DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR PROGRAMIN, DEPUTETI ARBI AGALLIU

 

Përshëndetje të nderuar qytetarë!

 

Nga 1 janari ka nisur të zbatohet tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

 

Nga 1 janari janë 262 profesione të lira, ku mijëra e mijëra shqiptarë punojnë për të mbajtur familjet e tyre, të cilët do të paguajnë më shumë detyrime në buxhetin e shtetit.

 

Në fakt, këta të vetë punësuar përbëjnë shumicën e shtresës së mesme të shoqërisë sonë. Është pikërisht kjo fash qytetarësh që bën dhe qarkullimin e parasë. Është pikërisht kjo shtresë e cila konsumon dhe investon në tregjet shqiptare. Është pikërisht kjo shtresë që shtyn përpara ekonominë shqiptare, gjeneron vende pune, dhe qarkullon kapitalin.

 

Por çfarë po ndodh?

Në vend që qeveria t’i ulë barën fiskale duke i dhënë frymëmarrje po ndodh e kundërta. Rritja e detyrimeve fiskale apo vendosja e taksave të reja e mbyt edhe më shumë këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë sonë.

Rritja e barrës fiskale, e sidomos tatimi progresiv në vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria, do të rrisë informalitetin, për të mos thënë që rritja e barrës fiskale e shtyn biznesin në faliment.

 

Qeveria do duhet të nxisë aktivitetin tek profesionet e lira duke ulur barën fiskale dhe madje duke incentivuar sipërmarrje të caktuara, por kjo nuk ndodh. Nuk ndodh sepse do duhet të mbulohen gropat në buxhetin e shtetit që vijnë si pasojë e abuzimit dhe vjedhjes nga kjo qeveri, skandalet e së cilës i shohim përditë.

 

Të nderuar qytetar!

 

Viti 2024 duhet të jetë një vit ku sipërmarrësit, të vetëpunësuarit, të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë për t’i ndihmuar, mbështetur, subvencionuar e nxitur për t’u zhvilluar më tej, por mesa duket do jenë në vëmendje të qeverisë për t’u tatuar gjithmonë e më shumë.

 

Veç të tjerash, kjo është dhe arsyeja që shtresa e mesme largohet nga Shqipëria. Mjekë, inxhinierë, infermierë, hidraulikë, teknikë, elektricistë, e shumë e shumë profesionistë po largohen çdo ditë e më tepër.

 

Faleminderit!