Deputetët demokratë në takimin me delegacionin e Komisionit të Marrëdhënieve me Europën të Asamblesë Portugese, vunë theksin në shkeljen e rëndë të Kushtetutës të votimit nga mazhoranca, pa ngirtjen e KLP-së dhe pa vetting, i Prokurorit të Përgjithshëm.
“Reforma në Drejtësi që shpresojmë të japë rezultat, po kompromentohet nga veprime jo kushtetuese, siç ishte rasti i Prokurorit te Përgjithshëm. Nga Progres-Raporti i Komisionit Europian, citohej që duhej të ngrihej Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili në realitet nuk u ngrit, dhe Prokurori i Përgjithshëm u votua vetëm nga votat e maxhorancës”, kanë deklaruar deputetët e djathtë.
Ata vunë në dukje çështjen “Tahiri”, si ish-ministrin që e ktheu vendin në kultivuese të drogës.
“Ka sinjale pozitive nga Komisioni Europian të cilët i kërkojnë qeverisë të hedhë hapat e duhur në mënyrë që të kemi zhvillime pozitive në mesin e vitit 2018. Por, fatkeqësisht shohim se qeveria nuk po bën çfarë nevojitet për politikanët dhe zyrtarët që e shndërruan vendin në kanabistan në 2016-ën, Ministri Tahiri që ishte në vijën e parë të kanabizimit të vendit, mbrohet nga qeveria kur prokuroria kërkon heqjen e imunitetit. Policët që në masë kanë kanabizuar vendin, janë përsëri në detyrë”.
Deputetët demokratë i thanë delegacionit se: “Korrupsioni qeveritar ka arritur nivele më të larta historike siç e tregojnë edhe konçesionet abuzive dhe kontratat e jashtëligjshme. Gjithashtu, administra publike e paraqitur si sukses deri në vitin 2017, po paraqitet nga Kryeministri si më e keqja e mundshme. Pas zgjedhjeve parlamentare ku u dëshmua blerja masive e votës, Reforma Zgjedhore nuk po ecën në hapat e duhura. Këshilli i Europës vuri disa kushte për heqjen e negociatave, si zgjedhjet e lira e të ndershme, lufta kundër krimit e korrupsionit dhe dekriminalizimi”.