REAGIMI I SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE NË PD, INDRIT SEFA

 

 

Për pazarexhinjtë që turpin duan ta hanë me bukë dhe thonë se Komisioni aktual i Reformës Zgjedhore nuk ka dhënë asnjë produkt konkret. Ja e vërteta:

 

Një ndër argumentet që përfaqësuesit e PS-së dhe ata të Rithemelimit artikuluan në seancën e sotme, por edhe më parë, është se përgjatë dy viteve Komisioni i Reformës Zgjedhore me bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn, nuk ka dhënë asnjë produkt konkret.

 

E thonë një gjë të tillë sigurisht për të legjitimuar dështimin e komisionit aktual dhe për të pasur “të drejtën” për një pazar mes tyre, ngjashëm me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

 

Dhe dihet që sa herë Berisha dhe Rama bëhen bashkë, ata janë duke kurdisur me siguri diçka në dëm të shqiptarëve dhe në interesin e tyre personal.

 

Por si qëndron e vërteta? A ka pasur një produkt Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe, mbi të gjitha, a ka pasur propozime konkrete Partia Demokratike e përfaqësuar në atë komision nëpërmjet bashkëkryetarit, Enkelejd Alibeaj?

 

Një gjë e tillë në seancën e sotme u sqarua disa herë nga Basha dhe Alibeaj, mirëpo, përtej fjalëve të gjithsecilit, faktet ngelen.

 

Fakti i parë është kjo foto e dërgimit të materialit të parë nga une si Sekretar Ligjor i PD-së, pikërisht në datën 14 dhjetor 2022, ora 11:19 AM, me titullin: Projekt-ligj për ndryshimet e Kodit Zgjedhor PD.

 

Materiali, sipas procedurës, i ka shkuar Sekretares së Komisionit, znj. Elona Toto.

 

Ky material, përveç të ashtuquajturës Paketa e Sigurisë Zgjedhore, që mbart propozime konkrete se si mund të shmanget manipulimi i votës dhe elemente të tjera të sigurisë, ka pasur bashkëlidhur edhe propozimet konkrete dhe të detajuara të Partisë Demokratike lidhur me Ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

 

Përveç kësaj, bashkëlidhur po ju bëjmë publike edhe përgjigjen dhe njoftimin e Sekretares së Komisionit, znj. Elona Toto, e cila njofton deputetët se “me porosi të bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, ju njoftoj se mbledhja e Radhës do të zhvillohet ditën e premte, dt. 16 dhjetor 2022, në ora 10:30 me rend dite: Propozimet e ekspertëve të komisionit (përfaqësues të Partisë Demokratike), lidhur me ndryshimet ligjore për zgjedhjet (i gjeni bashkëlidhur)…”

 

Pra, një pjesë e deputetëve të PS-së dhe të Rithemelimit që sot gënjejnë paturpësisht për mungesën e mbledhjes, së punës dhe të produktit të këtij komisioni, duke qenë se kanë qenë të informuar dhe prezent, do duhet, të paktën, të skuqeshin kur të artikulonin gënjeshtrat e tilla për konsum të politikës ditore.

 

Me sa duket, verbëria për karrigen e deputetit i ka bërë që të humbasin çdo normë dhe çdo moral, duke mos pasur as vetëdije politike, por, mbi të gjitha, as vetëdije qytetare.

 

Fatkeqësie e madhe se në çfarë bataku ka rënë përfaqësimi i Parlamentit të Shqipërisë, ku burrat zhburrërohen me porosi të shefit, mjafton që t’u pëlqejnë atyre, pavarësisht se çfarë gënjeshtre apo turpi artikulojnë.