Deputetja e Partisë Demokratike, Eralda Tase Bano, ka reaguar pas lajmit se Shqipëria renditet e fundit në Europë për kërkimin shkencor. Tase shprehet se në Shqiperi nuk prodhohet më shkencë sepse nuk ka më shkencëtarë dhe kjo për faktin se djemtë dhe vajzat të cilët do duhet të ishin këtu, në ballë të shkencës janë jashtë sepse kjo politikë vrastare 30 e pak viteve i ka detyruar të largohen.

Deputetja demokrate më tej thotë se situata e arsimit të lartë në vend është alarmante dhe se nuk ka ligje kërcënuese që mund t’i mbajnë të rinjtë tanë këtu. Sipas saj, ka lindur nevojë urgjente për ndryshim rrënjësor të sistemit arsimor duke i dhënë prioritet investimeve në arsim.

 

Reagimi i plotë i deputetes së PD, Eralda Tase Bano:

 

Ky lajm që Shqipëria renditet e fundit në Europë për kërkimin shkencor, godet rëndë.

Është një shuplakë e cila na fshik të gjithëve sepse reliteti ynë është i hidhur. Në Shqiperi nuk prodhohet më shkencë sepse nuk ka më shkencëtarë. Të paktën studimet e fundit tregojnë se Shqipëria është e tharë nga truri. Djemtë dhe vajzat të cilët do duhet të ishin këtu, në ballë të shkencës janë jashtë sepse kjo politikë vrastare 30 e pak viteve i ka detyruar të largohen.

Shqipëria nuk prodhon më shkencë sepse qeveria shqiptare nuk investon më asnjë qindarkë për kërkimin shkencor. Edhe ato pak burime që janë në dispozicion, ligji për arsimin e lartë, një ligj klientelist në natyrë, orienton paratë e buxhetit të shtetit të shkojnë drejt universiteteve jo-publike.

Situata e arsimit të lartë në vend është alarmante. Nuk ka ligje kërcënuese që mund t’i mbajnë të rinjtë tanë këtu. Ka lindur nevojë urgjente për ndryshim rrënjësor të sistemit arsimor duke i dhënë prioritet investimeve në arsim. Kur flas për investime kam parasysh invetimet cilësore me fokus rritjen e cilësisë, përmirësimin e literaturës, trajnimin e stafit akademik, kampuset universitare dhe ngritjen e strukturave të posaçme për zhvillimin normal të kërkimit shkencor i cili do të sjellë zhvillim dhe përmirësim të dukshëm të nivelit të përgjithshëm.

Jam e vetëdijshme se këto ndryshime nuk janë aspak të vështira, por kërkojnë minimalisht një qeveri funksionale dhe të përgjegjshme, të cilën mazhoranca aktuale nuk mund ta garantojë sepse nuk ka vullnet politk dhe qartësisht vizioni i saj është pasurimi i klanit kriminal të Edi Ramës. E ç’u duhet atyre arsimi fundja?