Reagimi i nënkryetares së Partisë Demokratike, Oriola Pampuri:
25 Nëntori shënon ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë dhe ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në botë.
1 në 3 gra në të gjithë botën përballen me një formë të dhunës fizike, verbale apo seksuale nga bashkëshorti apo partneri së paku një herë në jetë. Në fakt dhuna ndaj grave, vajzave dhe nënave, fatkeqësisht nuk është e kufizuar vetëm në ambjentin familjar por shtrihet në mjedise të tjera si në punë, në shkollë, apo mjedise publike.
Është burracakëri çdo lloji forme dhune e ushtruar ndaj zonjave dhe vajzave, një plagë jo vetëm e shoqërisë por dhe detyrë e shtetit për të bërë më shumë si në legjislacion por dhe buxhetim.
Në Shqipëri dhuna ndaj grave, së paku në dhjetëvjeçarin e fundit, ka patur një trajektore të dhimbshme, me dhjetra ngjarje makabre në humbje jete, të cilat kanë shokuar të gjithë opinionin publik. Përtej shifrave statistikore të cilat kanë një rëndësi, ajo që ne si shoqëri dhe mbi të gjitha shteti kanë përgjegjësi është parandalimi, buxhetimi i duhur dhe efikasiteti i legjislacionit ndaj eliminimit të dhunës ndaj grave e vajzave.
Projekbuxheti 2024 nuk parashikon asnjë program të orientuar ndaj parandalimit të dhunës ndaj grave.
Kuadri ligjor ndaj strehimit social, nxitjes së punësimit dhe politikave për aftësim profesional nuk parashikon përparësinë e duhur për gratë e dhunuara apo ato që janë në rrezik të vazhdueshëm të dhunës nga bashkëjetuesit.
Ndaj nevojitet me përparësi rishikimi i kodit penal për ashpërsimin e mëtejshëm ndaj dhunuesve dhe veprave penale të dhunës verbale e fizike me bazë gjinore në familje dhe punë.
Po ashtu efikasiteti i mekanizmit kombëtar të mbrotjes së viktimave të dhunës, kufizimi i procedurave burokratike dhe krijimi i në baze të dhënash të dhunuesve, përfshirë të rasteve kur denoncuesi mund të tërhiqet për shkaqe intimiduese, sociale, apo ekonomike, duhet të adresohen me përparësi.
Mbështetje më të madhe ndaj strehëzave të përkohshme për viktimat e dhunës dhe përparësi për integrimin e pavarur të tyre duke nxitur më tej aftësimin profesional, ofrimin e granteve sociale dhe strehimin social me përparësi.