. Dikush sot kishte shprehur shqetësimin për radhët e ushtrisë së republikës së re. Ku është ushtria e republikës së re? Ushtria e republikës së re ishte në sheshin e 18 Shkurtit, ushtria e republikës së re është në këtë shesh, ushtria e republikës së re është në cdo shtëpi shqiptari dhe shqiptareje, që është i zhgënjyer i goditur, i nëpërkëmbur nga një qeveri e padrejtësisë e arrogancës dhe e antiligjit, dhe pret thirrjen finale, thirrjen finale për tu cuar në këmbë e për ta përmbysur dhe varrosur republikën e krimit, republikën e korrupsionit, republikën e drogës, republikën e padrejtësisë. Ndaj, ditët e kësaj beteje, janë ditët e lavdisë së vërtetë qytetare.
Kjo nuk është një betejë politike, kjo nuk është një betejë për të marrë pushtetin në tavolinë. Kjo nuk është një betejë për t’i dhënë pushtetin Lulzim Bashës. Kjo është një betejë për t’i dhënë pushtetin cdo qytetari dhe cdo qytetareje shqiptare, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është një lëvizje ku PD ka krenarinë të jetë pjesë, të jetë pjesë dhe drejtuese. Po lëvizja i ka tejkaluar kufijtë e partive politike. Kjo është një lëvizje kombëtare, demokratike, popullore, paqësore, por e vendosur deri në fund për të hedhur republikën e krimit dhe për të ngritur republikën e re, republikën e vlerave. Republikën e vlerave, jo të Armando Prengës, Elvis Rroshit me shokë, por republikën e qyetarit të ndershëm, të mjekut të ndershëm, të artistit e të intelektualit të ndershëm, të pensionistit që respektohet, që nuk dhunohet e poshtërohet me pensione që sot blejnë më pak se para tri vite e gjysëm, të punonëjsve të ndershëm që jetojnë me djersën e ballit e që duhet të kenë garanci për vendet e tyre të punës. Dhe një qeveri që punon, që të ardhurat e tyre të shtohen dhe mosha e tyre e pensionit të ulet e jo të rritet, të një Shqipërie ku studentët e gjimnazistët kanë siguri për të nesërmen e nuk jetojnë me ankthin e përditshëm. Të një shëndetësie që ofron shërbime dinjitoze, të një sistemi të rendit dhe të ligjit që nuk nderon krimin dhe godet qytetarin, por godet krimin dhe nderon e respekton qytetarin e thjeshtë. Këto janë parimet mbi të cilët do të ngremë republikën e re. Një gjë është e sigurtë, është cështje kohe. Republika e vjetër vdiq me 18 Shkurt, ta varrosim dhe ti hapim rrugë republikës së re.
Asgjë nuk na ndal në rrugën tonë, as provokimet. Dje provokatorët e Edi Ramës goditën në këtë tendë kreun e Alenacës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, e bënë me pabesi sic e kan denbabaden për zakon. Provokatori mori atë që meritonte këtu në këtë cadër. Dhe unë dua të përshëndes ata të cilët nuk lejuan që provokatori të largohej, pa iu prekur qimja e flokut. Por dua të përsëris edhe një herë thirrjen: të shmangin provokimet, mos provokoni popullin, përndryshe, pasojat e plota të kundërpërgjigjes së fuqishme do të jenë mbi ju, urdhëruesin e provokimeve. Mos provokoni popullin.
Provokatorët po kështu dje, një grusht provokatorësh të PS, e munduan të sabotojnë aktin fisnik dhe sublim të grevistëve të Zharzës. Duke ju shprehur dhe një herë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë, duke i kërkuar mediave të pasqyrojnë dhe mos censurojnë vuajtet dhe sakrificat e tyre epike për drejtësi, i bëj thirrje Edi Ramës të ndalë provokimet, t’u përgjigjet nevojave qytetare, brengës së madhe qytetare të grevistëve të Zharshës. Ta dinë nga kjo cadër e lirisë se kanë mbështetjen tonë të plotë e të gjithanshme, jo për ti përdorur politikisht, por për hallin e tyre njerëzor, për faktin se ju kanë shkatërruar kulmin e shtëpive për shkak të babëzisë dhe korrupsionit, për shkak të milionave që ky dhe njerëzit e lidhur me të, fusin në xhepat e tyre. Dua ta mbyll këtë fjalë, duke garantuar gjithë komunitetin e kulturës dhe të artit, se Republika e Re do ta ketë nder të krenohet me punën tuaj, me dinjitetin tuaj dhe produktin tuaj kulturor dhe artsitik, dhe do ta ketë për detyrë të kontribuojë, jo për fasada, jo për miliona të cilat shpërdorohen dhe vidhen por të kontribuojë që asnjë artist shqiptar, asnjë njeri i kulturës apo i sportit shqiptar, të mos mbetet pa u vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm që jep për shpirtin kombëtar, për kulturën kombëtare, për artin kombëtar. Kjo është garancia jonë sot për artsitët, për kulturën shqiptare. Mbështetje e drejtëpërdrejtë dhe anullim të të gjitha tenderave korruptivë për të investuar në fasada ku vjedhin e shpërdorojnë paratë e shqiptarëve.
Faleminderit për këtë vendosmëri, për këtë qëndresë, ora e fitores po afron.
Mesazhi i Lulzim Bashes, 26 Shkurt 2017