Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me Sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshi është takuar sot në Londër me Lordin David Richards. Zoti Basha shprehet se pjesë e diskutimit ishin një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.

Ndërkoh biseda u ndal edhe tek përpjekjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit, ku kreu i PD thotë se janë të domosdoshme për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve.


Postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:

Kënaqësi të takoja sot në Londër, Lordin David Richards, së bashku me Sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshin.  Gjatë takimit diskutuam për një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.

U ndalëm tek përpjekjet e SPAK-ut, në luftën kundër korrupsionit dhe domosdoshmërinë për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Diskutuam për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodic dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi, ku në përbërje të saj janë persona të njohur për qëndrimet e tyre destruktive dhe lidhjet me Moskën. Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj.

U ndalëm edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Lordi Richards mirëpriti avancimin e rezolutës mbi Mbështjen e Rindërtimin të Ukrainës, në Këshillin e Europës.

E falenderova Lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike duke e konsideruar Britaninë e Madhe një aleat strategjik, është e angazhuar që me miqtë e saj në këtë vend, të kontribuojë për avancimin e të drejtave të shqiptare kudo ku ata jetojnë.