REAGIMI I NËNKRYETARES DHE DEPUTETES SË PD, ORIOLA PAMPURI

 

Raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë evidenton se, shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore. Kjo është shifra më e lartë ndër vendet e Ballkanit, çka tregon gjëndjen e vështirë në sektorin e shëndetësisë.

Shëndetësia “falas” mbetet jo vetëm një premtim tashmë i harruar i qeverisjes në vitin e saj të 11, por dhe mbështjeta buxhetore nuk është më prioritet. Mjafton të kujtojmë se për vitin e ardhshem, qeveria shkurtoi me mbi 70 milionë euro shpenzimet për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, ndërkohë që pagesat për 4 PPP-të e koncesionet korruptive me vlerë 50 milion euro nuk janë rishikuar, përkundrazi vijojnë të paguhen, pavarësisht se tashmë disa prej tyre janë nën hetim nga organet e drejtësisë.

Mungesa e prioritetit ndaj shëndetësisë, politika për sektorin jo të orientuara ndaj nevojave dhe patologjive të target grupeve më të rrezikuara, investime të munguara në infrastrukturë shëndetësore, keqmenaxhim në prokurimet publike, barra nga koncesionet jo esenciale që rëndojnë në buxhet, siguria e ulët në barnat, mbeten çështjet më të paadresuara dhe problematike.

Sot një pacienti në shërbimin shëndetësor detyrohet të paguajë edhe 60% më shumë para nga xhepi për të mbuluar shërbime shëndetësore e trajtim spitalor pavarësisht burimeve dhe mjeteve financiare që duhet ti mbulojë skema e sigurimeve shëndetësore dhe financimi i drejtëpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Qytetarët në çdo shërbim qoftë ai ambulator, trajtim ditor, apo dhe në trajtime të specializuara në qëndrat shëndetësore dhe spitalet e bashkive të vendit, do të duhet të sigurojnë vetë barnat apo mjekimet shëndetësore.

Kjo situatë jo vetëm që nuk është përmirësuar apo së paku të mbetej e pandryshuar gjatë viteve, por në të vërtetë ka ardhur duke u përkeqësuar. Mjafton të sjellim në vëmendje raportet e OBSH-së, 10 vite më parë, në të cilat citohej se shqiptarët paguanin deri në 45% para nga xhepi ekstra, e duke vijuar një vit para pandemisë në 2019, ky raport shkonte më shumë se 50%.

Përgjegjës të drejtëpërdrejtë për gjëndjen në shëndetësi janë titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë ndër vite prej 2013, pa anashkaluar përgjegjësinë e Ramës. Për të gjitha aferat dhe kontratat koncesionare të cilat janë miratuar në shkelje e po hetohen nga SPAK, e per te cilat do të duhet të përgjigjen deri ne fund.