Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat shprehet se skema me PPP e, Erion Veliaj, ka dështuar. Karabina thotë se edhe pse Bashkia e Tiranës mblodhi gati 45 milionë euro, rezulton se ka dështuar që të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave.

Sipas saj, në listen e investimeve të Bashkisë Tiranë rezulton se nëpërmjet skemës PPP janë ndërtuar vetëm 9 shkolla, të cilat kanë përfunduar të gjitha në vitin 2022, kur mbaroi edhe afati i parë i taksës së përkohshme. Ajo më tej thotë se pasojat e këtij ndështimi janë mësimi me 2 dhe 3 turne në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA MIRELA KARABINA: 

 

Skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar.

Prej 7 vitesh në faturat tatimore të ujit për abonentët familjare dhe biznesit në Tiranë  është shtuar “taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore”, taksë kjo që u prezantua fillimisht nga Bashkia Tiranë (2015) si zgjidhje e përkoshme për të mbledhur para për të përballuar shpenzimet për mirëmbajtjen e ndërtesave të shkollave ekzistuese dhe ndërtimin e godinave të rejave, me qëllim shmangien e mbingarkesës në shkolla dhe mësimit me turne.

Çdo familje në Tiranë paguan 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jo-fitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit e kishim taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit.

Në “fazën e parë” të taksimit të përkohshëm për 7 vitet e kaluara, (sipas ligjit taksa e përkoshme është 3 vjeçare) Bashkia Tiranë mblodhi rreth 4.8 miliardë lekë ose gati 45 milionë euro.

Megjithëse ajo e shtyu afatin për të mbledhur më shumë para edhe për 3 vite të tjera (2023-2025), rezulton se dështoi të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave, përmes një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP) që ishte pjesë e vizionit politik të kryebashkiakut Erion Veliaj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Studimi i fizibilitetit më 2016-ën “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës” parashikonte ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të ngriheshin nga koncensionarët, të cilët do të likujdoheshin brenda 7 viteve nga dorëzimi i shkollës dhe do i paguhej shtesë një interes vjetor 6.28 përqind e kostos së ndërtimit.

Kostoja e parashikuar për koncensionin e parë dhe të dytë PPP – për të cilin u lidhën kontratat, është gati 3.7 miliardë lekë ose gati 35 milionë euro. Ndërsa të ardhurat nga taksa në shtatë vitet e kaluara ishin gati 45 milion euro

Në dy koncensionet e para janë përfunduar vetëm 9 shkolla, duke dëshmuar se skema e taksimit në fazën e parë nuk ishte e mjaftueshme për ndërtimin e të 7 shkollave të tjera ose kostot e ndërtimit kanë qenë përtej parashikimeve të bashkisë.

Bazuar në listen e investimeve të Bashkisë Tiranë rezulton se nëpërmjet skemës PPP janë ndërtuar 9 shkolla, nga 17 që ishin parashikuar, të cilat kanë përfunduar të gjitha në vitin 2022, kur mbaroi edhe afati i parë i taksës së përkohshme.

Pra, skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar!

 

Pasojat e këtij ndështimi janë mësimi me 2 dhe 3 turne në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme.

Erion Veliaj gënjen ditën për diell kur thotë se nuk ka më shkolla me turne. Familjet shqiptare, prindërit e dinë fare mirë se mësimi ende në shumë shkolla vazhdon të kryhet me dy dhe tri turne, pasi dendësia e nxënësve nuk e lejon zhvillimin e mesimit normal.

Kujtojmë që Bashkia Tiranë përveç fondit të qeverisjes vendore, përmirësimi i infrastrukturës shkollore lidhet dhe me dy instrument të rëndësishëm financiare pas tërmetit të 2019-ës, programi i  rindërtimit të financuar nga buxheti i shtetit me fond rreth 6 miliardë lekë, si dhe programi “EU4Schools”, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Europian.

Shembulli i Bashkisë së Tiranës për të shtuar të ardhurat për infrastrukturën arsimore është ndjekur nga të paktën 5 bashki të tjera. Bashkitë Kamëz, Kavajë, Dimal dhe Berat i vjelin të ardhurat nëpërmjet tarifave, ndërsa bashkia e Gramshit nëpërmjet një takse të përkohshme.

Në këto njësi vendore nuk ka pasur studim të fisibilitetit dhe të ardhurat e vjela nga taksa arsimore janë të paqarta ku dhe si janë shpenzuar. Madje, Bashkia e Kavajës dhe e Vorës vitin e kaluar kanë qenë në vetëfalimentim se nuk kanë mbledhur taksa të mjaftueshme.

Sipas BIRN, ekspertët e qeverisjes vendore ankohen se ka mungesë transparence nga bashkia e Tiranës dhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore mbi mënyrën e shpenzimit të të ardhurave nga taksa apo tarifa për infrastrukturën e arsimore.

Dështimi i “taksës së përkoshme për infrastrukturën arsimore” dhe skemës me PPP është përgjegjësi e Bashkisë Tiranë dhe njësisve të qeverisjes vendore, por jo vetëm, dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë për mungesë kontrolli ndaj rindërtimit dhe ndërtimit të shkollave.

Partia Demokratike për qytetarët dhe në shërbim të tyre do të denoncojë çdo veprim që cënon interesin qytetar dhe në veçanti të fëmijëve dhe të rinjve. Ajo i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa për transaparencë të njësisve të qeverisje vendore në lidhje me taksën për infranstrukturën arsimore me qëllim ndalimin e abuzimit dhe dënimin e tij, dhe realizimin e plotë të saj në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.

Faleminderit!