• Faktohet paralajmërimi i PD 5 javë më parë, se monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin do ta fitojë një kompani kroate.
  • Kompania kroate mori tenderin korruptiv dhe të paracaktuar, që do të faturojë biznesin me një kosto nga 80-100 milionë euro.
  • Monopoli korruptiv i Edi Ramës hedh në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzistuese dhe detyrohen bizneset të paguajnë të paktën 600 deri në 1000 Euro për sistemin e ri që do të kërkojnë kroatët e Edi Ramës.

 

JORIDA TABAKU, DEPUTETE E PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETARE E KOMISIONIT TË EKONOMISË

5 javë më parë, ishim në të njëjtën sallë për të paralajmëruar se qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin.

Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret.

Kriteret e tenderit janë korruptive, sepse, siç paralajmëruam 5 javë më parë, ato ishin ishin llogaritur për t’iu përshtatur kompanisë kroate. Partia Demokratike po merr ndërkohë informacionin e nevojshëm se kush qëndron prapa kësaj kompanie.

Megjithatë, mund të thuhet se, kjo aferë e rëndë korruptive e çon Shqipërinë edhe një hap tjetër mbrapa në luftën kundër korrupsionit, si kush themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit me  Bashkimin Europian.

Tenderi prej 15 milionë eurosh që iu dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme, është provë se korrupsioni në qeverinë Rama ka rrënjë të thella.

Tenderi korruptiv me fitues të paracaktuar është vazhdimi i skandalit të zbuluar 3 vjet më parë nga opozita, që e detyroi Edi Ramën të heqë dorë përkohësisht nga dhënia me koncesion e monitoimit dhe mbledhjes së TVSH-së një kompanie kineze offshore e lidhur me të vëllanë, Olsi Rama.

Tek ky tender korruptiv, që vendos monopolin e kontrollit të faturimeve të biznesit, qyterarët po shohin kalbëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Kjo qeveri jo vetëm ka pafytyrësinë t’i shkojë deri në fund një tenderi të denoncuar si korruptiv, por po shet Shqipërinë me copa tek klientë që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës.

Gjatë qeverisjes së Edi Ramës shqiptarët kanë paguar  3.7 miliard euro taksa shtesë nga rritja e tyre, pa marrë asgjë mbrapsht, as spitale më të mira, as rrugë më të mira, as arsim më të mirë, as vende pune më shumë, as investime më shumë.

Çdo gjë ka shkuar për tendera të tillë korruptivë dhe për koncesione që pasurojnë klientët, sponsorizuesit dhe familjen e Edi Ramës.

Partia Demokratike i siguron shqiptarët se me paketën antimafia, askush nuk do të gëzojë asgjë të fituar nëpërmjet korrupsionit dhe lidhjeve me pushtetin. Me paketën antimafia, çdo tender si ky I sotmi, çdo koncesion, leje apo liçensë korruptive do të anullohet, pasuritë do të sekuestrohen dhe parat do t’u kthehen atje ku e kanë vendin: në shërbim të qytetarëve – për arsim më të mirë, për spitale më të mira, për rrugë më të mira për vende punë më shumë.

 

ENDRI HASA, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE

Kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët nga tenderi korruptiv i paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike.

15 milion Eurot janë vetëm maja e ajsbergut, sepse sistemi i monitorimit dhe faturimit të biznesit fsheh kosto të tjera të rënda.

Ne kemi llogaritur se kostot e sistemit të ri  për menaxhimin dhe kontrollin e faturimit do t’u kushtojnë shqiptarëve të paktën dhe 80 deri në 100 milionë euro të tjera.

Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bzineset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri.

Monopoli korruptiv i Edi Ramës do të hedhë në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzistuese dhe çdo biznes do të detyrohet të paguajë të paktën 600 deri në 1000 Euro për sistemin e ri që do të kërkojnë kroatët e Edi Ramës, në mënyrë që biznesi të mos i mbyllet.

Ftoj çdo ekspert të IT apo Ekonomisë të përllogarisë vetë kostot. Do të zbulojë fare lehtë që ky shpenzim do të jetë realisht më i lartë, po të llogariten kostot e tjera që kanë të bëjnë me stafin dhe infrastrukturën e nevojshme për të transmetuar në kohë reale në sistem çdo shitje.

Sistemi i ri gjithashtu do të paraqesë një rrezik akoma më të madh atë të cënimit e konkurrencës së ndershme në treg, duke i dhënë mundësinë individëve të pakontrolluar të kenë akses në kohë reale në informacionet komerciale, ato industriale, në magazinat, produktet dhe xhepat e çdo tatimpaguesi.

Projekti korruptiv për monitorimin biznesit nuk duhet të zbatohet!

Ky projekt do të cënojë konkurrencën e lirë, do të vrasë vendet e punës dhe do të çojë drejt falimentimit mijëra biznese.