- Heshtja prej ditësh edhe me censurë mediatike nuk mbulon krimin elektoral të Vangjush Dakos.
- Kryetari i Bashkisë së Durrësit duhet të ndëshkohet me burg për bashkëpunimin me organizatën kriminale të bandës së Avdylajve për blerjen e votave në shërbim të qeverisë.
ENDRI HASA, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Kalimi i ditëve dhe mbulimi i tyre me heshtje dhe me censurë mediatike nuk i zvogëlon përmasat e skandalit dhe krimit elektoral, ku është përfshirë Vangjush Dako.
Në Dosjen 339 ndodhen qindra faqe me përgjime që vërtetojnë përdorimin prej organizatës kriminale “Rilindja” të bandës së Avdylajve në Durrës e Shijak për blerjen e votave, në këmbim të favoreve shtetërore.
Vetë kreu i bandës Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge, shpalli ortakërinë mafioze, kur pranoi publikisht se “I zgjidhte hallet me Vangjush Dakon dhe Partinë Socialiste”
Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte arrestuar brenda ditës uzurpatorin e bashkisë së Durrësit, jo vetëm prej dëshmisë publike të Avdylajt, por edhe për shkak se lënia e Dakos në krye të bashkisë së Durrësit, shton mundësitë e prishjes së provave, si dhe të intimidimit të dëshmitarëve.
Është e provuar prej përgjimeve zyrtare se Kryebashkiaku i Durrësit ka pasur komunikim me bandën e Avdylajve shumë kohë para zgjedhjeve.
- Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë.
- Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve.
- Nga përgjimet, shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale.
Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg!
Heshtja e Prokurorisë prej më shumë se 3 javësh, pa bërë përpjekjen më të vogël për hetim, konfirmon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Ai po e përdor atë për prishjen e provave dhe mbulimin e skemës kriminale që “Rilindja” përdori me krimin e organizuar për të blerë pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.
Pa arrestimin e Dakos, s’mund të flitet as për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe as të shpresohet se në vend mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike.
Pa ndëshkuar krimin elektoral, simbolin e tij Vangjush Dako dhe dhe autorët e tjerë të këtij krimi, në Shqipëri nuk do të ketë stabilitet, nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë proces normal politik.