KONFERENCA E PËRBASHKËT PËR SHTYP E KRYETARES SË KUVENDIT TË KOSOVËS, VJOSA OSMANI DHE KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

  • ”Basha dhe PD, zë i çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh”, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës: Çdokush në Shqipëri duhet të flasë me zë po kaq të qartë.

 

  • Vjosa Osmani: E nevojshme që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre Kemi patur sukses, kur bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë i sinqertë dhe në linjë me interesin e Kosovës.

 

  • Lulzim Basha: Dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara. Objektiv i pandryshueshëm i këtij dialogu është njohja reciproke e Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

 

  • Lulzim Basha: Ndihma më e mirë e Shqipërisë për Kosovën është mbështetje për Republikën, duke respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe duke bërë gjithçka për ruajtjen e integritetin territorial të Kosovës.

 

  • Lulzim Basha: U bëj thirrje qytetarëve të Kosovës t’u drejtohen plazheve të Shqipërisë. Pandemia ka sjellë vështirësi, por do të bëhet më e mira që pushuesit nga Kosova të ndjehen si në shtëpinë e tyre. Ju presim krahëhapur.

 

DEKLARATA E KRYETARES SË KUVENDIT TË KOSOVËS VJOSA OSMANI

 

Ishte kënaqësi që të mirëpres në shtëpinë e tij të dytë, zotin Lulzim Basha, Kryetarin e Partisë Demokratike. Natyrisht, që patëm një diskutim shumë të mirë për punët tona të përbashkëta, për sukseset që kemi arritur në të kaluarën, për frytet e këtij bashkëpunimi, për pozitat që ai mbante në të kaluarën, por edhe ashtu të flasim edhe si mund të rrisim këtë bashkëpunim më tutje. Natyrisht, që është e domosdoshme që Kosova edhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte. Ka aq shumë hapësira ku mund të përmirësojmë raportet tona bilaterale, qoftë në aspektin ekonomik, tregtar por mbi të gjitha ajo që diskutuam ishte bashkërendimin e raporteve tona ndërkombëtare, pra raporte me shtetet e tjera, sepse një bashkërendim në politikën e jashtme ndërmjet Kosovës edhe Shqipërisë, gjithnjë është treguar i suksesshëm, kur ai ka qenë i sinqertë edhe kur ai ka qenë në linjë të plotë me interesin e shtetit tonë edhe interesin e qytetarëve tanë. E falenderova zotin Basha për qëndrimin e tij konsekuent dhe të Partisë Demokratike dhe zërin e tyre të çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë me zë po aq të qartë kundër ideve të tilla, të cilat jo vetëm që shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës, kundër sakrificës së shumëvjeçare të popullit të Kosovës për të jetuar në një shtet sovran dhe të pavarur, por edhe shkojnë kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktual, si shtet sovran por edhe funksional përbrenda. Prandaj edhe njëherë mirë se keni ardhur në Prishtinë!  Shpresoj shumë që do të keni vizitë produktive dhe dyert e Kuvendit të Kosovës do të jenë gjithnjë të hapura për një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë me ju dhe natyrisht, me secilin qytetar të Shqipërisë.

 

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Faleminderit zonja Kryetare. Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë që ndodhem sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe të pritem nga ju, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës. Së pari, për atë që përfaqësoni si një drejtuese politike e brezit të ri, drejtuesja e dytë zonjë në drejtim të institucioneve kushtetuese të Kosovës, dhe, natyrisht edhe në rrafshin personal, për njohjen tonë për gati 20 vjeçare.

 

Është kënaqësi t’ju takoj sot në zyrën e Kryetares së Kuvendit dhe t’ju uroj edhe njëherë personalisht: Suksese në detyrën sfiduese të drejtimit të një nga institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

 

Dua t’ju falenderoj, po kështu, për qëndrimet tuaja të qarta në mbështetje të axhendës së të gjithë forcave politike të Kosovës, sa i përket procesit të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe t’ju rishpreh dhe njëherë ju, atë që shpreha dhe në takimet me Presidentin e Republikës dhe me Kryeministrin Hoti, se për mua dhe për Partinë Demokratike, për opozitën e bashkuar, mbështetja totale e axhendës së institucioneve të Kosovës dhe e forcave politike të Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës, është orientimi dhe parimi kryesor i qëndrimeve tona. Padiskutim, ne konsiderojmë se dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara, porse objektivi i pandryshueshëm i këtij dialogu, është njohja reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 

Në këtë kontekst zhvillimet e këtyre 10 viteve të fundit na kanë mësuar me sukses edhe me sfida, ajo që është e rëndësishme është që siç jemi bashkë në gëzime, të dimë të jemi bashkë edhe në sfida, dhe në këtë kontekst ju garantoj se për ne është e qartë si drita e diellit, se ndihma më e mirë që Shqipëria mund të japë, ashtu sikundër në ditët e pavarësimit të Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, apo të koordinimit të projekteve të mëdha infrastrukturore që bashkuan dhe  afruan vendet tona, duke çarë malet e duke bërë të mundur qarkullimin e lirë të njerëzve, ashtu dhe në sfidat e tanishme, roli i Shqipërisë sot duhet të jetë edhe nesër me patjetër do të jetë mbështetje totale për Republikën e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, duke respektuar plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe duke bërë gjithçka për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës si vlera dhe investime të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve, si shprehje e vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe si një investim esencial i partnerëve tanë Euroantlantikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, jo thjesht dhe vetëm për zgjidhjen e krizës së Kosovës, por për paqtimin e Rajonit të Ballkanit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit dhe në NATO. Edhe një herë ju falenderoj nga zemra për pritjen e ngrohtë sot dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj!

 

Pyetje: Në këtë kohë pandemie sa janë të mirëseardhur kosovarët në Shqipëri gjatë turizmit, meqënëse e thatë se në Shqipëri është situata jo më mirë se në Kosovë, si dhe në anën tjetër në këtë kohë pandemie, a janë rritur çmimet, meqënëse ka goxha shumë ankesa për rritjen të çmimeve?

 

Lulzim Basha: Dua të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i drejtohen plazheve të bukura të Shqipërisë që janë të hapura, janë edhe plazhet e Kosovës, plazhet e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, kam pasur rastin javët e fundit të vizitoj nga Velipoja në Divjakë e në Vlorë e në Sarandë dhe jo vetëm kombinimi i nxehtësisë verore me bukuritë natyrore të Shqipërisë, por edhe çmimet që vërtet kam parë aty, më duket se përbëjnë një arsye më shumë për t’iu afruar dhe jo për t’iu larguar bregdetit shqiptar. Natyrisht, pandemia ka sjellë vështirësitë e veta si kudo në botë, por mund t’ju them në tërësi, sektori i mikpritjes turistike shqiptare është mëse i përgatitur dhe mikpritës ndaj pushuesve, dhe në këto kohë të vështira për fat të keq, sytë i kemi nga vëllezërit dhe motrat tona, qoftë pushuesit e Shqipërisë, pushuesit nga Kosova. Pushuesit shqiptarë apo pushuesit në tërësi të Maqedonisë së Veriut i kanë dyert e hapura. Nesër do t’i korrigjojmë disa gabime, siç është taksa e Rrugës së Kombit, por megjithatë, pavarësisht vështirësive të momentit, dua të përsëris ftesën time dhe thirrjen time drejtuar pushuesve nga Kosova edhe në emër të industrisë turistike shqiptare, operatorëve turistikë, që i kam takuar gjithë këto kohë: Ju presim me krahëhapur dhe shpresoj e besoj se do bëjnë më të mirën, që edhe pushuesit nga Kosova të ndihen, si zakonisht, në shtëpinë e tyre përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë.