Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një intervistë për Euronews Albania se me Serbinë duhet të jemi të kujdesshëm.
Ai tha se deklaratat e Vuçiçit dhe deputetëve të Serbisë në KiE, por edhe sulmi i Banjskës, kanë treguar se Serbia qëndron më pranë vizionit të Putinit për një realitet të ndryshëm strategjik dhe nuk përputhet me vizionin e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, apo edhe me vizionin e NATO-s.
Nuk mendoj se ka një naivitetit sa i takon qëllimeve politike të Beogradit që janë krejtësisht të kundërta me ato që deklarohen. Këtej deklarohen për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, por nuk e pranojnë mekanizmin që i mbron serbët e Kosovës.
Përkundrazi i përdorin serbët e Kosovës si “mish për top” siç e tregoi edhe sulmi paraushtarak i Banjskës, i cili nuk është diçka e izoluar, por është pjesë e vizionit të Vuçiç. Është në kundërshtim me vizionin e Këshillit të Europës, në kundërshtim me vizionin e Bashkimit Europian dhe të NATO-s, është në përputhje me vizionin e Putinit dhe të satelitëve të tij për një realitet të ndryshëm gjeostrategjik.
Nuk mendoj se Vuçiç mund të vërë këdo në gjumë me deklaratat e tij. Përkundrazi deklaratat e tij i kanë hedhur benzinë zjarrit, veprimet që kanë kryer tregojnë qartë që me Serbinë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse për momentin është një forcë revanshiste në Ballkan, gjë që u tregua edhe nga fjalimet radikale, të papranueshme të deputetëve serb.