Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi më shumë informacion nga qeveria sa i përket ndikimit në ekonomi të Projekligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësorë dhe industriale”. Zonja Tabaku e ngriti këtë pretendim gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, pasi mazhoranca refuzoi ti jepte këtë të drejtë opozitës që kishte bërë disa pyetje lidhur me ndikimin në ekonomi të kësaj nisme.
“Ndikimi ekonomik është arsyeja se pse qeveria po e kalon këtë ligj. Pikërisht kjo na intereson dhe ne që të diskutojmë. Kemi bërë pyetje dhe nuk kemi marrë përgjigje nga qeveria. Kjo është e para politike për ekonomi të re, krijimi i një sektori të ri, dhe askush nuk dha llogari se si do zhvillohet ky sektor. Është një ndryshim shumë i madh i politikësekonomike të qeverisë. Vitet e fundit qeveria nuk ka pasur asnjë politikë ekonomikeveç kësaj.
Çfarë sektori keni hapur këto 10 vite? Çfarë ligji ke sjellë këto vite këtu për të zhvilluar ekonomi të re? Kjo është hera e parë që ky komision diskuton një ekonomi të re dhe informacioni që ne kemi është i mangët. Informacioni i qeverisë për këtë ligj është bosh! Nuk asnjë informacion për zhvillimin ekonomik që do të ketë sektori në të ardhmen! Qeveria për herë të parë në këto 10 vite sot ka sjellë një ligj që thotë se do të hapim një sektor të ri dhe ne nuk kemi asnjë informacion! Askush nuk dha llogari se si do të bëhet ky sektor”, – tha zonja Tabaku duke ngritur shqetësimin për kalimin me procedurë të përshpejtuar krejtësisht pa arsye të këtij ligji. Pavarësisht shqetësimit të opozitës për efektet ekonomike dhe mungesës së informacionit nga qeveria, shumica e votoi në parim projektligjin.