KOMUNIKIMI I PRESIDENTIT TË KOSOVËS HASHIM THAÇI DHE KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
- Presidenti i Kosovës falenderon Bashën për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe të njohjeve ndërkombëtare. Thaçi: Roli i zotit Basha si Ministër i Jashtëm, i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm.
- Basha: Bashkërendimi i ngushtë midis SHBA dhe BE ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative ne raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën europiane dhe euroatlantike të rajonit.
- Basha: Bashkërendimi do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me syninim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
DEKLARATA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, HASHIM THAÇI
Sot ishte një kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim të vjetër, ish-Ministrin e Jashtëm, kryetarin e Tiranës edhe tani kryetarin e Opozitës në Shqipërisë, Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë zotin Basha, të cilin e falenderoj për kontributin e tij për lirinë edhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për procesin e konsoldimit të shtetit të Kosovës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, ku roli i zotit Basha si Ministër i Jashtëm ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka qenë një kontribut shumë frytdhënës. Për këtë i jam shumë shumë mirënjohës! Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë në Shqipëri për mundësitë e bashkëpunimit edhe më të mirë, një bashkëpunim vëllazëror mes instuticioneve tona edhe njerëzëve tonë.
Destinacioni edhe i Kosovës është që të jemi pjesë sa më shpejt e NATO-s edhe e Bashkimit Europian. Mendoj se çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvoja personale e kontributit të zotit Basha në këtë proces, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, është i rëndësishëm për ne si institucionet e vendit dhe besoj se këto përvoja veç i kam diskutuar edhe në takim me kryeministrin Hoti, por edhe me liderët e tjerë partiakë. Natyrisht, është e rëndësishme që të vazhdohet që të kemi një konsensus sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë europiane për hapat konkretë, në veçanti e thashë për liberalizimin e vizave dhe aktet e dialogut. Diskutuam edhe për dialogun mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Për ne, është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur, ndërsa gjithashtu është jetike për ne dhe faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Europian, por edhe një koordinim i ngushtë mes Washington-it dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurtë, i besueshëm, pastaj edhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, se në aspektin teknik e kemi diskutuar tani e 9 vite, 2011-2018, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më të shpejtë që është e mundur. Edhe një herë i nderuar zoti Basha, faleminderit për ardhjen tuaj, vizitën tuaj në shtëpinë tonë, ju faleminderit shumë!
DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Faleminderit zoti President!
Është gjithmonë një kënaqësi të takohemi. Ju falenderoj për mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe mendime mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, në Shqipëri dhe hapat që po hidhen në drejtim të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që kanë qëllim dhe objektiv final njohjen reciproke. I shpreh mbështetjen time presidentit Thaçi për qëndrimet konsekuente të tij si kreu i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të gjithë forcave politike në Kosovë. Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi i të gjithë forcave politike të Kosovës, bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën në sfidat në të cilat po përballet aktualisht. Po kështu, si parti e orientimit Euroatlantik, kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative ne raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën Europiane dhe Euroatlantike të gjithë vendeve të rajonit që e dëshirojnë këtë dhe në veçanti sa i përket dialogut besoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë, do ta përshpejtojë procesin e dialogut me synimin, njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Shpreha mbështetjen totale timen dhe te Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe të politikës në Kosovë, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fruteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për presidentin Thaçi dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ju Faleminderit!