Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka reaguar në lidhje me raportin e komisionit europian për Shqipërinë. Zonja Pampuri shprehet se ky raport tregon se Shqipëria mbetet në vendnumëro në Shëndetësi dhe se asnjë hap nuk është ndërmarrë nga rekomandimet e progres raportit të një viti më pare.

Deputetja demokrate gjithashtu thotë se niveli i shpenzimeve publike për shëndetësinë mbetet i ulët, në 3.04% të PBB-së dhe 9.47% të shpenzimeve totale të qeverisë, dhe është më i ulët se në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore dhe BE-së.

 

Reagimi i plotë i nënkryetares së PD, Oriola Pampuri:

 

PROGRES RAPORTI I KOMISIONIT EUROPIAN PËR VITIN 2023, TREGON SE SHQIPËRIA MBETET NË VENDNUMËRO NË SHËNDETËSI.

Asnjë hap përpara nuk është ndërmarrë nga rekomandimet e progres raportit të një viti më parë, duke dëshmuar mungesë vullneti të kësaj mazhorance për të mundësuar një sistem shëndetësor cilësor për qytetarët.

“Niveli i shpenzimeve publike për shëndetësinë mbetet i ulët, në 3.04% të PBB-së dhe 9.47% të shpenzimeve totale të qeverisë (sipas të dhënave të qeverisë 2022), dhe është më i ulët se në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore dhe BE-së.”, raportohet në Progres Raport, duke dëshmuar se shifrat e qeverisë për këtë vit janë një farse e propagandës së rradhës të dalë boje.

Për të disatin vit rradhazi, Komisioni Europian thekson se Shqipëria mbetet në një fazë të hershme në lidhje me përgatitjet për Kapitullin e 28 “Mbrotja e Konsumatorëve dhe Shëndeti”, ku veçanërisht nevojitet sigurim i kujdesit shëndetësor cilësor për të gjithë.

Korrupsioni vijon të jetë galopant ku Shëndetësia mbetet ndër sektorët më problematikë. Sipas Bankës Botërore, Shqiptarët paguajnë dy herë më shumë “para nga xhepi” në krahasim me vendet e tjera të rajonit për Shëndetësinë. Kjo pasi sipas KE, mungojnë mekanizmat e duhur të kontrollit dhe inspektimit nga ana e adminsitratës publike e cila nga ana e saj mbetet gjërësisht e politizuar dhe me një sistem referencial vlerësim jo në bazë të meritës dhe aftësisë.

Progres Raporti veçon ndër të tjera se vendi nuk ka aftësi të përshtatshme për të siguruar në  parandalimin e sëmundshmërive, por se shpenzon duke prioritizuar më shumë në kujdesin kurativ. Pra më shumë fonde shkojnë për spitalet se sa për kujdesin shëndetësor parësor.

Qartësisht pra kjo qasje nuk adreson nevojat reale të popullatës, ndonëse cdo vit harxhohen qindra miliona euro.

Ndaj dhe 50 milion euro në vit për PPP-të e Shëndetësisë nuk po identifikojnë sëmundshmëritë me risk të lartë në grup-popullatën 35-70 vjec.

Shqipëria, për Komisionin Europian vijon të mos shënojë asnjë progres në fushën dhe mekanizmin referues të niveleve të ndryshme shëndetsore, mungesë trajnimi të stafeve, apo komuniteteve vulnerabël si komuniteti Rom në lidhje me shëndetin riprodhues dhe legjislacionin përkatës.

‼️Vdekshmëria foshnjore 7 për 1000 të lindur, vijon të jetë në nivelet më të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe BE e cila e ka 3 për 1000 të lindur.

‼️Kequshqyerja tek fëmijat dhe nënat shtatëzënë mbetet një tjetër shqetësim i paadresuar tanimë, pasi shifrat janë vërtetë alarmanete.

Gjithpërfshirja për shtresat vulnerabël, sidomos komunitetet Rome dhe Egjiptiane vijon të mbetet e pa implementuar në praktikë.

Po ashtu tashmë vijon në disa progres raporte radhazi kërkesa e KE, për një strategjie kombëtare për drogërat, e koordinuar midis Ministrisë se Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë.

Për KE: “infrastruktura shëndetësore, pajisjet, burimet njerëzore dhe statistikat mbeten të pamjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale.” E në fakt ky është një realitet për shumë qytetare ku shërbimi shëndetësor është jashtë çdo lloj standarti. Kjo ndodh për një arsye të vetme, sepse Qeveria çdo rishikim që i bën buxhetit të shtetit, pakëson shpenzimet për investime të reja në Shëndetësi dhe prioritizon rritjen e faturave të PPP-ve. Kështu ndodhi dhe me miratimin e aktit normativ të fundit, ku më shumë se gjysma e fondeve që ishin parashikuar të përdoreshin për investime u shkurtuan.

Së fundmi, por jo nga rëndësia. Progres Raporti, vijon të shohe me shqetësim situatën e sigurisë së barnave dhe medikamentet si në shëndetësi ashtu dhe në përdorimin veterinar, nga rreziku i shtuar i kontrabandës dhe atyre të falsifikuara. Mungon legjislacioni i duhur për parandalimin e tyre, nga KE, rekomandon shtim të përpjekjeve për të mbrojtur publikun nga produktet mjekësore të falsifikuara dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkufitar për aksesin e qëndrueshëm në barna dhe përdorimin e tyre korrekt. Po ashtu Shqipërisë i kërkohet të rrisë investimet dhe ngritjen e kapaciteteve për ekspertizën në dispozicion për produktet mjekësore pediatrike, produktet mjekësore për diagnostikim, terapinë gjenetike dhe qelizore, etj.