Bashkimi i madh kombëtar dhe europian në protestën e 11 Majit. 300 studentë nga gjithë Europa i bashkohen PD dhe opozitës në protestën euopiane për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

300 studentë europianë do të bëhen të shtunën pjesë e protestës kombëtare, duke kërkuar, njësoj si të rinjtë shqiptarë, largimin e Edi Ramës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie tranzitore. 300 të rinjtë europianë janë pjesë e organizatës studentore të Partisë Popullore Europiane, EDS (European Democratic Students). Presidenti italian i studentëve europianë, Virgilio Falco, ftoi edhe të rinjtë e tjerë të huaj që ndodhen në Shqipëri, t’i bashkohen protestës së shtunën për ta ndihmuar Shqipërinë të udhëhiqet nga një lidership i ri, si Lulzim Basha dhe jo nga këta që e kanë bërë Shqipërinë të njohur në Itali nga raportet e Guardia di Finanzës për eksportin e kanabisit dhe të krimit.

 

“Jam shumë i lumtur që kam në krah Lulzim Bashën për të cilin jam i sigurt që do të jetë e ardhmja e këtij vendi. Ju duhet të jeni krenarë për atë që jeni. Duhet ta thoni me zë të lartë se jeni më të mirë se këta që keni drejtues në qeveri, Kështu që, ngrijeni zërin dhe së bashku të protestojmë, t’i qëndrojmë pranë lidershipit të PD dhe të fitojmë. Mesazhi im për ju është që të vazhdoni këtë rrugë. Ne do të jemi së bashku. Do të jemi pranë jush gjithmonë.”- tha Virgilio Falco, kryetar i Studentëve Demokratë Europianë.

 

Kryetari i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi, i cili organizoi takimin e 300 studentëve europianë në Tiranë dhe pjesëmarrjen e tyre në protestën e 11 Majit, vlerësoi mbështetjen politike dhe bashkimin e të rinjve europianë me kauzën e rinisë shqiptare për të zgjedhur të lirë qeverinë që duan, pa blerje votash, pa intimidim nga krimi.

 

“Të rinjtë, studentët treguan se e nesërmja e Shqipërisë ka vetëm një rrugë, ka rrugën drejt integrimit europian dhe rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Këtë rrugë e ka nisur PD në ’90-ën dhe, bashkë me ju, do ta çojë në fund Lulzim Basha si kryeministër me mbështetjen e rinisë shqiptare” – u shpreh Belind Këlliçi i FRPD-së.

 

Duke i falenderuar studentët europianë për mbështetjen e tyre entuziaste për të rinjtë demokratë dhe për kauzën e opozitës shqiptare, kryetari i PD, Lulzim shprehu besimin se me përkushtimin e tyre, studentët e PPE-së, do t’ia dalin që në zgjedhjet e 26 Majit të konfirmojnë PPE si forcën kryesore politike në Parlamentin Europiane, duke bërë të mundur që Manfred Weber i PPE-së të jetë Presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian.

 

Kryetari i PD shprehu mirënjohje për çdo të ri shqiptar që, së bashku me FRPD, janë pjesa më vitale e betejës për votën e lirë. Njëri prej tyre, është Glauk Olldashi, i biri i të ndjerit Sokol Olldashi, ish kryetar i Forumit Rinor të PD.

 

“Merita e Glaukut është që ka qenë pranë studentëve që ditën e parë të betejës për arsim të lartë me standarde europiane. Natyrisht, nderon edhe trashigiminë e babait të tij, Sokol Olldashit, një miku dhe bashkëpunëtori të shquar timin dhe një nga liderët e Partisë Demokratike, të ndarë tragjikisht nga jeta para disa vitesh”- u shpreh Kryetari Basha.

 

Duke theksuar se beteja e rinisë dhe shqiptarëve është për votën e lirë si rruga e vetme për të hapur derën e mbyllur prej 6 vjetësh të Europës, Basha shprehu vendimsërinë për t’i shkuar kësaj beteje europiane deri në fund.

 

“PD ka lindur nga studentët, qëndron fuqimisht për një dhe vetëm një standard demorkacie, demokracinë europiane. Kjo është beteja dhe në këtë betejë nuk kemi thjesht një kundërshtar idelologjik, PS, por një kupolë të rrezikshme politikanësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.  Unë  dhe demokratët shqiptarë jemi të vendosur që fatin e Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshëm, të mos e lëmë në duart e kriminelëve, në duart e oligarkëve, të mos e lëmë në duart e politikanëve të korruptuar, por ta lëmë në duart tuaja, sepse ju jeni hipoteka më e sigurtë për Shqipërinë Europiane.”- tha Kryetari i PD.

 

Lideri i opozitës u tha studentëve të ardhur në Tiranë nga e gjithë Europa se i konsideronte studentët aleatët më të mirë të demokracisë dhe se misioni i tij është të hapë rrugën që Shqipëria europiane të qeveriset dhe të jetë në duart e rinisë shqiptare.

 

“Zoti President, jam jashtëzakonisht i lumtur që kësaj beteje do t’i bashkoheni edhe ju, edhe Këshilli Kombëtar i European Democratic Students, sepse me të vërtetë kjo është një betejë kombëtare, por është edhe një betejë europiane.  Me të vertëtë ne po luftojmë për Shqipërinë, për demokracinë, për lirinë, për zgjedhjet e lira, por po luftojmë, po kështu, për Europën në Shqipëri, për vlerat europiane në Shqipëri, ndaj kjo është edhe beteja juaj. Mirë se vini. Kam kënaqësinë t’u kem në krahun tim nesër në protestën kombëtare në orën 18.30 në Tiranë.”- u shpreh Kryetari Basha.