Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në fjalën e tij gjatë prezantimit të Platformës Zgjedhore, është shprehur se votimi dhe numërimi elektronik duhet të shtrihen në të gjithë Shqipërinë, pasi sipas tij, është një mjet që jep siguri.
Alibeaj tha se votimi dhe numërimi elektronik në përvojat e mëparshme ka rezultuar i suksesshëm, përfshi edhe 14 majin.
Më tej ai tha se kjo nuk lejon që partitë politike të shndërrohen në organizma që prodhojnë një ushtri komisionerësh.
“Përvojat e mëpërshme dhe ato në zgjedhjet e 14 majit, e kaluan testin. Sot votimi dhe numërimi elektronik besoj se është një mjet i mirë që jep siguri, por eleminon edhe politizimin e garancive të ruajtjes së votës. Procesi zgjedhor duhet të dalë nga kurthi i madh i justifikuar dikur, por sot me teknologjinë të marrë besueshmërinë e duhur.
Nuk mund të ndodhë që partitë politike të shndërrohen në organizma që prodhojnë një ushtri komisionerësh pafund, duke ia marrë interesin public atë që është garancia e votës së publikut. Përderisa shqiptarët i besojnë paratë e tyre teknologjisë, atëherë do t’i besojnë edhe votën e tyre teknologjisë. Do të votojnë si diasporë, pra si emigrantë, jo vetëm shqiptarët që kanë ikur dikur dhe tani janë me letra, por do të duhet të votojnë edhe ata që nuk kanë mundur të zyrtarizojnë qëndrimin e tyre jashtë shtetit. Ky ka qenë qëndrimi i KQZ-së dhe i kundërshtuar fortë nga ana jonë. Ka pasur një tentativë nga ana e KQZ-së për të ecur me idenë e votimit në ambasada apo me postë. Proces zgjedhor i diasporës që menaxhohet nga duar të këtij pushteti është jo i besueshëm. Teknologjia e informacionit besoj i kënaq të gjitha interesat e sigurisë të partive politike.
Kemi përgatitur një ligj të ri për partitë politike. Besoj që një nga nevojat e mëdha, një nga kontribuesit kryesorë, janë jo vetëm sistemi zgjedhor, por edhe ai partiak. Po ashtu edhe ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike” – është shprehur Alibeaj.