Komunikimi pas takimit të aleatëve opozitarë në Partinë Demokratike

  • Lajmet nga i gjithë vendi flasin për një pjesëmarrje gjigande në protestën e nesërme, pa dallime partiake.
  • Për shqiptarët nuk ka më dyshim se Edi Rama e ka vendosur ekonominë dhe drejtësinë në shërbim të banditëve.
  • Bashkë me familjet tona do të japim mesazhin e shumicës së shqiptarëve të ndershëm se nuk e pranojnë më realitetin e banditëve në qeveri.
  • Protesta e nesërme do të jetë një ndër protestat më paqësore dhe madhështore që ka bërë ndonjëherë opozita në Shqipëri.
  • Skenarët me dhunë janë “fake news” që Edi Rama shpërndan dhe që shprehin panikun e kriminelëve në pushtet.

Komunikimi i plotë me gazetarët pas takimit të aleatëve opozitarë në selinë e Partisë Demokratike. 

Basha: Kemi rakorduar me aleatët parlamentarë të gjitha detajet për ditën e nesërme, sa i takon organizimit politik. Jemi në përditësim të lajmeve nga të gjitha anët e vendit, nga Tirana, të cilat flasin për një pjesëmarrje gjigande, rekord në protestën e nesërme.

Sot ka një marrëdhënie të re, të ndryshme, nga gjashtë muaj më parë, midis pushtetit dhe qytetarëve. Shumica dërrmuese e qytetarëve, nuk kanë më asnjë dyshim se ky pushtet është i kapur nga banditët dhe dhe është në funksion të banditëve.

Ka vendosur ekonominë dhe drejtësinë në funksion të mbrojtjes së banditëve dhe kriminelëve. Dhe, kjo është arsyeja e të gjithë halleve dhe padrejtësive që përjetojnë familjet e shqiptarëve, pavarësisht prej bindjeve të ndryshme politike.

Kjo është edhe arsyeja se përse nesër në sheshin e protestës, do të derdhen me qindra mijëra shqiptarë, demokratë, socialistë të bindjeve të ndryshme politike për t’u bashkuar në një protestë qytetare dhe popullore, e cila paralajmëron dhe shpall këtë raport të ri të shumicës dërrmuese të qytetarëve, të vendosur për të çliruar Shqipërinë, drejtësinë, qeverinë dhe ekonominë nga krimi dhe një pakice pushtetarësh të inkriminuar  e të korruptuar, të cilët kanë blerë pushtetin e tyre në zgjedhjeve të 25 Qershorit dhe që janë sot pengesa kryesore për Shqipërinë europiane, për vendet e punës, për ndaljen e hemoragjisë së emigrimit, për shkollat dhe institucionet e shëndetësisë të cilat janë në kolaps, për të ardhmen e rinisë studentore, për punësimin e të rinjve dhe të gjithë të papunëve, për shpresën dhe besimin e shqiptarëve për një të nesërme më e mirë.

Ne të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë, nuk do të jetë as spektakël, do të jetë një protestë madhështore popullore që do të japë këtë mesazh: Do të shpallë që shumica e shqiptarëve të ndershëm nuk e pranojnë më realitetin e banditëve në qeveri. Banditët e kanë vendin para drejtësisë, e kanë vendin në burg dhe kjo është dhe pengesa kryesore që duhet hequr për Shqipërinë europiane me një ekonomi të zhvilluar, me vende pune dhe me mundësi dinjitet dhe liri për çdo shqiptare e çdo shqiptar.

Ndaj ejani të gjithë, mos rrini në shtëpi duke mallkuar, mos rrini gojëkyçur e të heshtur para padrejtësive që ju bëhen. Dita e nesërme është dita e shpalljes së bashkimit më të madh të shqiptarëve të ndershëm. Është  dita e shpalljes një herë e mirë e këtij raporti të shumicës dërrmuese të qytetarëve përballë një pakice e cila nuk ka rrugë tjetër përveçse të hapë rrugën, të mos jetë më pengesë, të largohet dhe përmes një qeverie antimafia, t’i japë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, t’i japë shqiptarëve, një qeveri të çliruar nga krimi, një drejtësi të çliruar nga krimi, një ekonomi të çliruar nga krimi, shëndetësi, arsim dhe shërbim për të gjithë!

Pyetje: Znj. Kryemadhi, Policia thotë se ka informacione që mbështetës të LSI-së do të bëjnë dhunë më 27 janar. Si është e vërteta?

Kryemadhi: Kjo është frika e Edi Ramës. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, sidomos vajzave dhe grave, madje edhe ju gazetarëve, që të jeni prezentë për të protestuar për fyerjen e madhe që Rama i ka bërë medias shqiptare, duke u quajtur kazan. Prezentë të jenë të gjithë ata shqiptarë për faktin që kjo qeveri po krijon një eksod të paparë  të rinisë shqiptare drejt vendeve të tjera.

Prezentë të jenë me familjarët dhe fëmijët e tyre sepse nuk ka për të pasur asnjë dhunë në protestë. E vetmja dhunë mund të jetë nga provokatorët e Edi Ramës. Dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mbajnë telefonat me vete, të filmojnë çdo provokator, të jenë të kujdesshëm.

Dhe ne nga ana jonë do të marrim masa për të mos rënë pre e provokimeve, të punonjësve civil të Policisë së Shtetit.  I bëj thirrje ministrit të Brendshëm, Xhafaj, të jetë i kujdesshëm me deklaratat që lëshon policia se do të ketë probleme, do përballet jo me përfaqësuesit e LSI por me realitetin e dhimbshëm dhe ët hidhur që po kalojnë shqiptarët. Protesta e nesërme do të jetë një ndër protestat më paqësore por do të jetë një nga protestat më madhështore që ka bërë ndonjëherë opozita në Shqipëri. Do të marrin pjesë jo vetëm shqiptarë por edhe ata ndërkombëtarë që janë të martuar me shqiptarë, edhe ata të huaj që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri sepse do të protestojnë kundër taksidarëve të Edi Ramës dhe gjobave të Edi Ramës dhe gjobave të kriminelëve kundër bizneseve të huaja. Do të protestojnë sepse duan të jetojnë ën Shqipëri ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë.

Ndaj mos kini frikë. Do të protestë shumë e bukur. Edhe Zoti e ka bekuar protestën e ditës së nesërme me këtë kohë kaq të bukur. Dhe të jeni të bindur që kur Zoti është me opozitën sigurisht që do të jetë edhe më të gjithë shqiptarët.

Pyetje: Çfarë do të ndodhë me 28 janar?

Basha: Tani edhe një herë për 27 janarin. Të rrimë tek 27-a.

Kryemadhi: Do ta vendosi populli 28-ën, nuk do ta vendosim ne.

Basha: Dua të theksoj edhe një herë këtë që tha znj. Kryemadhi që ne do të jemi në protestë me familjarët dhe çdo gjë informacion apo fake news që shpërndahet për një skenar ndryshe të një proteste, shpreh panikun dhe përpëlitjet e fundit të kriminelëve në pushtet dhe interesave të kriminelëve që mbron pushteti i korruptuar i Edi Ramës.

Mund ta them me gojën plot që paniku është i justifikuar për arsyen e vetme, sepse nesër do të marrë formë dhe do të ketë konturet më të qarta për t’u parë për çdo faktor politik vendas dhe të huaj bashkimi i madh i shqiptarëve për ndryshim, pavarësisht prej gjërave që na ndajnë.

Ne jemi të gjithë të bashkuar këtu në dëshirën për ndryshim. Vendi nuk mund të vazhdojë kështu. Na bashkon e ardhmja, shpresa që nuk vdes kurrë, besimi për një të nesërme më të mirë dhe mbi të gjitha dëshira për ndryshim. Shqiptarët e kanë kuptuar, kështu nuk vazhdohet më. Dhe nesër bashkimi i madh i shqiptarëve në këtë protestë do të jetë sinjali më i qartë se kështu nuk do të vazhdohet më, se balanca është zhvendosur përfundimisht në krahun e së mirës, në krahun e shqiptarëve të ndershëm, se nuk ka forcë kriminale, korruptive, banditë të veshur me portofole ministrore apo deputetësh, apo me funksione të tjera zyrtare të cilët mund të mbajnë më peng Shqipërinë, ekonominë e saj, fëmijët e saj, të ardhmen e saj europiane. Ky do të jetë mesazhi i protestës. Ejani të gjithë! Secili ka hallin, padrejtësinë e vet. Të gjithë bashkohemi në domosdoshmërinë për ndryshim. Dhe nesër do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve për të shpallur nisjen e këtij ndryshimi.

Mirë se vini nesër në orën 12:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!

Faleminderit!