Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se nga zhvlerësimi i euros bizneset shqiptare kanë shpenzuar 31 milionë euro më shumë këtë vit.

Në një postim në Facebook, Tabaku shkruan se ka pasur më shumë kosto për bizneset, ndërsa parashikon ulje pagash dhe pse jo humbje vendeve të punës.

Sipas deputetes së PD, ky zhvlerësim i euros i shërben korrupsionit dhe një shteti të kapur që qarkullon miliona informale duke pasuruar një pakicë dhe mbajtur në varfëri një shumicë. Duke goditur shtresën e mesme dhe duke thelluar pabarazinë.

 

Postimi i plotë:

 

Euro sot këmbehet sa 105 lekë, a ka pasuruar zhvlerësimi Euros xhepat e shqiptarëve dhe bizneset?

Këtë pyetje duhet të bëjë çdokush që habitet apo ndjen një farë krenarie që sot leku është më i fortë se sa euro. Nëse ky forcim ka pasuruar më shumë sipërmarrjet dhe familjet shqiptare padyshim që ky forcim i lekut është në të mirë të vendit tonë.

Por, shifrat thonë komplet të kundërtën e kësaj. Në fakt bizneset shqiptare që kanë punësuar familjet shqiptare kanë shpenzuar 31 milionë euro më shumë këtë vit nga zhvlerësimi euros. Kjo do të thotë më shumë kosto për bizneset, me gjasë ulje pagash dhe pse jo humbje vendeve të punës.

Ndërkohë që deri më tani qeveria shqiptare ka grumbulluar 373 milion euro më shumë nga taskat si pasojë e zhvlerësimit të monedhës euro, pra më pak të ardhura në xhepat e qytetarëve.

Pra, kujt i duhet ky zhvlerësim që nuk është si pasojë e ekonomisë dhe as pasuron familjet shqiptare? Padyshim korrupsionit! Padyshim një shteti të kapur që qarkullon miliona informale duke pasuruar një pakicë dhe mbajtur në varfëri një shumicë. Duke goditur shtresën e mesme dhe duke thelluar pabarazinë.

Histori suksesi kjo është veç për shtetin ndërkohë të penalizuarit e mëdhenj janë kompanitë që eksportojnë, turizmi vendas e i huaj e sigurisht emigrantët!

Mos harroni, korrupsioni godet çdo kënd njësoj pa dallime partie apo bindje politike. Korrupsioni merr paratë nga xhepi i çdo shqiptari pavarësisht nëse ka votuar PD apo PS, pavarësisht nëse beson që inceneratorët janë një vepër që pastron Shqipërinë apo nëse janë instalacionet e korrupsionit.