DEKLARATË E SEKRETARES PËR PUSHTETIN VENDOR DHE DECENTRALIZIMIN NË PD, ALFRIDA MARKU
Të nderuar qytetarë !
Pas dështimit për tju mundësuar shqiptarëve shërbime më të mira dhe investime cilësore e të qëndrueshme vendore, kjo qeverisje sajon/shpall strategji të reja vjedhje, për të mbuluar abuzimet e vjetra me abuzime të reja.
Familjet shqiptare tashmë do të përballen edhe me rritjen e pajustifikuar të tarifës të ujit të pijshëm, në një kohë që në të gjitha bashkitë në vend, shërbimi dhe infrastruktura në këtë sektor mbeten problem emergjent ende i pazgjidhur.
Sipas Vendimeve të Entit Rregullator të Ujit :
nga sot, qytetarët e Bashkisë Lezhë do paguajnë 12% më shtrenjtë faturën e ujit.; qytetarët e bashkive Mirditë e Kurbin do të paguajnë 50 % më shumë.
prej muajit shkurt, qytetarët e Bashkive Vlorë, Himarë dhe Selenicë, paguajne 33 % më shtrenjtë faturën e ujit.
Ndërkohë, Shoqëritë ujësjellës kanalizime Fier dhe Durrës kanë aplikuar për rritjen e tarifave të ujit; Shoqëritë ujësjellës kanalizime Shkodër, Kukës, Berat, Elbasan, janë gjithashtu në proces.
Kryetarët e Bashkive, bashkëpunëtor në këtë vendimmarrje abuzive, sot heshtin, sepse interesat e tyre politike peshojnë më shumë sesa problemet e qytetarëve. Pasi ia dorëzuan autoritetin ekzekutiv llogarive politike, duke lejuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në kundërshtim me parimet e autonomisë vendore të marrë shumicën e aksioneve në të gjitha shoqëritë rajonale të ujësjellës kanalizimeve, kanë hequr dorë edhe nga përgjegjësia per tju sherbyer qytetareve dhe reaguar ne cdo rast kur cenohet interesi publik.
Çdo taksë e tarifë e paguar nga qytetarët është e drejtë e tyre për shërbime vendore të përmirësuara, dhe detyrim i cdo funksionari, të zgjedhur apo emëruar, për të mbajtur përgjegjësi për cdo vendim apo veprim, të gabuar apo shkelje të ligjit.
Partia Demokratike u bën thirrje Bashkive, Ministrisë së Infrastrukturës, Entit Rregullator të Ujit, të marrin përgjegjësitë për t’ju shërbyer qytetarëve!!
Të revokojnë çdo vendim, të heqin dorë nga cdo iniciativë e gabuar dhe abuzive, të denoncojnë cdo vendim abuziv të cilitdo funksionar publik, që shkel interesat e qytetarëve, sikurse është së fundmi rritja e tarifës së ujit!
Bashkitë dhe Qeveria duhet të japin llogari për mungesën e shërbimeve, shpërdorimin dhe abuzimin me taksat e shqiptarëve.
Ju faleminderit !