Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vazhduar takimet me qytetarët e Malesine e Madhe në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 29 korrikut.
Basha ka ngritur akuza ndaj qeverisë Rama për çmime e larta dhe korrupsionin që kanë përfshirë vendin. Ai gjithashtu thekson se rasti ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve.
Sipas Bashës, SPAK duhet t’i shkojë deri në fund të hetimeve për të gjithë dosjet e korrupsionit.
Postimi i plotë:
Të ardhurat e shumicës së shqiptarëve në raport me çmimet janë më të ultat në Europë, sepse Shqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj.
Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit që u pa edhe nga dosja e Inceneratorëve ku qeveria vepronte si organizate e strukturuar kriminale në vjedhjen e 430 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës.
Krahas korrupsionit Shqipëria renditet ndër vendet e kriminalizuara ku krimi dikton qeverisjen. Dhe për t’ua lehtësuar sa më shumë punën bandave kriminale qeveria vendosi ta legalizojë kanabisin. Kjo ishte përgjigja e qeverisë për vështirësitë ekonomike të shqiptarëve.
Rasti Ahmetaj, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkishë e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve.
SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund hetimit për dosjet e korrupsionit, që prej vitesh janë në zyrat e saj. Është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, si për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.
Duhet nisur menjëherë me:
Hetimin e mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Aferat korruptive të provuara tashmë por edhe akuzat e balta që hidhen nëpër mediat e financuara me para korrupsioni për të mbuluar pikërisht të inkriminuarit dhe korruptuarit e vërtet, kanë bjerrë besimin e qytetarëve te politika, siç e treguan zgjedhjet e fundit, ku të rinjtë në shumicë i bojkotuan ato.
Prandaj kushdo që është i pastër dhe nuk ka frikë duhet të bashkohet sot me thirrjet për vetting-un e politikanëve, hetimin e pasurive të tyre, si dhe lidhjet me krimin.
Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.
Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.
Në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do t’i realizojmë këto ndryshime, duke i dhënë çdo shqiptari zërin për t’u dëgjuar dhe forcën për të vendosur të ardhmen e tij dhe famjljes së tij.