Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi Tyli kërkoi në Komisionin e Ligjeve që të dëgjohen studentët, ndërsa po diskutohet ligji për studentët e mjekësisë.
Kërkesën zonja Çupi e bëri në emër të opozitës duke i kërkuar kryetares së Komisionit që të thërrasë studentët në komision.
“Ne duhet të dëgjojmë studentët, jo qeverinë e mazhorancën se boll i kemi dëgjuar me arrogancën e tyre.
Ka një tabelë ku thuhet se do të ketë datë për konsultim me grupet e interesit. Por kjo datë është bosh. Me kë jeni konsultuar kur nuk jeni konsultuar me studentët?!
Kërkoj të dëgjohen studentët, boll e kemi dëgjuar arrogancën e qeverisë”, – u shpreh deputetja Dhurata Çupi Tyli.
Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e justifikoi këtë me mungesën e kohës pasi sipas saj ligji kalon me procedurë të përshpejtuar për shkak të urgjencës dhe do krijonte vonesa thirrja e tyre.
Pavarësisht justifikimit të zonjës Bushka, deputetja demokrate kërkoi që studentët të dëgjohen.
“Ne si opozitë duam që studentët, fëmijët tanë të dëgjohen sepse po flasim për fatin e tyre”, – tha zonja Çupi.
Pyetjet e deputetes Dhurata Çupi Tyli drejtuar ministres së Arsimit
1. A jeni në dijeni që ky ligj ështe antikushtetues dhe bie në kundërshim me të drejtat e njeriut, zgjedhjen e lirë, lëvizjen e lirë brenda dhe jashtë Shqipërisë
2. Cfarë synoni të arrini me një politikë të tillë diskriminuese?
3. Me kë i keni bërë diskutimet për të miratuar këtë projektligj, duke qënë se studentët e mjekësisë ose grupi i intetesit kanë qenë kundër?
4. Pse studentët e mjekësisë duhet t’i nënshtrohen një politike afatshkurtër dhe eksperimentale, kur mjekësia ka nevojë për reforma motivuese dhe frytdhënëse?
5. Mbi cilat dokumente jeni faktuar për të nxjerrë kosto të tilla me një vlerë jashtë përllogaritjeve normale?
6. Pse po kalon ky ligj me procedurë të përshpejtuar, në një kohë që shteti nuk ka shpallur ndonje gjendje emergjence?
7. Meqë mosha mesatare e mjekëve që largohen është 33-36, mos ndoshta projektligji i hartuar synon diçka tjetër dhe çfarë deklaroni?
8. Çfarë ndodh me studentin që nuk gjen punë brenda një viti dhe i është mbajtur peng diploma?
9. Pse ndryshuat rregullat për ata që tashmë i kishin filluar apo ishin në mes të studimeve?
10. Çfarë synoni të arrini me maturantët që do zgjedhin opsione tjera alternative, brenda apo jashtë Shqipërisë për të mos firmosur kontratën? Do vazhdoni të rrisni kuota? Do ulet pragu i mesatares? Keni ndonjë skenar për këtë?
11. Pse nuk paguhen specializantët e kuotave e pambuluara?