Deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike në konferencën për shtyp për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Reformës në Drejtësi dhe zbatimit të Kushtetutës.
Duke ju falenderuar për praninë tuaj, duke ju uruar mirëseardhjen përsëri në selinë e opozitës, ju kam ftuar të bashkëbisedojmë për situatën lidhur me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Më lejoni ta përmbledh fare shkurt qëndrimin, pozicionin e Partisë Demokratike me tri fjalë:
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë
- 3/5-at e votave
- Veting
Këto janë përcaktime të prera kushtetuese, që nuk mund t’i ndryshojë dhe nuk mund t’i shkelë askush. Sot nuk kemi krizë të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por kemi krizë të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe bllokimit të qëllimshëm të Reformës në Drejtësi. Prandaj Kuvendi dhe të gjithë institucionet e tjera duhet të merren me zgjidhjen e kësaj krize kushtetuese dhe jo me sajesa dhe arnime antikushtetuese, pazare politike, në kurriz të Kushtetutës.
Dua të bëj një përmbledhje të gjendjes ku jemi, duke e nisur me një fakt botërisht të njohur nga ju dhe gjithe qytetarët shqiptarë.
Cilat ishin dy qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi?
Qëllimi i parë ishte pastrimi i drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të inkriminuar apo të paaftë përmes Vetingut, një frazë në anglisht që nuk ka shqiptar që nuk e di. Vetingu është procesi kushtetues i pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të inkriminuar apo të paaftë.
Qëllimi numër dy, pavarësia e drejtësisë nga politika. Pra pavarësia nga partitë politike që do të thotë ndalimi i emërimeve politike i gjyqtarëve dhe prokurorëve politikë në sistemin e drejtësisë për të krijuar institucione të pavarura nga politika të cilët administrojnë të gjithë sistemin e karrierës, promovimit, funksionimit, ndëshkimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Që këto dy parime, Vetingu dhe Pavarësia nga politika të ishin të paprekshme, të pandryshueshme, të patjetërsueshme nga asnjë politikan dhe nga asnjë forcë politike, u sanksionuan qëllimisht në Kushtetutë. Pra Reforma në Drejtësi u blindua në Kushtetutë me një qëllim, për t’u mbrojtur nga çdo sulm dhe goditje politike, nga kushdo që mund t’i prishej mendja pas konsensusit dhe votës unanime të 22 Korrikut me 140 vota të ndryshimeve kushtetuese. Kaq shumë u mishërua Reforma në Drejtësi në Kushtetutë, saqë është ndryshuar 1/3-ta e Kushtetutës në 22 Korrik.
Të zbatosh Reformën në Drejtësi, do të thotë të zbatosh Kushtetutën. Reformë në Drejtësi jashtë Kushtetutës nuk ka e nuk mund të ketë.
Tani dua t’ju lexoj dhe t’ju komentoj shkurt nenet kryesore të Kushtetutës në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do t’ju lutem që këto t’ia përcillni dhe t’ia shpjegoni qytetarëve si media, për të shpërndarë mjegullën e mashtrimit dhe gënjeshtrës që mbizotëron debatin politik këto ditë.
Neni 148, A pika 1 e Kushtetutës.
“Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”.
Pra ky nen përcakton shumicën, me të cilën Kuvendi duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm që është tri të pestat dhe institucionin që i propozon kandidaturat për prokuror. Ky është është Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Neni 148, A pika 2 sanksionon
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.”
Pra kjo pikë përcakton se është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që administron proçedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm dhe përcakton edhe parimet sesi KLP duhet t’i përzgjedhë këto kandidatura.
Neni 148 C , pika 2 sanksionon
:Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Ky nen përcakton diçka shumë të rëndësishme, përcakton institucionin që vendos se kur mbaron mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe ky institucion është Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe neni përcakton se është ky Këshill me vendimin, që merr, që konstaton mbarimin e mandatit.
Neni 148 /Ç sanksionon
“Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit”.
Çfarë do të thotë kjo? Përcakton se çdo prokuror përfshirë dhe Prokurorin e Përgjithshëm mund të emërohen vetëm pasi të kenë kaluar Vetingun.
Neni 179, pika 6 sanksionon
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.
Pra ky nen sanksionon se KLP duhet të ishte krijuar 8 muaj pas 10 Gushtit 2016, pra brenda 10 Prillit 2017”. Përcaktimi i këtij afati në Kushtetutë është bërë me qëllim.
Së pari, Kushtetuta qëllimisht ka zgjedhur që mos t’i lërë askujt hapësirë të zvarrisë krijimin e KLP-së dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Prandaj është vendosur afati.
Së dyti, Kushtetuta qëllimisht nuk le hapësirë për periudhë tranzitore. Me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjitshëm, duke vendosur afatin e fundit të krijimit të KLP-së në Prill 2017, pra i bie 8 muaj para se të mbarojë mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual.
Pra Kushtetuta nuk le asnjë hapësirë për periudhë tranzitore dhe institucione të përkohshme. Çdo institucion i papërfshirë në Kushtetutë, i përkohshëm apo tranzitor, i krijuar me çfarëdo ligji, është antikushtetues dhe nuk ka asnjë vlerë, zero vlerë, zero.
Ligji për Prokurorinë i kaluar në mënyrë tinzare, pa opozitën, dhunon rëndë Kushtetutën dhe është bërë në mënyrë konspirative për të sabotuar krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë për të sabotuar krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit dhe për të sajuar një Prokuror politik, pa Veting dhe të kapur nga 36 deputetë , pra gjysma e kuorumit të Kuvendit.
T’i përmbledhim dhe një herë argumentat.
KLP duhet të ishte lejuar tetë muaj më parë. Vetëm KLP mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me mandatin e kryeprokurorit, Vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të administrojë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm.
Kuvendi ka vetëm një rol në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, të votojë një nga tre kandidaturat që dërgon KLP. Dhe vetëm nëse njëri prej tyre merr të paktën 84 vota, zgjidhet kryeprokurori. Nëse Kuvendi nuk arrin këtë konsensus qëk deri në Shtator ishte me dy të tretat, duke qenë se mazhoranca e kaluar i kishte tre të pestat, pra, nëse Kuvendi nuk arrin konsensusin mazhorancë opozitë, atëherë Kushtetuta ia heq të drejtën Kuvendit, dhe ia kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas renditjes së tij.
Kandidatët duhet të kenë kaluar Vetingun, nuk ka kandidatë për Prokuror që s’ka kaluar Vetingun. Dhe mbi të gjitha Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë që të ketë institucione të përkohshme apo tranzitore në lidhje me Prokurorin e Përgjitshëm. Zero mundësi, zero hapësirë.
Këto janë faktet dhe në përfundim të këtyre fakteve dua të theksoj dhe diçka po kaq flagrante që ka të bëjë jo vetëm dhe thjesht me Prokurorin e Përgjitshëm, por me bllokimin antikushtetues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që sjell si pasojë bllokimin apo pengimin e krijimit të SPAK, siç është Prokuroria e Pavarur Speciale e luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe bllokon, po kështu, krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit si instrument i SPAK-un për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ju kujtoj që Byroja e Hetimit dhe SPAKU dhe është i vetmi ligj që Partia Demokratike votoi nga shtatë ligjet e zbatimit të reformës në drejtësi pas insistimit tonë dhe partnerëve për ta sjellë atë në parametrat e Kushtetutës të miratuar në 22 Korrik.
Këto janë faktet për Prokurorin e Përgjithshëm. Gjithçka tjetër është propagandë, është gënjeshtër, iluzion, është antikushtetutës, është antireformë
Pyetje-Përgjigje
Klan: Zoti Basha, në kushtet kur maxhoranca ka thirrur sot kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, cili do të jetë hapi i rradhës që do të ndërmarrë Partia Demokratike? Do ta godasë këtë vendimarrje të Parlamëntit në Gjykatën Kushtetuese?
Basha: Dua të theksoj se një mandat i siguruar në shkelje të Kushtetutës, është nul, është i pavlefshëm. Çdo person juridik me mandat të marrë në shkelje ligjore, është prapë nul. Pra, ky është fillimi i një rruge antikushtetueshmërie. Ne do të bëjmë atë që do të bënte çdo opozitë në kushte të tilla. Do të ndërmarrim çdo hap institucional dhe ligjor. Do të vetëdijësojmë partnerët dhe qytetarët shqiptarë për këtë puç kushtetues, do të denoncojmë, do të protestojmë. Ne nuk do të pranojmë kurrë një shkelje flagrante të Kushtetutës, me qellimin e vetëm për të emëruar Edi Ramën, përveçse kryeministër me vota të vjedhura, edhe kryeprokuror në shkelje të Kushtetutës me një qëllim-mbylljen e dosjeve të krimit dhe korrupsionit dhe zhytjen e Shqipërisë edhe më thellë në rekordet e zeza të narkoshtetit. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë! Përtej aksionit politik, që ne do ta shpalosim hap pas hapi, duke mirëkuptuar edhe kuriozitetin tuaj, është shumë e rëndësishme që ju të përcillni gravitetin, seriozitetin e gjendjes kritike ku ndodhet vendi. Është dhunuar Kushtetuta. Vetë hapat që ka ndërmarrë Komisioni i Ligjeve deri më sot, janë në dhunim të hapur të Kushtetutës. Po krijohen institucione antikushtetuese nga Edi Rama. Kjo situatë, natyrisht, prek çdo qytetar, sepse një prokuror politik do të mbrojë dhe nuk do të luftojë politikanët e inkriminuar, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Besoj se, në dritën e fakteve që kanë dalë deri më sot dhe janë lajmëruar nga mediat që do të dalin, është e qartë se çfarë katastrofe është për një shoqëri, për një komb, kur një drejtues i lartë i shtetit, është i kapur nga krimi, siç është rasti i Saimir Tahirit. Imagjinoni të kapet kryeprokurori nga krimi, nga narkoshteti, nga korrupsioni! Imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët! E vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë është ndjekja e Kushtetutës. Pa paragjykuar askënd, zotëri apo zonjë, duhet të kalojë vettingun dhe të ndjekë procedurën kushtteuese të propozimit nga KLP dhe të miratimit maxhorancë-opozitë me 3/5-at. Nëse ky konsnesus, nuk gjendet, atëherë Kushtetuta e ka dhënë qartë zgjidhjen përmes renditjes që Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën.
Klan: Keni një koment lidhur me deklaratat e Ambasadorit amerikan Donald Lu?
Basha: Nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë ambasadorët e huaj. Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik, kushdoqoftë, t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën apo t’i kërkojë Kuvendit që të mos bëhet vettingu i Prokurorit të Përgjithshëm, sepse kjo do të ishte jo vetëm pa sens, por do të ishte një thikë në shpinë të reformës në drejtësi, për të cilën kanë kontribuar në veçanti, të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar.
Ora News: Zoti Basha, ju bëtë një interpretim të Kushtetutës dhe jam i sigurtë që edhe pala tjetër e ka bërë interpretimin e Kushtetutës, madje ka hedhur edhe hapat e mëtejshëm duke bërë një seancë dëgjimore me kandidatët. Për të sqaruar pak më mirë qëndrimin e Partisë Demokratike. Ju thoni duhet ndjekur Kushtetuta, deputetët e PD-së në komisionin e Ligjeve propozuan ndryshimin e Kushtetutës në nenet tranzitore, pasi KLP, siç thotë Kushtetuta, nuk është krijuar ende. Propozimin për dialog nga Kryeministri e keni refuzuar edhe publikisht. Ju para pak minutash pranuat qe Adriatik LLallës i ka mbaruar mandati. KLP nuk është krijuar, propozim për ndryshim Kushtetute, vendi nuk ka një prokuror. Sipas qëndrimit të PD duhet të ketë një pasues të Llallës në këto momente? Duhet të qëndrojë Llalla në detyrë? Si do të gjendet një zgjidhje? A duhet të ketë një kryeprokuror të ri tani?
Basha: Natyrisht që vendi duhet të ketë kryeprokuror në kuptimin e parimit të vazhdimësisë së institucioneve. Siç është konstatuar nga të gjithë ekspertët, sa kohë një kryeprokuror i ri nuk është zgjedhur apo emëruar, kryeprokurori në detyrë do të vazhdojë ta mbajë detyrën, përndryshe, ai vetë konsumon një vepër penale, nëse e lë detyrën dhe lë vendin pa kryeprokuror. Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë formimin sa më shpejtë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë! Kush e ka mbajtur peng formimin e KLP-së? E para, ju e dini fare mirë se ekziston një instrument, i cili është tërësisht nën kontrollin politik të Edi Ramës për të kanalizuar të ashtuquajturat kandidatura të shoqërisë civile. Është pikërisht dështimi i procesit të kandidaturave të shoqërisë civile, që ka mbajtur peng formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përgjegjësia për formimin e KLP është tërësisht e Edi Ramës. E dyta, ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se kjo është e qëllimshme. Arsyeja më kryesore është sesi ka mundësi që një vit e gjysmë përpara se të ndodhte kjo, në shtator 2016, Edi Rama, fshehtasi, në mënyrë tinzare ka parashikuar në një ligj diçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën, Prokuror të Përkohshëm, mosformimin e KLP-së. Ne besojmë se ekzistojnë të gjitha rrethanat se dështimi i formimit të KLP-së ka qenë një projekt politik i Edi Ramës, që të jetë në gjendje të diktojë një prokuror të ashtuquajtur të Përkohshëm vetëm me votat e tij. Qëllimi është për të mbrojtur nga akuza Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, oficerët e lartë të policisë, në kërkim, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn dhe veten e tij. Zgjidhja mund të vijë vetëm përmes Kushtetutës. Dhe për një zgjidhje përmes Kushtetutës, Partia Demokratike, siç e theksuat edhe ju, siç e kanë bërë të qartë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komision, ka qenë dhe mbetet gjithmonë e gatshme. Ajo për të cilën unë nuk mund të jem kurrë dakord është për një pazar politik, me qëllim nxjerrjen e një emri nga kapelja e politikës, si lepurin nga kapelja, që do të thotë një ftesë drejtuar Partisë Demokratike për të shkelur kushtetutën, një ftesë drejtuar mua për të shkelur Kushtetutën. Kjo ftesë do të ketë, siç ka patur deri më sot, një JO të prerë dhe një paralajmërim të fortë Edi Ramës për të ndalur menjëherë procesin antikushtetues që ka vënë në lëvizje dhe për t’iu rikthyer Kushtetutës. Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës.
News 24: Z. Basha, ka pasur disa ftesa nga ana e kryeministrit Rama për dialog dhe që është refuzuar. Duam të dimë, të paktën, ka pasur komunikim në nivel zyrtarësh të lartë mes mazhorancës dhe opozitës gjatë kësaj kohe që edhe kryeministri ka bërë ftesa publike për dialog, qoftë edhe personalisht mes jush dhe z. Rama. Dua t’ju kujtoj ju keni bërë një marrëveshje më parë me Edi Ramën. Përse hezitoni edhe një herë, qoftë për të gjetur edhe një zgjidhje për krijimin e KLP-së?
Basha: Së pari, komunikimi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është zhvilluar në mënyrë institucionale në Komisionin e Ligjeve dhe në asnjë çast ne nuk kemi përjashtuar rolin tonë për të zhbllokuar Reformën në Drejtësi përmes zbatimit së Kushtetutës. Gjithçka duhet të kalojë përmes Kushtetutës! Jashtë Kushtetutës nuk ka dhe nuk mund të ketë, as dialog, as pazar, as marrëveshje. Sepse marrëveshja jashtë Kushtetutës, është marrëveshje kundërkushtetutese. Dhe shkelja e Kushtetutës është vepra më e rëndë që një apo dy politikanë mund të kryejnë gjatë shërbimit të tyre publik. Thirrja ime Edi Ramës, është të tërhiqet menjëherë nga shkelja e Kushtetutës, që ka vënë në lëvizje, përmes angazhimit antikushtetues së Komisionit të Ligjeve dhe rikthimi dhe gërma e Kushtetutës dhe për këtë nuk ka nevojë as për shfaqje, as për ceremonira, as për facebook, as për tryeza, ka nevojë për një vetëdijësim, sepse ajo që kemi votuar me 140 vota më 22 korrik 2016, Reforma në Drejtësi, është këtu, është në Kushtetutë. 1/3 e Kushtetutës ka ndryshuar për Reformën në Drejtësi dhe se nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi jashtë Kushtetutës. Dhe se nuk mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm pa veting. Nuk mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm të emëruar nga një parti politike, apo nga një kryeministër.
TVSH: Mediat kanë informacion që po lobon Vangjush Dako për zgjedhjen e Prokurorit të ri, njeri i akuzuar nga ju për afera korruptive. Keni të dhëna për këtë?
Basha: Për këtë proçes antikushtetutes, që sapo ka nisur ashtu siç e cekët ju, për çdo kandidaturë, po përmendjn edhe padronët apo sponsorizuesit, apo siç i quajtët ju, lobuesit. Unë nuk preferoj të hyj në këtë valle dhe nuk preferoj të paragjykoj asnjë prokuror, asnjë gjyqtar, sepse unë dhe Partia Demokratike e kemi proçedurën se kush është i denjë për t’u propozuar dhe kush jo. Është proçedura e vetingut. E vendos vetingu se kush mund të propozohet! Dhe e vendos vetingu se të propozuarit zgjidhen nga Kuvendi me 3/5-at apo në rast të mungesës së konsensusit emërohen sipas renditjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dhe konsensusi që Edi Rama kërkon, është këtu, është në Kushtetutë. Kemi rënë dakort, e kemi bërë paktin, ky është pakti. Pakti i 22 korrikut është pakti për Reformën në Drejtësi. Çfarë tjetër kërkon? Kërkon të shkelë Kushtetutën? Kërkon të shkelë Reformën në Drejtësi? Prandaj kërkon pakt, që unë të bëhem me të bashkë, për të shkelur Kushtetutën dhe Reformën në Drejtësi? Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë! Kurrë! Nëse ai e bën, i vetëm ai do të ketë përgjigjen e merituar nga opozita, dhe jam i bindur, edhe nga qytetarët.
ABC News: Z. Basha, ju flisni për hapa institucionalë që opozita duhet të ndërmarrë ndërkohë që pasdite sot do të flitet për kandidatët dhe një nga këta hapa institucionalë, mesa kemi mësuar ne, është mungesa në Komisione i anëtarëve të Partisë Demokratike. Ky ligj për KLGJ-në dhe KLP-në, faktikisht, është një nga ligjet që opozita i ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese, hap tjetër institucional që, faktikisht, nuk funksionoi. Cilat mund të jenë hapat institucionalë në momentin që, siç thoni ju, mund të shkelet Kushtetuta duke zgjedhur një Prokuror i Përkohshëm me shumicë të thjeshtë? Si mund të ketë një hap institucional në momentin që shkelet Kushtetuta, çfarë mund të ndërmarrë opozita institucionalisht për të bërë një opozitë?
Basha: Siç e cekët edhe vetë, detyra e opozitës është që të mos bëhet pjesë e një veprimi antikushtetutes si ai që po konsumon Komisioni i Ligjeve me urdhër të Edi Ramës. Natyrisht ka edhe hapa të tjerë, por siç ju thashë, duke mirëkuptuar kuriozitetin tuaj, për scoop-in se çfarë do të bëjë opozita institucionalisht dhe politikisht, dua edhe një herë t’u përcjell qytetarëve dhe publikut, gjendjen e rëndë dhe kritike ku gjendet vendi. Jemi në prag të një puçi kushtetutes. Me një qëllim që Edi Rama të emërojë, apo të zaptojë kryeprokurorin e vendit, kur është në kulmin e akuzave publike dhe ligjore nga organi i akuzës dhe nga organet e akuzës në vendet fqinje për përfshirjen e eksponentëve më të lartë të partisë dhe qeverisë së tij në veprimtari kriminale, në trafikun e drogës dhe të armëve dhe në afera të tmerrshme korruptive. Dhe nëse vendos ta konsumojë këtë shkelje kushtetuese, nuk janë vetëm hapat institucionalë që opozita ka për detyrë dhe do t’i hedhë, por mbi të gjitha janë hapat politikë që na lindin ne si opozitë si detyrë, por që i lindin si detyrë çdo qytetari, sepse kjo pastaj është çështje e çdo qytetari, jo vetëm i opozitës.
Vizion Plus: Zoti Basha, SHBA dhe BE kanë të njëjtin qëndrim. Pro një prokurori të përkohshëm. Kërkojnë të shkelin Kushtetutën?
Basha: Ju i referoheni opinionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it…
Vizion Plus: I referohem Ambasadës amerikane dhe të BE-së, por EURALIUS-it dhe OPDAT-it.
Basha: Nëse i referoheni thirrjeve për zbatimin e Kushtetutës këto janë edhe thirrjet tona. Të zbatohet Kushtetuta! Nëse i referoheni opinionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, nuk ka asnjë vlerë, sepse ata nuk kanë asnjë tagër të interpretojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje. Kërkesa që është bërë nga Ulsi Manja, në mënyrë private dhe të fshehtë, nuk është e qartë se mbi ç’bazë ligjore ka marrë përsipër EURALIUS dhe OPDAT të sjellin opinionin e tyre, por di t’ju them se deputetët demokratë e morën vesh këtë, kur u rrodh në media. Në këtë kuptim Ulsi Manja, mund të keqpërdorë firmën dhe vulën e Komisionit të Ligjeve, por nuk mundet në asnjë mënyrë ta legjitimojë këtë si një akt që hyn në sistemin Kushtetutes të Shqipërisë, që është pa asnjë vlerë ligjore. E vetmja vlerë ligjore në intepretimin e normave që zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm, qëndron këtu, në Kushtetutën e Shqipërisë. Të tjerat janë pa pikë vlere! Zero vlerë!
Vizion Plus: Partia Demokratike kërkon që Adriatik Llalla të rrijë në detyrë, 2, 3, 6 muaj derisa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
Basha: Partia Demokratike kërkon zbatimin e Kushtetutës që Prokurori i ri të emërohet vetëm sipas Kushtetutës, me 3/5-at e votave siç parashikon Kushtetuta, siç jua lexova, dhe vetëm pasi të ketë kaluar vetingun.
News 24 : Zoti Basha, ju mendoni se SHBA dhe BE duan të mbyllin dosjen e krimit, mqse kanë një qëndrim për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm.
Basha: E bëra fare të qartë dhe dua ta përsëris. Thirrjet për të zbatuar Kushtetutën nga kushdo që vjen, janë jo vetëm të mirëpritura, por unison me qëndrimin e opozitës. Sikundër nuk mund të ketë kurrësesi ndonjë institucion ndërkombëtar i cili të kërkojë dhunimin e Kushtetutës, ku mishërohet, Reforma në Drejtësi, pas 2 vjet e gjysëm përpjekjesh të faktorit ndërkombëtar, të opozitës, të Komisionit të Venecias. Ja ku është Reforma në Drejtësi dhe nuk mund t’i shkojë kurrë në mendje asnjë përfaqësuesi ndërkombëtar, t’i kërkojë shqiptarëve, apo faktorëve politikë, apo opozitës, të shkelin mbi konsensusin e 22 korrikut. Kjo për mua është e paimagjinueshme.
News 24: Por të majtët kërkojnë një Prokuror të Përkohshëm.
Basha: Ky është interpretimi juaj. Për mua është e paimagjinueshme që ne të na kërkohet shkelja e Kushtetutës. Dhe përgjigja nëse do të na kërkohej, do të ishte e thjeshtë dhe e qartë.
Ju faleminderit!