• PD ka një detyrë historike. PD-së s’i kërkohet vetëm të jetë një alternativë elektorale, por të kthejë besimin se Shqipëria mund të bëhet vend normal.

 

  • E vetmja mënyrë drejt Shqipërisë që beson dhe ka shpresë është varrosja e politikës së korruptuar, të inkriminuar dhe bashkëpunimi i saj me biznesmenë grabitqarë.

 

  • Zhgënjimi i shumë shqiptarëve është sot një mundësi e madhe, sepse shqiptarët nuk presin nga politika mrekulli, por normalitet. ku t’u ofrohet mundësi, të jetojnë të qetë dhe të sigurt.

 

  • Ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar. Llojin e politikanit hajdut, gënjeshtar, arrogant, si Edi Rama, duhet ta flakim pas, ta dënojmë dhe ta çojmë para drejtësisë.

 

  • Ka vetëm një mënyrë për ta kapërcyer krizën e besimit, më të madhen në historinë e Shqipërisë, të tregojmë integritet dhe kurajë për të ofruar jo premtime dhe shpresa boshe, për një realitet demokratik, që nis nga PD.

 

  • Qëllimet kryesore në përpjekjen për modernizimin e PD dhe rritjen e besueshmërisë së saj janë konkurenca, që çon në meritokraci, demokracia që çon në kufizimin e pushtetit dhe liria që çon në mundësi.

 

  • Me ndryshimet që kemi bërë, duke ia besuar gjithmonë e më shumë vendimarrjen anëtarëve të PD, po hapim jo vetëm një rrugë të re për PD, por edhe një shembull për gjithë politikën në Shqipëri.

 

  • Zgjidhjen kryesore për pyetjen kur dhe si do ta rrëzojmë Ramën nuk e gjejmë dot as në rrugë, as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve.

 

  • Nëse njerëzit besojnë dhe kanë shpresë, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht. Sa më shumë shqiptarët të besojnë dhe të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do të bjerë Edi Rama.

 

  • Një nga arritjet e mëdha të PD dhe të Këshillit Kombëtar janë njerëzit e propozuar, që konkurojnë për postet e larta dejtuese në parti përmes një procesi të hapur, demokratik dhe transparent.

 

  • Me kryesinë e re, ne do t’i përvishemi menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alterantive.

 

  • Jam i ndërgjegjshëm se shqiptarët nuk kërkojnë thjesht dhe vetëm largimin e një njeriu, por largimin e modelit oligarkik kriminal dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta. I vetmi model që mund të funksionojë është modeli europian.

 

  • Një gjë është e sigurtë: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, para syve të Europës dhe botës, para syve të socialistëve të ndershëm. Ajo përfaqëson vetëm një interes privat të Edi Ramës, në funksion të grabitjes dhe sundimit të vendit për interesa personale.

 

  • PD do të udhëheqë protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe modelit të tij, e sigurtë se do ta fitojë këtë betejë jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët.

 

FJALA E KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD.

 

Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar, zonja dhe zotërinj! Të dashur demokratë, të dashur bashkëqytetarë që po na ndiqni përmes medias.

 

Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar ka në rend dite dy çështje të rëndësishme.

 

E para dhe më e rëndësishmja është diskutimi dhe miratimi I axhendës  së aksionit opozitare për largimin e Edi Rames e cila është kthyer në emergjence kombëtare

 

E dyta zgjedhja e ekipit të ri drejtues të PD që së pari do të këtë mision drejtimin e këtij aksioni politik e po kështu organizimin e partisë për betejat që ka përpara, forcimin e saj, çuarjen më tej të proceseve demokratike brenda familjes tonë si garanci për një standart  të ri për qeverisjen e nesërme, e cila do t’u shërbejë qytetareve për të përmirësuar jetën e tyre dhe jo propagandës me mrekullitë fasadë dhe mediokritetit në drejtim.

 

Të nderuar anëtarë të keshillit,

 

Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, natyrisht dhe për PD.

 

Kete  vit do te  ballafaqohemi me sfida të mëdha duke nisur me ndaljen e  rrënimit te metejshem të Shqipërisë nën degradimin total të Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Ky është viti i betejës për kthimin e legjitimitetit të munguar parlamentit dhe të qeverisjes së vendit, përmes zgjedhjeve të ndershme, si ushtrim i demokracisë dhe zgjidhja e vetme politike për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ky është një vit ku duhet të ndeshemi me domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si një nga shtyllat kryesore të sistemit tonë politik, dhe një nga burimet kryesore të politikës së korruptuar dhe të inkriminuar.

 

Dekriminalizimi i zgjedhjeve eshte objektivi parësor I yni dhe natyrisht eshte jetike per te sotmen dhe te ardhmen e vendit.

 

Ndërkohë që data e zgjedhjeve lokale po afron, qeverisja vazhdon të kontrollohet tërësisht nga krimi, ndaj Edi Rama refuzoi propozimin tonë dhe të Komisionit të Venecias për vetingun e politikanëve, për ndarjen e politikës nga krimi.

 

Këtë vit fatkeqësisht rrezikojmë të humbim edhe njëherë shansin për hapjen e negociatave në verë. Natyrisht është një vit kur do të duhet të vazhdojmë mbështetjen për një sërë kauzash të rëndësishem njerëzore dhe qytetare: me qytetarët për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga mega-aferat korruptive dhe  dhuna shtetërore, me artistët për të mbrotjur godinën e Teatrit Kombëtar nga shkaterrimi, me studentët për të ndryshuar rrënjësisht kushtet e arsimit të lartë dhe plotësuar kërkesat e tyre por dhe pedagogeve për standarde normale arsimimi, me përpjekjet për të çuar përpara drejtësisë një sërë qeveritarësh grabitës zgjedhjesh dhe grabitës të parave të shqiptarëve.

 

Nje nga misionet tona kryesore qe nga themelimi ka qenë interesi kombetar, prandaj dhe një sfidë e jashtëzakonshem do të jetë sfida e vëllezërve në Kosovë për të ruajtur arritjet e përpjekjes së tyre për liri dhe pavarësi duke u integruar në BE dhe në komunitetin nderkombetar.

 

Pra, siç e shihni sfidat qe kemi perpara jane të shumta, të medha dhe historike.  Por gjithçka nis dhe do të ketë suksese vetën me transformimin e politikes, modernizimin dhe europianizimin e saj.

 

Ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar: nuk mund të ketë më as vonesa dhe as shtirje, as makiazhe dhe asfasada.

 

Fasadat janë vetëvrasëse, makiazhet janë fatale. Në Shqipërinë e sotme ka vetëm dy mundësi: nëse je kriminel apo klient i Edi Ramës gëzon pushtet dhe para, për çdo kënd tjetër jetesa është e vështirë dhe e dëshpëruar.

 

Sepse Shqipëria është sot një vend me një shoqëri që nuk prodhon, nuk krijon, nuk zhvillohet, nuk përparon.  Jemi një komb ku nuk ka mundësi për të nesërmen.

 

Pasuritë e shqiptarëve po grabiten ndërsa energjitë e shqiptarëve po shterojnë duke u ndeshur me krimin, korrupsionin, injorancën dhe kaosin e mbjellë kudo, nga Edi Rama dhe bashibozukët e tij.

Njerëzit janë mbërthyer para ekranit duke parë shpalosjen e  skandalit të rradhës të Ramës, krimit të tij të radhës, vjedhjes së tij të radhës.

 

Tani ai po shkatërron të ardhmen. Mungesa e shpresës për të ardhmen është shkaku kryesor që shqiptarët po largohen nga vendi. Fëmijët dhe e nesërmja e tyre janë shkaku që Shqipëria po shkretohet. Mungesa e shkollimit cilësor, mungesa e shëndetësisë së sigurt dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të punuar, për një jetë të përmbushur po i  shtyn prindërit të nxisin fëmijët të largohen nga vendi.

 

Shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, kanë nevojë të gjejnë kurajë, kanë nevojë të besojnë.

 

Roli ynë, roli i demokratëve, në këtë gjendje është kritik. Nuk është aspak e ekzagjeruar të them se sot para nesh shtrohet një detyrë historike.

 

Si rrallë ndonjëherë në këto tre dekada, një partie politike nuk i kërkohet thjesht të jetë një zgjidhje, një alternativë elektorale, nuk i kërkohet thjesht që të ndalë një të keqe.

 

Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve ‘90-të. Atëhere kishte energji, kishte shpresë, politika shihej si një e mirë që do e çonte vendin përpara. Sot Shqiptarët e shohin politikën si të keqen më të madhe dhe shkaktaren kryesore të problemeve tyre. Sot shqiptarët kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e adhmja.

 

Në këtë sfond, në këtë realitet ne duhet jo vetëm të luftojmë luftën për ndryshim, por mbi të gjitha betejën për besim, sepse pa besim nuk mund të arrijmë asgjë!

 

Sot ne duhet të kthejmë së pari besimin se Shqipëria mund të bëhet vend normal.

 

E vetmja mënyrë drejt kësaj Shqipërie është varrosja e politikës së korruptuar deri në palcë dhe të inkriminuar në çdo qelizë, është shkëputja e politikës si vegël e një grushti politikanësh dhe biznesmenësh grabitqarë të cilët bëhen bashkë për të shkelur ligjin, për të vjedhur shqiptarët, për të dhunuar pronat, liritë dhe të drejtat e tyre.

 

Venia e politikës në shërbim të njerëzve do të thotë që qëllimi të jetë mirëqenia e njerëzve dhe jo ambicja e verbër për pushtet dhe pasurim, do të thotë të dëgjosh dhe kuptosh njerëzit dhe jo t’i trajtosh si injorantë që duhen gënjyer, do të thotë t’i respektosh sinqerisht qytetarët dhe jo t’i përçmosh, do të thotë të kuptosh jetët dhe nevojat e tyre dhe jo të izolohesh në zyrat lluksoze dhe pritjet mondane, të investohesh për ate që permirëson jeten e qytetareve jo për projekte që mbushin xhepat e pushtetareve.

 

Politika në shërbim të njerëzve kërkon sakrificën e vetjakes, sakrificën që kërkon shërbimi ndaj tjetrit.

 

Në mënyrë ironike zhgënjimi i shumë shqiptarëve është sot edhe një mundësi e madhe: sepse Shqiptarët nuk presin nga politika mrekulli por normalitet. Ata duan që Shqipëria të jetë një vend normal, ku njerëzit jetojnë të qetë dhe të sigurt.

 

Ndonëse të gjithë e kuptojnë se do të duhet kohë që ne të krijojmë mirëqenien europiane, të gjithë duan që sot atë që është e mundur, tu garantohet liria dhe tu jepen mundesitë per punesim, arsimim, shendetesi, kujdes social, te pakten tu garantohen gjerat minimale, buka, uji, dritat. Duan që në Shqipëri të sundojë rendi, të sundojë ligji, të sundojë paqja. Të gjithë presin që të jenë të mbrojtur dhe të sigurt, të sigurt nga krimi, të mbrojtur nga burokratët dhe qeveritarët, të mbrojtur nga padrejtësitë.

 

Me pak fjalë shqiptarët duan normalitetin europian të jetës, shoqërisë dhe politikës, edhe pse janë shumë më të varfër.

 

Duan thjesht mundësi. Nuk duan politikanë qe vijne si shpetimtare kur në fakt misioni i tyre është te kujdesen per mirqenien personale në kurriz të shqiptarëve. Por duan politikanë të përgjegjshëm që u ofrojnë mundësi e perkujdesje qytetarëve të tyre.

E keni dëgjuar Edi Ramën, kur thotë monologjet e tij bajate se Zvicra është e  mërzitshme, sepse atje nuk ndodh asgjë, kurse Shqipërinë interesante sepse këtu ndodhin shumë gjëra. Në fakt Shqipëria është interesante vetëm për Edi Ramën, sepse me pushtetin e  marrë me hajdutë dhe kriminelë, ai është pasuruar në mënyrë marramendëse.

 

Ndërsa shqiptarët ndeshen përditë me pasojat e qeverisjes së tij, me vrasjet, dhunën, grabitjen, varfërinë, sëmundjet, parpambetjen të cilat Kryeministrit të lluksit, kryeministrit të pasanikëve i duken interesante.

 

Këtë politikanë duhet t’i flakim pas. Këtë lloj politikani hajdut, gënjeshtar, arrogant duhet ta çojmë para drejtesisë.

 

 

Të dashur demokratë,

 

Sfidat që ne kemi përpara janë të vështira dhe ne duhet të ndeshemi me to ballë për ballë.

 

Sikurse ju thashë, sfida krysore është sfida e besimit. Ne ndeshemi sot me nivelin më të ulët të besimit tek politika që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë pluraliste. Ne ndeshemi sot me një politikë shtetërore që e ka për qëllim nxitjen e mosbesimit. Sikurse ndeshemi me mosbesimin që ka ardhur edhe si rezultat edhe i gabimeve tona.

 

Ka vetëm një mënyrë për ta kapërcyer këtë krizë besimi. Ne duhet të tregojmë integritet dhe kurajë. Integritet dhe kurajë për të ofruar jo premtime dhe shpresa boshe, por një realitet thellësisht demokratik dhe të lirë duke filluar nga shtëpia jonë. Me ndryshimet që kemi miratuar dhe me vënien e tyre në jetë, duke ia besuar gjithmonë e më shumë vendimmarrjen anëtarëve të Partisë Demokratike, ne po hapim një rrugë të re, jo vetëm për partinë tonë, por një shembull për të gjithë politikën në Shqipëri.

 

Në këtë mënyrë ne do jemi në gjendje të bashkojmë njerëzit rreth Partisë sonë. Në rradhë të parë ne jemi partia ku njerëzit çmojnë lirinë: lirinë individuale nga dhuna e shtetit, lirinë e tregut nga ndërhyrja e qeverisë.

 

Partia Demokratike duhet dhe do të ketë një vemendje më të madhe ndaj ish-të përndjekurve dhe pronarëve të grabitur dhe familjeve të tyre që ende vuajnë pasojat e regjimit çnjerëzor komunist.

 

Ne kemi objektiv të rëndësishëm tërheqjen e rinisë dhe grave. Rinia çmon më shumë se çdo gjë lirinë, lirinë për mundësi, lirinë për të provuar, lirinë për të rrezikur, lirinë për të guxuar, lirinë për të ndryshuar, lirinë për të bërë histori, siç e kemi pare ne 1990 sic po e shohim në 2018-n dhe 2019-n.

 

Ne duhet të mbështetemi tek forca e grave: liria dhe konkurenca janë aleatët më të mëdhenj për të përmbushur të drejtat dhe aspiratat e grave shqiptare. Gratë janë ato që vuajnë të parat nga dhuna, nga dhuna e shtetit, nga dhuna e shoqërisë.

 

Partia Demokratike eshte nje parti e hapur dhe i mirëpret te gjithe ata qe duan te behen pjese e jona, te gjithe ata qe duan ndryshimin, te gjithe ata qe duan te kontribuojne per te ndryshuar njehere e pergjithmone kete lloj politikëbërje ne Shqiperi. Por kurre Partia Demokratike nuk do te jete strehe per kriminelë e trafikantë. Nje pushtet I ardhur me mbështetjen e krimit eshte kriminal dhe gjithmonë në dëm të interesave të qytetarëve. Situata që po kalojmë sot është pikërisht pasojë e një pushteti të siguruar nga krimi.

 

 

Të dashur qytetarë,

 

E di se çfarëdo që të them, shumica e njerëzve shohin më shumë problemin e dukshëm, të menjëhershëm, urgjent që ne ndeshemi si shoqëri: largimin e regjimit shkatërrimtar të Edi Ramës.

 

Unë e di se për të gjithë këto që unë kam folur shumë njerëz duan një zgjidhje të menjëhershme, të shpejtë dhe të thjeshtë të problemit Rama. Nëse ka një pyetje me të cilën ndëshem ditë për ditë është; kur do e rrëzoni Ramën, si do ta rrëzoni Ramën?

 

Dua të jem i qartë. Une dhe jam i bindur se gjithësecili prej jush duam ta rrëzojmë tani, dhe kjo mund dhe do te të arrihet vetëm në një mënyrë: duke i bërë njerëzit për vete, duke ju ngjallur atyre besimin tek ne, duke i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do ta shporrim Edi Ramën. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë, dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve. Nëse njerëzit besojnë tek ne, nëse njerzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë.

 

Njerëzit janë të zgjuar, ata dinë ta dallojnë politikanin që mendon për ta nga ai që bën sikur mendon për ta, duke punuar për vete. Ata dinë ta dallojnë politikanin e sinqertë, të vërtetë nga ai mashtrues. Politikanin e përkushtuar nga përçmuesi dhe arroganti.

 

Një nga arritjet e mëdha të Partisë Demokratike dhe të këtij Këshilli janë pikërisht njerëzit e propozuar që do të konkurojnë për postet e larta dejtuese në parti përmes një procesi të hapur, demokratik dhe transparent.

Per tju pergjigjur sa me mire sfidave qe kemi perpara, per te vene të gjithë kapacitetet tona në sherbim te realizimit te objektivave te Partise Demokratike kam propozuar një ndarje te funksioneve te deputeteve nga sekretariati organizativ i partise. Ne kete menyre organizimi i partise, nuk do te jete i ndervarur por do të jetë i ndërthurur me betejat legjislative dhe politike te deputeteve apo detyrimi I tyre per te qene sa me prane votuesve te tyre.

 

Sekretariati organizativ është vetëm një krah i funksionimit të partisë. Pranë kryetarit do të funksionojnë zyrat politike dhe ekonomike ku kapacitete të rëndësishme, si ato që kanë shërbyer më parë në sekretariatin organizativ, deputetë, intelektualë, do të marrin rolin e tyre për jetësimin e alternativës tonë, të programit tonë qeverisës. Me kryesinë e re, ne do t’i përvishemi menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të  zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alterantive.

 

Te nderuar antare te keshillit,

 

Ne, Partia Demokratike, jemi të vendosur ta ndalim krizën politike, ta ndalim krizën ekonomike, ta ndalim krizën e thellë të besimit dhe shpresës tek vendi ynë. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm përmes rikthimit tek vlerat evropiane. Tek vlerat evropiane që do të thotë ndarje dhe kontroll i pushteteve, do të thotë zgjedhje të lira, do të thotë kontroll i qeverisjes nga qytetarët, do të thotë garë e ndershme politike. Për ekonominë do të thotë ekonomi e lirë e tregut, do të thotë konkurrencë e ndershme, do të thotë taksa të ulëta, do të thotë fund abuzivizmit dhe terrorit ndaj sipërmarrjes, që për shtresat sociale, për shtresat në nevojë, për fermerët, për studentët do të thotë zgjidhje reale dhe jo llafe boshe.

 

Këto zgjidhje sot mungojnë pikërisht, sepse modeli europian dhe demokratik i qeverisjes nuk ekziston, por ekziston një model oligarkik, kriminal, ku një grusht politikanësh me në krye Edi Ramën, një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh, kontrollojnë gjithë vendimmarrjen politike, fondet publike, pasuritë e shqiptarëve.

 

Prandaj fondet nuk shkojnë për uljen e tarifave, për uljen e çmimeve, për përmirësimin e cilësisë së arsimit, nuk shkojnë për subvencione për fermerët, nuk shkojnë taksa më të ulta për sipërmarrësit, nuk shkojnë për spitalet, nuk shkojnë për fëmijët shqiptarë, por përfundojnë në kontot bankare sekrete dhe duart e politikanëve të korruptuar më në krye Edi Ramën dhe të një grushti oligarkësh dhe kriminelësh që janë bërë veglat e mbajtjes së pushtetit, duke tradhtuar shqiptarët dhe interesin publik.

 

Ndaj ne kemi një rrugë për t’u përballur me këtë, është rruga e angazhimit të të gjithë qytetarëve, e bashkimit të të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj maskarade. Studentët i dhanë një një goditje fatale, tani duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.

 

Një gjë është e sigurtë: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës dhe të gjithë botës. Ka rënë edhe para syve të socialistëve të ndershëm, nuk përfaqëson asgjë më, përfaqëson vetëm një interes personal të Edi Ramës, në funksion të grabitjes vjedhjes dhe sundimit të vendit për interesa personale.

 

Ne jemi të vetëdijshëm se shqiptarët nuk kërkojnë thjesht dhe vetëm largimin e një njeriu, por largimin e këtij modeli dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta, model të cilin nuk mund ta shpikim. I vetmi model që mund të funksionojë është modeli i Evropës.

 

Ndaj ne sot  do të marrim vendime për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë.

 

 

  • Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve.
  • Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ua kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe një parlament të ri, që buron nga vota e lirë e popullit.
  • Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti të rinjve shqiptarë, për të mos humbur edhe këtë vit trenin e integrimit evropian të Shqipërisë në BE.

 

Por së pari na pret beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model njëherë e mirë nga institucionet, nga politika, nga Shqipëria.

Partia Demokratike do ta udhëheqë këtë betejë, jetike për fatet e Shqipërisë, bashkë me shqiptarët, dhe do ta fitojmë këtë betejë.

 

Faleminderit medias. Tani do te fillojme me diskutimet tona per aksionin opozitar e me pas me procesin e votimit.

 

Ne fund do te keni nje njoftim mbi vendimmarrjen e Këshillit.