NJOFTIM PËR SHTYP

Partia Demokratike e Shqipërisë ka nisur procesin e evidentimit të kandidatëve të saj për deputet.

Kryesia e kësaj partie ka marrë miratuar udhëzimin që ua ka nisur degeve të partisë ku janë përcaktuat kriteret dhe rregullat për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë.

Degët që kanë përfunduar procesin zgjedhore nisin menjeherë nga procesi.

Në vendimin e Kryesisë së PDSH-së thuhet se “procesi duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe me synim maksimalizimin e votave”.

“Brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, në prezencë të anëtarit të Deleguar të Grupit të Punës, zhvillohet mbledhja e Kryesisë në çdo Degë të Partisë për fillimin e procesit të konsultimit me antarësinë dhe miratimin e kalendarit të takimeve konsultative dhe caktimin e datës së mbledhjes së Kryesisë së Degës të Partisë, në të cilën do të propozohen kandidaturat për deputetë. Mbledhja për propozimet zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga mbledhja e parë.” – thuhet më tej në vendimin e bërë publik të Kryesisë së Partisë Demokratike.

Një vend të veçantë në kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, është zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, për të cilin PD është investuar dhe e ka të panegociueshëm, ashtu sikurse ligji i lustracionit, sipas të cilit asnjë prej propozimeve të kësaj force politike nuk duhet të ketë pasur ndonjë funksion publik apo politik gjatë periudhës 1944-1991.

Kështu, në Aneksin A, kur flitet për kriteret, në pikat c dhe ç, shprehimisht thuhet se kandidati i Partisë Demokratike për përfaqësim politik për Deputet duhet të plotësojë kriteret:
c) të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar”;
ç) në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike.

Gjithashtu, një vend të veçantë i është dhënë përfaqësimit të grave, të rinisë, të përfaqësuesve të të përndjekurve apo pronarëve, përfaqësues të sipërmarrjes si dhe prurjeve të reja nga bota akademike apo shoqëria civile në listat e ardhshme për deputetë, ku, mes të tjerash, thuhet se “procesi i propozimit dhe konsultimit së kandidaturave mban në konsideratë: a. përfaqësimi i grave duhet të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve; b. përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve; c. përfshirjen e përfaqësuesëve të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të sipërmarrjes si dhe prurjeve të reja nga bota akademike apo shoqëria civile”.
Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet për një proces transparent dhe në përputhje të plotë me interesin publik, duke u dhënë shqiptarëve një listë dinjizoze, ku gjithsekush të ndihet i përfaqësuar.
Vetëm një politikë me fytyrë njerëzore dhe me integritet të lartë moral dhe politik, mund ta shndërrojë politikën në shërbim të njerëzve dhe mund të kthejë besimin e humbur te politika.