DENONCIMI I ANËTARES SË KRYESISË SË PD, ALFRIDA MARKU
Furnizimi me energji elektrike në Lezhë, edhe në këtë dimër, vijon të jetë në gjendje tejet problematike.
Kudo, në çdo njesi administrative, sidomos në Zejmen, Kolsh, Balldre, Shëngjin,Shënkoll, sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike nuk përballon përkeqësimin minimal të kushteve atmosferike.
Të fshehur pas “investimeve” fiktive janë shpërdoruar miliarda lekë fonde, duke shkaktuar situatën me të cilën banorët e Lezhës përballen sot : rrjeti i shpërndarjes së energjisë është i amortizuar! Banorët dhe bizneset, në qytet dhe fshat, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Në 5 vitet e fundit, ministrat, deputetet e rilindjes dhe oshee, kane propaganduar mbi 5 milion euro investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë e Lezhës.
Faktet dhe realiteti tregojnë se nuk kanë qenë 5 milion euro investime por 5 milion euro abuzime: investime fiktive apo të kryera pa standarte, rrjeti tejet i amortizuar, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve dhe punonjësve të OSHEE, furnizimi me tension të ulët i pamjaftueshëm për nevojat e familjeve dhe bizneseve.
Por, si gjithmonë, gjithçka është emergjente dhe e domosdoshme për banorët e Lezhës, as këtë herë nuk mund të ishte prioritet për qeverinë.
Buxheti i këtij viti 2024 ofron gjithmonë e me pak para për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Lezhë e sidomos në zonat rurale. Asnjë investim nuk është parashikuar nga OSHEE në Lezhë, ndonëse situata është emergjente. Mungesa e investimeve, amortizimi i rrjetit aktual dhe mos pasja prioritet e banorëve në këtë zonë është tepër shqetësuese. Ndërprerja e energjisë godet jo vetëm jetën familjare por më së shumti edhe bizneset.
Në këto kushte, kërkoj që autoritetet përgjegjëse të marrin masa duke rishikuar fondet sa i përket planit të investimeve për vitin 2024 dhe parashikuar ndërhyrje urgjente në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë Lezhë, si domosdoshmëri për banorët e Lezhës.
Furnizmi me energji eletrike është standart minimal që cdo qeverisje duhet tu sigurojë qytetarëve shqiptarë.
Gjithashtu, inkurajoj vënien para përgjegjësisë të cilitdo ka abuzuar dhe shpërdoruar fondet publike.