Pjesë nga fjala e kreut të PD, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese në qytetin e Fierit:

 

Me lejen tuaj, dua të trajtoj fare shkurtimisht disa çështje që nuk kanë të bëjnë vetvetiu me reformën zgjedhore, kanë të bëjnë dhe me të, por kanë të bëjnë me diçka tjetër edhe më të madhe, edhe më të thellë e të rëndësishme që është, Reforma Kushtetuese. Ai ndryshim i 2008-ës shkatërroi institucionin e Presidentit të Republikës. Deri atëherë presidenti duhej të zgjidhej me 84 vota, me 3/5. Në qoftë se nuk arriheshin 3/5, vendi shkonte në zgjedhje. Por jo vetëm kaq, një president i zgjedhur me 3/5 që shikonte që qeveria shkelte ligjet, Kushtetutën, si dhe në mënyrë arbitrare me qytetarët, kishte një pushtet. Kishte shumë pushtete, por pushteti më i madh që kishte, ishte pushteti moral, mund të kërcënonte me dorëheqje që automatikisht do ta çonte një qeveri të papërgjegjshme në një proces zgjedhor. Këto mekanizma nuk ekzistojnë më, falë atyre që e ndryshuan kushtetutën në 2008-ën. Nuk ekzistojnë më dhe sot avokati i popullit nuk zgjidhet dot pa 84 vota, por presidenti zgjidhet me 71. Një president që zgjidhet me 71 vota, me aq vota sa zgjidhet kryeministri, është as më pak as më shumë, por një instrument në duart e mazhorancës së radhës. Një instrument në duart e kryeministrit të radhës. Dhe kjo nuk ka qenë ideja kur është bërë Kushtetuta në fillim fare dhe pasojat i shohim. Mungesa e rolit të presidentit si një rol balancues dhe kontrollues në Kushtetutë. Një president nga populli, një president i cili është në gjendje të plotësojë funksionet e veta siç shkruhen në Kushtetutë, të përfaqësimit të uniteit të popullit dhe jo një pjese të popullit që voton një parti politike apo një parti tjetër, apo është detyruar të mbrojë interesat e një partie, apo e një partie tjetër, një president që me të vërtetë është mbi palët dhe garanton balancën dhe kontrollin e institucioneve.