Partia Demokratike përkujtoi dhe nderoi sot 27 vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, guximin e të rinjve shqiptarë, që nisën lëvizjen për rrëzimin e diktaturës komuniste. Nën organizimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në të njëjtën sallë ku 27 vite më parë mori jetë lëvizja studentore, të rinjtë demokratë, ish protagonistë të atyre ditëve, drejtues dhe anëtarë të lëvizjes Dhjetor ’90, folën për rëndësinë e kësaj ngjarje në historinë politike të shqiptarëve.

Nën moton “Të ndërtojmë të ardhmen duke mos harruar të shkuarën”, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi shprehu mirënjohjen për të rinjtë e Dhjetorit 90, duke ftuar të rinjtë e PD-së t’i përqafojnë si model.

“Jemi mbledhur sot në Qytet Studenti, këtu ku nisi gjithçka, pikërisht në tempullin e lirisë për të kujtuar guximin e jashtëzakonshëm të atyre të Dhjetorit 90 të cilëve ne duhet t’i përulemi përjetë me mirënjohje pasi prej tyre jetojmë sot në një sistem demokratik. Na takon ne të rinjve demokratë dhe Partisë Demokratike që në ballë të aksionit politik, duke pasur rininë, duke pasur qytetarët e lirë të këtij vendi, duke pasur ish të përdjekurit dhe pronarët, t’i rikthejmë shpresën e humbur këtij vendi, shpresën e humbur të rinisë shqiptare”, tha Këlliçi.

Në këtë përkujtim morën pjesë shumë prej protagonistëve si Preç Zogaj, Besnik Mustafaj etj, ndërsa Arben Sulo, ish-student i Dhjetorit, foli për simbolikën dhe rëndësinë e 8 Dhjetorit 1990. “Nuk jemi shenjtorë, të gjithë jemi egoistë apo ambiciozë, por në shpirtin demokrat nuk na e vret dot askush sepse duhet të jemi krenarë për ç’ka jemi dhe nga vijmë. Fjala komunist është një fyerje për socialistët, por fjala demokratë është një fjalë që jep vlera dhe ata vetë mundohen ta përdorin dhe të na marrin simbolin e dy gishtave“, tha profesor Sulo.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha e vlerësoi si privilegj kremtimin e Ditës së Rinisë që është dita e revolucionit demokratik paqësor, më e rëndësishmja në historinë e lirisë. Ai tha se kjo ditë është ditë frymëzimi pasi të rinjtë u përballën me diktaturën më mizore dhe shndërruan Qytetin Studenti në kështjellën e Lirisë.

“Mesazhi i madh i 8 Dhjetorit është guximi. Fitojnë ata që guxojnë! Përveç viteve të diktaturës, nuk kemi qënë në gjendjen që jemi sot. Por po ndërtohet narkoshteti përderisa ministri i Brendshëm merret me trafiqe, ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministry ai është vetë i implikuar. Edi Rama është i implikuar, përderisa është Olsi Rama, Saimir Tahiri, janë të implikuar. Kush është zgjidhja?! Zgjidhja është guximi i rinisë, guximi dhe trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm dhe ju garantoj ju se jeni dhjetëra herë më shumë se kjo sallë por vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk kishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën por e gjunjëzuan. A meritoni ju që të shiheni kudo si të rinjtë e Kanabistanit?! A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine ti shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj kryesorë në botë?! A meritoni ju që ligjin të mos e bëjë drejtësia, por ta bëjë kanabisi?! Nuk meritojnë të paguajnë studimet 4 herë më shumë se të rinjtë e Europës. Në vendet e Europës, tarifat e studentëve kanë përmbysur qeveritë e Europës dhe e kanë merituar.  Historia e Shqipërisë duhet të jetë përmbysja e narkoshtetit, e përmbysjes së Edi Ramës dhe klikës së tij”, tha Berisha.

Kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Walter Gloss tha se Dhjetori 90 solli hapjen e vendit drejt demokracisë që shumë pak e besonin. “Rruga drejt një demokracie, Shqipëria ka nevojë për dialog politik dhe axhendë të përbashket. Duhen politikanë vizionarë. Për këtë na duhet një opozitë e fortë dhe PD e bashkuar. Ne do ta mbështesim PD-në si një alternativë qeverisëse për të fituar zgjedhjet”, tha Gloss.

Patrick Voller, Sekretari i Çështjeve të Jashtme në EPP, shprehu mbështetjen e së djathtës europiane për Partinë Demokratike. “Ishte PD qe gjatë kohës në qeveri futi shqipërinë në NATO nga kryeministri i atëhershëmn Sali Berisha. Kërkojmë nga politikanët që të dëgjohet opozita dhe të përfshihet plotësisht, jo të përjashtohet”, tha Voller.

8 Dhjetori u nderua me pjesëmarrjen e krerëve të së djathtës europiane dhe botërore.

“Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Krimi, korrupsioni, trafiku i drogës po vjedh shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen e të rinjve. Në këtë ditë të rëndësishme dua t’ju them se Europa është me ju, unë jam me ju dhe ne jemi përkrah jush për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për një Shqipëri europiane, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Andrianos Giannou, President i të Rinjve të Partive Popullore Europiane.

Kryetari i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë, Bashir Wardini uroi që demokratët të vijnë sa më shpejt në qeverisje për të ndryshuar Shqipërinë. “8 Dhjetori 1990 është një ditë shumë e rëndësishme për historinë tuaj dita në të cilën rinia marshoi në protesta për të rrëzuar sistemin tiranik të korruptuar komunist në Shqipëri dhe për të sjellë demokracinë në vendin tuaj”, tha Wardini.

Kryetari i DEMYC, komunitetit të të rinjve demokratë konservatorë të Europës, Javier Hurtado Mira shprehu shqetësimin e rrënimit të lirisë dhe isntitucioneve gjatë qeverisjes së socialisteve. “Unë jam tejmase i shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e qeverisë socialiste, lidhjet e saj me trafikimin e drogës, lidhjet e saj me krimin dhe blerjen e votës së qytetarëve në zgjedhje. Si brez i ri, ne jemi të dedikuar dhe kemi deshirë që një ditë Shqipëria, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane”, tha Mira.

Presidenti i Studentëve të Partive Popullore Europiane, Virgilo Falco tha se të rinjtë europianë do të jenë pranë atyre shqiptarë për të kaluar këto ditë të vështira. “Kam ndjerë keqardhje pasi Belindi më ka informuar se shumë të rinj të talentuar e kanë të pamundur të ndjekin studimet për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe në Shqipëri, si pasojë e krimit dhe korrupsionit që kontrollon vendin. Por jam i bindur që studentet sot, si ata të viteve ‘90  do të arrijnë të marrin në dorë fatin e vendit të tyre”, tha Falco.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohje për të rinjtë shqiptarë që 27 vite më parë nisën rrugën e lirisë. “8 Dhjetori 1990, dita kur kurajo triumfoi mbi frikën, kur dëshira për liri triumfoi mbi dhunën robëruese të diktaturës.  Nga kurajo e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre  Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, të fjalës, lirinë politike, te besimit, lirinë e lëvizjes. Liria politike në themel të dinjitetit njerëzor. Në një shoqëri ku qytetaret nuk kanë ndikim mbi mënyrën si qeverisen, nuk mund të ketë dinjitet njerëzor.  8 Dhjetori është dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur”, tha Basha.

Lideri demokrak tha se “Shqipëria ka bërë shumë përpara që prej Dhjetorit ‘90. “Por edhe shumë gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan, shumë të tjera qenë më të vështirë seç i menduam. 27 vjet pas rënies së komunizmit liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara. shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur”, tha Basha.

 

Ai tha se “vendi ka nevojë sërish për forcën e të rinjve, por edhe për kurajon e dhjetoristëve dhe të gjithë shqiptarëve”. “Në vend që në Shqipëri të flitet për politika moderne, biznese te reja, flitet për për pastrim të parlamentit nga kriminelët, për banda trafikantësh, për pastrim parash.  Në 90-en regjimi përdori dhunën e ideologjisë, në 2017 po përdoret krimi ordiner për të dhunuar liritë e shqiptarëve, duke i detyruar të braktisin vendin.  Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë gjatë ketyre tre dekadave për forcën, idealizmin, kurajën e dhjetoristëve”, tha Basha.

Kreu i demokratëve tha se bashkë do të përballemi me këtë të keqe dhe së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë.

“Shqipëria gjendet përsëri në një udhëkryq mes politikes se kriminalizuar dhe vlerave të lirisë.  Edhe një herë , kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e cdo shqiptari janë nga ju. Mos kini asnjë dyshim në forcën tuaj dhe në aftësinë tiaj! Nuk ka regjim, nuk ka qeveri që mund t’u bëjë ballë 1 qind, 1 mijë, 10 mijë të rinjve të vendosur e të bërë bashkë për liri, për drejtësi, për mundësi. Të rinjve qe duan te ikin u bej thirrje te qendrojne, te mos ikin! Te  përballemi, të luftojmë dhe të fitojme mbi te keqen!  Bashkë do të ndryshojmë Shqipërinë”, tha Basha.

Kreu i FRPD-së, së bashku me kryetarin Basha, z Berisha, z Gloss dhe z Voller shpërndanë 27 karta anëtarësimi për të rinjtë në simbol të 27 viteve të Lëvizjes së Dhjetorit.

Të pranishmit zhvilluan homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit në qytet Studenti, atje ku 27 vite më parë nisi rrugëtimi i lirisë së shqiptarëve. Kreu demokrat Basha shprehu besimin se e mira do të triumfojë  dhe e keqja do të mposhtet.  ​