Ditën e 74-të të protestës opozitare në bulevard kryetari i PD, Lulzim Basha dëgjoi qytetarët nga Elbasani të denonconin problemet e jetesës në qytet dhe fshat. Arsimi, largimet selektive nga puna, ndotja kriminale e ambientit deri tek mungesa e ujit të pijshëm ishin probleme të qytetarëve elbasanllinj.
Të rinjtë kërkojnë arsim, punësim dhe Edona Kaçaniku, studente në vit të dytë juridik, foli për ata gjimnazistë elbasanllinj të cilët u kthyen në kavjen e ‘projektit-pilot’ të një reforme arsimi, që la edhe ata me mesatare 9-të jashte universiteteve publike. E shoqëruar me arrogancën e mos pranimit që ekziston një problem me këtë sistem të ri, formula klienteliste e arsimit të lartë bëhet edhe më e dëmshme për rininë. Këta të rinj – tha studentja – sot marrin rrugën e emigracionit për të gjetur atë çka shteti i tyre ua mohoi.
Ergys Muzhaqi ka edhe shkollim edhe trajnim. Pasi u diplomua në Turqi, oficeri i policisë mori formim pasuniversitar në Cambridge. Por kjo nuk ishte Policia që Rilindja donte – tha Muzhaqi – ndaj në 2013-ën e gjeta veten pa punë. Në Elbasan miqtë e tij, edhe ata afër PS-së e shohin shkarkimin e tij si të paprecedent.
Ata që jetojnë në fshat nuk kanë as luksin e ujit të pijshëm, si rrëfen edhe Besimi që jeton në Shushicë të Elbasanit. Edhe pse kanë ngritur zërin për këtë problem, babai i dy fëmijëve thotë se askujt nuk i intereson për ta.
Për të shkolluar fëmijët, prindërit detyrohen të punojnë me orare të tejzgjatura, të paguhen jashtë shtrëngimit ligjor të pagës minimale, që para pak ditësh nga 22 mijë, qeveria e rriti në 24 mijë lekë të reja.
Dëshmitare e pamundësisë së Kryeministrit për të rritur pagën minimale me dekret, ishte nëna e katër fëmijëve nga Elbasani, e cila pranoi të punonte në Gramsh, në mënyrë që të paguante kredinë që siguroi shkollimin e vajzës në Akademinë e Arteve. 9 mijë lekë të reja në muaj ishte paga, 1400 lekë prej të cilave zonja i shpenzonte për rrugën vajtje-ardhje nga Elbasani në Gramsh.
Albana Myrelini, në emër të komunitetit rom dhe Kasem Gurakuqi për fermerët elbasanllinj akuzuan qeverinë për mungesë investimesh.
Shqetësues për çdo qytetar të Elbasanit ishte inceneratori i inauguruar nga kryeministri Rama disa ditë më parë. Blendi Himçi, pedagog i universitetit Aleksandër Xhuvani, tregoi se si ky incenerator shkelte qartazi rregullat për largësinë e nevojshme nga vendet e banuara, si dhe kishte një kapacitet dy herë më të madh se sasia e plehrave që prodhon qarku i Elbasanit. Qeveria bëri shpalljen dhe mori vendimin për firmën fituese brenda 24 orëve. Firma, si tregon pedagogu Himçi, kishte zero eksperiencë në përpunimin e mbetjeve. Edhe lejen mjedisore e mori dy muaj pas marrëveshjes me shtetin shqiptar, për të menaxhuar deri në 120 ton plehra në një incenerator me 2000 gradë fuqi djegje nën standardin e lejuar në Bashkimin Europian.
Lulzim Basha i tha qytetarëve elbasanllinj, se pas punës me ta për projektin e tunelit të Kërrabës dhe autostradës, fatkeqsisht rotacioni politik i solli Elbasanit tejzgjatjen e punimeve si dhe gjithë shqiptarëve varfërimin.
“Katër vite dhe nuk e mbaruan rrugën që e gjetën pothuajse gati.
35 milionë dollarë për rrëshqitjen e rrugës së Elbasanit. Ky është çmimi që pagoi Edi Rama për t’i mbyllur gojën Ilir Metës. 35 milionë dollarë të shqiptarëve për ta ulur në karrigen e Presidentit dhe për t’i mbyllur gojën. Ky është pazari. Kjo është republika e vjetër”.
Qeverisja diskriminuese e Edi Ramës godet më të pamundurit dhe mes tyre ajo nuk zgjedh të majtë apo të djathtë.
“Kjo nuk është republika e qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është republika e të djathtëve. Nuk është republika e të majtëve. Kjo nuk është republika e gegëve, toskëve apo Shqipërisë qendrore. Kjo është republika e vjetër e krimit, korrupsionit, drogës dhe oligarkëve që majmen me paratë e popullit shqiptar”.
Lulzim Basha, jo pa përgjegjësi, akuzoi se sistemi elektoral i votuar në 2008-ën, ka larguar deputetët nga banorët e zonave që përfaqësojnë, gjë që në qeverisjen e Republikës së Re do të rishikohet bashkë me numrin e karrigeve në Parlament.
“Sot partitë vendosin kush ju përfaqëson ju. Prandaj ata nuk ju përfaqësojnë, sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve por ndaj kryetarit të partisë. Në Republikën e Re, ku nuk ka nevojë për 140 deputetë, nga të cilët 120-ve nuk u dëgjohet zëri asnjë ditë”.
100 deputetë – tha Basha – ku çdo deputet do të jetë në zonën e vetë elektorale, tek qytetarët dhe qytetaret për t’u përgjigjur vetëm para atyre.
Pazaret për hir të stabilitetit pa demokraci nuk janë në axhendën e Partisë Demokratike ndaj kauza për zgjedhje të lira nuk do të lejojë popullin të kthehet në alibinë e fasadës që po planifikon mazhoranca, tha kryetari Lulzim Basha.