Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i ftuar në një intervistë në emisionin “Inside Albania” me gazetaren Alice Taylor, në televizionin Euro News Albania. Zoti Basha u dha përgjigje pyetjeve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, miratimit të rezolutës nga Asambleja Parlamentare e KiE, për konfiskimin e aseteve shtetërore ruse që janë ngrirë dhe krijimin e instrumenteve për t’ja vënë ato në dispozicion të Ukrainës. Kreu i PD, gjithashtu u foli edhe për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, zhvillimet e fundit politike si amnistia për të korruptuarit, si dhe zhvillimet brenda PD.
Më poshtë, intervista e plotë:
Përshëndetje dhe mirë se erdhët në Inside Albania me mua, Alice Taylor. Jam në studio me Lulzim Bashën, ish-ministër i brendshëm, ish-ministër i jashtëm, ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, kryetar i Partisë Demokratike ose të paktën një fraksioni të saj dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Mirë se erdhët në Inside Albania, është kënaqësi t’ju kem sot në emision.
Faleminderit për ftesën, jam i lumtur që jam këtu.
Pyetja e parë. Ne ishim në Strasburg për votimin historik për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Por ju, si anëtar i delegacionit shqiptar në KiE, paraqitët një rezolutë për Ukrainën, e cila u miratua unanimisht. Fantastike! Diçka që më pëlqen te KiE, dhe këtu do tregohem e kujdesshme me fjalët, është se shkojnë përtej Parlamentit Europian. Marrin vendime, miratojnë rezoluta dhe mbajnë qëndrime më të forta se Parlamenti apo Komisioni. Kjo është ajo që më pëlqen te KiE, por doja t’ju pyesja pak për rolin tuaj në rezolutën për Ukrainën. Ju tërheq politika ndërkombëtare apo ajo e brendshme më shumë?
Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. E njoh politikën ndërkombëtare për shkak të përvojës time të mëparshme si ministër i jashtëm dhe natyrisht njoh politikën shqiptare sepse jam pjesë e saj prej një kohe të gjatë. Ka pika ku të dyja takohen dhe mendoj se ajo që ndodhi dy javë më parë në Strasburg është një shembull i tillë. Fillimisht, drita jeshile nga Asambleja Parlamentare është lajmi më i mirë për Kosovën në këto kohë dhe hap rrugën për finalizimin e këtij vendimi nga Komiteti i Ministrave, që Kosova të marrë vendin që i takon si anëtare e plotë e KiE. Lajm fantastik për të gjithë, sidomos për serbët e Kosovës, të cilët janë përdorur për një kohë të gjatë si dash për kurban nga Beogradi, dhe që tashmë mund të gëzojnë mbrojtje nga Konventa dhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në vend që të nëpërkëmben nga Beogradi për të përmbushur agjendën e tyre revizioniste në Ballkan. Kjo natyrisht ka rol në interesat tona kombëtare si Shqipëri, që të normalizohet situata në Kosovë, të mposhtet çdo përpjekje e Beogradit për të përhapur skenarë politikë që shkojnë kundër aspiratave të rajonit për integrim të plotë në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe për të lejuar njerëzit të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre, në vend që të diktohen nga agjendat e qeverive, në këtë rast në Beograd por jo vetëm, po ashtu edhe në Republika Srpska, të cilat nuk ndajnë aspiratat, vlerat dhe vizionin afatgjatë të komunitetit euro-atlantik për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuptim, është një pikë takimi mes agjendës ndërkombëtare dhe asaj që unë besoj se duhet të jetë agjenda e Shqipërisë. Kur bëhet fjalë për Ukrainën, e gjitha filloi me raportimin tim për çështjen e konfiskimit të aseteve shtetërore ruse. Janë më shumë se 300 miliardë euro asete të ngrira, pasi Rusia nisi luftën e paprovokuar në Ukrainë, që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe krime të tmerrshme lufte për të cilat Vladimir Putin është paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Ukraina e gjen veten në një pozitë shumë të vështirë. Jemi mirënjohës që SHBA javën e kaluar miratoi paketën e ndihmës, por jam akoma edhe më i lumtur që pas miratimit të rezolutës në mënyrë unanime nga Asambleja Parlamentare e KiE, për konfiskimin e aseteve shtetërore ruse që janë ngrirë dhe krijimin e instrumenteve për t’ja vënë ato në dispozicion të Ukrainës, vendi i parë që përparon në këtë drejtim është në fakt një shtet jo anëtar i KiE, pra SHBA. Pjesë e paketës së ndihmës është edhe paketa ligjore e Kongresit, pra e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, për autorizimin e presidentit amerikan që të konfiskojë asetet ruse dhe t’i vendosë ato në dispozicion të Ukrainës. Ky është akti i parë, votimi në dhomën e Përfaqësuesve u mbajt të shtunën dhe të martën e ardhshme u miratua nga Senati. Kanë qenë 10 ditë lajme të mira për Ukrainën dhe aleatët e tyre.
Mendoni se kjo mund të nxisë BE-në? Ata kanë kohë që debatojnë çfarë do bëjnë me asetet dhe në draftin e fundit flitej për përdorim të mundshëm të parave të gjeneruara prej tyre. Pra, interesat nga fonde në llogari bankare, sesa vetë asetet. Mendoni se kjo mund ta nxisë disi BE-në?
Uroj që po! Marrja e interesit sigurisht është një hap i mirë, por sipas meje nuk mjafton. Besoj se ka ardhur koha që të kemi qartësi të plotë strategjike dhe gjithnjë mund të mësojmë nga shembujt e shumtë që na jep historia. Nga bisedat me disa prej udhëheqësve më të informuar politikë dhe ushtarakë të NATO-s gjatë javës së fundit, u frymëzova nga ajo që një ish-komandant suprem ndau me një rreth miqsh. Kjo ishte qartësia strategjike që përcaktoi rrjedhën e ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për një kohë të gjatë, Churchill shpresoi se SHBA do të hynte në luftë, por kjo nuk ndodhi deri në ngjarjen e Pearl Harbor. Churchill udhëtoi drejt Uashingtonit, u takua me presidentin Roosevelt dhe dolën me një mesazh shumë të qartë: Gjermania e para! Flota amerikane e Paqësorit po dergjej, por kishte mendim të qartë se Gjermania ishte prioritet strategjik. Një vit më vonë, dy udhëheqësit u takuan sërish në Casablanca dhe prej aty dolën me një tjetër mesazh strategjik: dorëzimi i pakusht i Gjermanisë naziste dhe Japonisë imperialiste. Kjo është qartësia strategjike që nevojitet sot. Mposhtja e pakusht e Rusisë në Ukrainë nuk është thjesht qëllim strategjik për të mbështetur Ukrainën. Është një kusht strategjik që Rusia të mos përparojë më. Ashtu siç tha edhe Kryetari i Parlamentit ukrainas në mënyrë aq elokuente në atë fjalim aq të fortë në KiE, se kombet e tjera nuk janë të detyruara t’i shohin në sy ushtarët rusë.
Uroj që mos të duhet një incident si ai i Pearl Harbor që njerëzit të kuptojnë domosdoshmërinë e kësaj qartësie strategjike. Dua t’ju pyes për Kosovën. Kam dëgjuar në Strasburg se nëse do të jenë të sigurt që Kosova do ta kalojë votimin në nivelin e Komitetit të Ministrave, atëherë seanca do të mbahet gjatë muajit maj, por nëse ka dyshime, ndoshta do të provohet një datë e dytë.
Çfarë keni dëgjuar ju? Mendoni se do të kemi një votim të suksesshëm këtë muaj apo do të ketë shtyrje?
Uroj shumë që Komiteti i Ministrave të bëjë përpara dhe shpresoj që ta ndajë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE nga çështje të tjera të rëndësishme, që duhen ndjekur. Thënë ndryshe, për mua nuk është qasja e duhur që anëtarësimi i Kosovës të konsiderohet shpërblim. Në radhë të parë është në interesin e pakicës serbe dhe të atyre, që sikurse unë, shohin nevojën për të shkëputur agjendën agresive dhe të rrezikshme të Beogradit ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon nga agjenda e përditshme e serbëve të Kosovës. Ndaj nuk duhet hezituar fare për të shtyrë përpara anëtarësimin e plotë në mundësinë e parë që jepet gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg nga 16-18 maj.
Kosova ka kaluar momente të vështira vitin e kaluar, siç ka ndodhur viteve të fundit. Në aspektin diplomatik, ka pasur shumë presion nga BE dhe SHBA. Kurti është kritikuar nga aleatët që thonë se ai nuk ka ndihmuar në stabilizimin e situatës, në shtensionim, fjalë e përdorur shumë këto kohë. Personalisht mendoj se shumë nga kritikat ndaj Kosovës, ndaj Albin Kurtit kanë qenë të padrejta.
Mendoni se Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për ta mbështetur Kosovën gjatë kësaj kohe, duke i dalë për zot interesave të saj?
Mendoj se Shqipëria është shumë mbrapa me agjendën për mbështetjen e Kosovës dhe reflektimit të vlerave dhe parimeve euro-atlantike në politikën e jashtme rajonale. Këtë e them pa hezitim. Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka shkuar në drejtimin e gabuar duke e konsideruar Beogradin si një partner të besueshëm, duke krijuar distanca të panevojshme nga kryeqytetet e emancipuara të rajonit, që ndajnë të njëjtat vlera dhe agjendë euro-atlantike, si për shembull Zagrebi apo Sofja dhe të tjerët. E shohim çfarë do Vuçiç. Caktimi i Vulin zëvendëskryeministër është sinjal i qartë ndaj bazës së tij dhe Perëndimit.
“Nuk na intereson çfarë thoni, çfarë mendoni!” Ky njeri është shpallur “non grata” sepse shihet si ithtar i Putin në Ballkan. Ky është Vuçiç, e bën zëvendëskryeministër atë njeri. Mos u gënjeni! Ky njeri na e ka thënë, të paktën është treguar i sinqertë se do të presë rrethanat e duhura sa i takon Kosovës dhe të ashtuquajturës agjenda perandorake serbe, që është shpalosur para syve tanë. Për një kohë të gjatë, Vuçiç ka folur me gjuhën e Perëndimit, por ka vepruar si Moska.
Ai shkon në Bruksel për takime, jep deklarata për normalizimin e marrëdhënieve dhe kur kthehet në Beograd, del në mediat serbe dhe i qesh në fytyrë BE-së dhe ndërmjetësuesve.
Është një version i Putin. Është shfaqja e Putinit këto 15 vitet e fundit, por me gjithë orkestrën që sjell Kremlini. Është një version i Putinit. Kjo është një qasje e dyfishtë, por në thelb të saj është e njëjta keqardhje që Putin ka shprehur për shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilën Vuçiç e ka shprehur për rrënimin e hegjemonisë serbe në ish-Jugosllavi. Ai nuk do ta pranojë se ajo hegjemoni nuk do të kthehet më. Ai nuk i përqafon vlerat për të cilat Perëndimi ka investuar shumë. Ai përqafon një tjetër këndvështrim dhe e përfaqëson fatkeqësisht në retorikën që dëgjojmë nga disa udhëheqës në Perëndim, për ringritjen e shtetit komb mbi konfigurime të tjera, si zgjidhja për problemet e ditëve të sotme. Është kurth i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin, dhe hap i rrezikshëm për mirëqenien e popujve tanë. Vuçiç duhet ndalur! I duhet thënë me bindje se i jemi vënë pas që prej Banjskës, që ishte një ndërhyrje e pastër paraushtarake e orkestruar, financuar dhe përgatitur nga Beogradi. Ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me vende të tjera të rajonit për të shpejtuar rrugën e integrimit europian, me BE-në si destinacionin përfundimtar të këtij rrugëtimi, për t’u siguruar që të gjithë popujt e këtij rajoni, pavarësisht prejardhjes etnike, të shijojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtave kombëtare, të mundësive ekonomike, të lehtësimit të lëvizjes së kapitalit dhe fuqisë punëtore siç bëjnë shtetet e BE. Duhet lënë pas çdo hatërmbetje që e ka prejardhjen nga procesi i dhimbshëm i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Por jo! Ai bën të kundërtën. Ai mbështet rikrijimin e një perandorie serbe me Beogradin në qendër, me ndarjen e Republika Srpska, me Malin e Zi që përdoret si Bjellorusia e Beogradit. Si parathënie e kësaj ka shërbyer përpjekja për të marrë me forcë pjesë të Kosovës, një shtet i pavarur, duke imponuar realitetin e ndarjes së veriut të Kosovës. Ky është kërcënim ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Nuk duhet të presim që Vuçiç të hedhë zarin. Duhet ta ndalojmë tani! Shqipëria ka një rol të madh. Nuk mund të fshihemi pas privilegjeve tona si anëtare e NATO-s, nuk mund të fshihemi pas sigurisë së aleancës tonë të afërt dhe strategjike me SHBA apo me Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në. Ne duhet të ndërmarrim hapat tona! Ja përse, prej më shumë se katër muajsh, propozimi im zvarritet në Parlament. Kam kërkuar një financim vjetor nga Shqipëria për Kosovën në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove. Janë aty, por në vend që të hidhet për diskutim dhe të votohet në mënyrë unanime, është zvarritur. Kjo është shenjë e sjelljes së papërgjegjshme të Shqipërisë nën qeverisjen aktuale, sa i takon sigurisë kombëtare, asaj rajonale dhe arkitekturës euro-atlantike të sigurisë në Ballkan.
Shqipëria duhet të bëjë më shumë dhe rezoluta që ju keni prezantuar në Parlament duhet të jetë një hap i mirë në këtë drejtim.
Po, mendoj se ajo që duhet të bëjmë është që t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. T’i lëmë tifozët e futbollit të shijojnë këngët patriotike, por të marrim hapa të matura dhe të vendosura që të tregojmë se për Shqipërinë është i papranueshëm çdo skenar për mënjanim të agjendës euro-atlantike nga cilido aktor rajonal dhe se jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për ta ndaluar një skenar të tillë.
Nga konflikte të mundshme në rajon te politika e brendshme, që është një tjetër lloj konflikti. Në 2025 do kemi zgjedhjet e përgjithshme. Duket sikur është kohë e gjatë, por në fakt kalon shumë shpejt. Partia Socialiste është aktualisht në mandatin e tretë. Opozita është e përçarë, ka konflikte të brendshme. Parë nga ky prizëm, duket më e thjeshtë që PS të fitojë një mandat të katërt, sepse opozita është e përçarë. E shihni të mundshëm ndërrimin e pushtetit? Cili është plani juaj? Cili është drejtimi juaj për vitin që vjen, që do të jetë thelbësor?
Vëzhgimi juaj qëndron, por sigurisht që ka një rrugë, ndjekja e së cilës është çështje vullneti dhe vizioni. Cila është rruga? Shumica e shqiptarëve nuk e mbështesin gjendjen aktuale. Ata besojnë se Shqipëria po shkon në rrugën e gabuar. Shumica e shqiptarëve duan ndryshimin. Sfida e opozitës është të krijojë një shumicë politike nga kjo shumicë e qytetarëve, që pakënaqësia të kthehet në votë dhe që këta njerëz të votojnë ndryshimin. Por që të ndodhë kjo, duhet të bëjmë një ofertë për ndryshim, një ofertë të besueshme, realiste, si dhe instrumentet që kjo ofertë jo vetëm t’ju paraqitet qytetarëve, por t’i çojë ata në kutitë e votimit dhe të fitojë votat e tyre. Për këtë, Partia Demokratike po investon shumë në aspektin politik, për t’i dhënë fund telenovelës së dy viteve të fundit që i ka kushtuar shtrenjtë opozitës, duke i lejuar qeverisje të lirë Ramës dhe kabinetit të tij. Po përqendrojmë gjithë energjinë dhe vëmendjen tonë në përgatitjen e një programi, si dhe instrumentet e besimit se kjo ofertë do të zbatohet si duhet. Më kryesorja është një skuadër e besueshme kandidatësh për parlamentin e ardhshëm. Në vija të trasha, këtu po përqendrohet PD aktualisht.
Më lejoni të përqendrohem te shumica e pakënaqur me gjendjen aktuale dhe si po shkojnë punët. E di se jemi një vit larg dhe këto gjëra kërkojnë kohë, por cilat shihni ju të jenë pjesët më konkrete dhe të rëndësishme të kësaj strategjie? Si do të arrini që njerëzit ta kuptojnë atë që ju thoni dhe t’ju bëni një ofertë për zgjidhjen?
E para është një analizë reale e situatës në vend, dhe kjo natyrisht nuk duhet të jetë një sintezë akademike e asaj një njerëzit përjetojnë çdo ditë, por një përmbledhje e saktë e problemeve që 11 vite keqqeverisje i kanë shkaktuar Shqipërisë dhe qytetarëve. Ekonomia del në pah si problemi dhe sfida më e madhe. Kostoja e lartë e jetesës, klasa e mesme e vogël dhe e varfëruar, që gjithnjë e më shumë po tkurret. Mungesa e perspektivës për të rinjtë. Pensionistët në Shqipëri janë më të varfrit në rajon, shumë më të varfër se ata në Kosovë. Sektorë jetësorë për ekonominë tonë, si bujqësia që zë 20% të PBB-së dhe punëson 30% të shqiptarëve, është një nga sektorët më të pambështetur. Është çështja e profesioneve të lira, e klasës së mesme, arsimit, shëndetësisë. Të gjitha po këqyren nga ekspertët më të mirë që kemi, në bashkëpunim edhe me ekspertë nga SHBA, Gjermania, që po na ndihmojnë të hartojmë analizën dhe zgjidhjet më të mira për problemet. Kjo është një temë e gjerë dhe do të doja të vija sërish këtu për të folur për të gjitha fushat që janë pjesë e këtij vizioni, por në thelb ajo që po tentojmë është t’i japim fund 34 viteve të tranzicionit, të politikës që ka humbur shpirtin njerëzor, që ka uzurpuar institucionet shqiptare dhe i ka përdorur për përfitimin dhe pasurimin e vetë, dhe të krijojmë bazat për një kulturë të re politike, që ka një fytyrë dhe shpirt njerëzor, që e konsideron rikthimin e institucioneve qytetarëve detyrën e saj më të shenjtë, në vend që shteti të përdoret si pronë private e partisë në pushtet. Ky është po ashtu parakusht për t’i lejuar Shqipërisë të shijojë potencialin e plotë, sidomos ekonomik. Besoj se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’i lejuar jo vetëm popullatës aktuale…
Në jug kam parë grumbuj me mollë që kalben në anë të rrugëve. Shumë prodhime hidhen në kosh. Kam intervistuar njerëz që prodhojnë erëza, të cilët thonë se kanë kaq shumë kërkesa saqë nuk ja dalin dot, por që nuk mund ta zgjerojnë biznesin për shkaqe të ndryshme. Është interesante dhe e kam përmendur më parë. Kur ju dëgjoj të flisni për politika, ju doni të ndihmoni klasën punëtore. Por partia juaj është një parti e qendrës së djathtë. Jeni të lidhur me Partinë Popullore Europiane, por shpeshherë, politikat tuaja ngjajnë shumë të majta. Është rezultat i realitetit shqiptar? Si e shpjegoni? Sepse nuk jam e vetmja që e them këtë.
E kuptoj nga ju buron paqartësia, por kur flitet për mënyrën si duhet të duket qeverisja, pozicioni ynë është tërësisht në linjë me vlerat, parimet dhe besimet e familjes ku ne bëjmë pjesë. Ne besojmë te një qeveri e vogël, te taksa e sheshtë. Besojmë se Shqipëria duhet të ketë taksën e sheshtë dhe nivelin më të ulët të saj krahasuar me vende të tjera për të krijuar një mjedis konkurrues. Jo vetëm kaq, por ne e dimë se taksa e sheshtë lufton informalitetin. E kuptojmë sa paradoksale mund të tingëllojë por kemi prova empirike që tregojnë se zbatimi i taksës së sheshtë sjell nivele më të larta grumbullimi. Shumë kompani po heqin dorë nga tundimi për të punuar me bordero të dyfishta. Ne besojmë te një qeveri e vogël, te taksat e ulëta, te fuqia e individit kundër fuqisë së qeverisë, por ka fusha ku qeveria duhet të udhëheqë. Përmendët mollët që kalben, qepët, patatet… Ky është dështim i qeverisë, jo i fermerëve! Përqark Europës, në vende që duan të anëtarësohen në BE, apo qoftë në Kosovë, ku po hidhen hapat e parë drejt anëtarësimit, qeveritë mbështesin fermerët! Shqipëria është vendi i vetëm që nuk mbështet fermerët, por bën më keq se kaq. Skandali i shtatorit të kaluar tregon se nuk mjafton vetëm vjedhja e subvencioneve për fermerët, por keqpërdoren 70 milionë eurot e IPARD nga taksapaguesit e BE-së për qëllime korruptive. Këto para janë keqpërdorur dhe tani po bëhet një hetim. Po, besoj se qeveria ka një rol për të luajtur kur flitet për fermerët. Subvencionet janë të rëndësishme. Kemi dy ndryshime madhore në planin tonë. E para, ndryshimi më i rëndësishëm është një rritje sasiore në shumën që qeveria duhet t’ju vendosë në dispozicion fermerëve. E dyta, po aq e rëndësishme, është të mos bëhen dallime. Subvencionet do të paguhen mbi bazën e prodhimit, duke eliminuar burokracinë që ekziston, si alibi për dështimin në mbështetjen e fermerëve. Fermerët duhet të kenë infrastrukturë, rrugë kryesore e të tjera. Ata duhen mbështetur me sistemet e ujitjes dhe energjinë elektrike që të mund të ndërtojnë magazina dhe fabrika që t’i ndihmojnë t’i kthejnë mollët në reçel në vend që të flaken tutje. Infrastruktura duhet të jetë prioritet dhe e tillë do të jetë në planin tonë, sa i takon investimeve të qeverisë. Shtylla e tretë në propozimet tona për fermerët është qasja në tregje. Një fermer sot e ka shumë vështirë ta çojë prodhimin e tij në tregun vendas.
Si mund të vijë nga Dibra në Tiranë, aty ku ka kërkesa?
Infrastruktura është e varfër. Ka një mori policësh dhe inspektorësh që fshihen cepave për t’i kapur, ndërsa prodhimi nuk arrin as tregun vendas, jo më ato të mëdhenjtë apo të Tiranës, apo tregjet rajonale dhe europiane. Ka qenë dështim edhe i partisë në pushtet, por edhe i yni në të shkuarën, që nuk krijuam infrastrukturën e duhur për të certifikuar prodhimet shqiptare, që vaji i ullirit shqiptar t’i arrijë tregjet europiane si i tillë, në vend që sasi të mëdha të etiketohen si vaj ulliri italian, grek apo edhe serb, duke i hequr marzhe të mëdha fitimi fermerit shqiptar. E njëjta edhe me produkte të tjera. Besoj se qeveria duhet të udhëheqë. Nuk mund thjesht të qëndrojë në heshtje dhe të lërë forcat e tregut të punojnë, sepse kudo në Europë dhe SHBA, fermerët për shkak të aktivitetit të tyre, duhet dhe do ta kenë qeverinë në krah. E njëjta vlen për arsimin. Besoj se është roli i qeverisë ta transformojë arsimin, që të përgatisë terrenin, në mënyrë që vajza jote 5-vjeçare të cilën e takuam më parë, dhe bashkëmoshatarët e saj të kenë kushtet e duhura jo vetëm për të marrë arsimim formal, por të jenë të përgatitur për ndryshimin e jashtëzakonshëm që po ndodh në botë. Ne duhet të investojmë çdo vit për të krijuar trajnime profesionale, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Këto janë fusha ku qeveria duhet të udhëheqë. Këtë duhet ta bëjmë edhe në shëndetësi, por në tjetër mënyrë. Shqiptarët shpenzojnë 1.2 miliardë euro për kujdesin shëndetësor çdo vit. Një pjesë e saj shkon si kontribut për fondin e shëndetësisë, një pjesë merret nga taksa universale, një pjesë tjetër janë ryshfetet që paguhen kryesisht në sektorin publik dhe jo vetëm, një pjesë i shkon sektorit privat dhe kështu lekët ikin nga pacientët dhe familjarët e tyre që udhëtojnë për t’u kuruar jashtë, me gjithë kostot e shtrimit në spitale të huaja. 1.2 miliardë euro, shumica e tyre nën dorë. Këto duhen vendosur mbi tavolinë, sistemi i kujdesit shëndetësor duhet të jetë transparent, shpenzimet duhet të jenë të matshme. Shqipëria duhet të zbatojë mekanizma moderne të menaxhimit të shëndetit publik, sepse 1.2 miliardë euro është një shumë mjaftueshëm e madhe që duhet t’i lejojë çdo shqiptari të përfitojë kujdesin e duhur shëndetësor, pavarësisht të ardhurave, edhe pse këtu do të merret parasysh faktori social. 1.2 miliardët janë aty si zgjidhje, por kjo nuk po ndodh sepse nuk ka reforma në shëndetësi dhe këtu qeveria duhet të ndërhyjë. Ne kemi një plan të mirë për ta bërë këtë. Folëm për këto tre aspekte por ka plot të tjera që po i analizojmë. Reforma në pronësi po ashtu, por për këtë do të duhet një tjetër emision, së bashku me reformën në drejtësi. Janë dy reforma që në qasjen tonë si parti e qendrës së djathtë do t’i mundësojnë çdo qytetari të lulëzojë, dhe që do t’ia pamundësojë çdo qeverie, sado e keqe të jetë ajo, t’jua ngatërrojë jetën.
E përmenda këtë para se të nisnim emisionin dhe flasim për kohën. E di që mund të kërkojë një përgjigje një orë të gjatë, por imagjinoni sikur jeni në një ashensor me një të huaj dhe ai pyet çfarë po ndodh me opozitën që prej vitit 2021. Si do t’ia përshkruanit? Që nga momenti kur Sali Berisha u shpall non grata dhe deri më sot, çfarë ka ndodhur?
Një luftë trëndafilash!
Do bjerë gongu kur t’ju përfundojë koha!
Ajo që ka ndodhur është një luftë e shëmtuar, për motive personale. Sa herë politikanët i vendosin motivet personale në plan të parë, kauza, partia dhe mbështetësit e tij vuajnë pasojat. Kjo është çfarë ka ndodhur. Ajo që po përpiqemi të bëjmë tani është të tejkalojmë dëmin. Mënyra si mund ta arrijmë, nuk është përmes një ribashkimi mekanik siç është kërkuar nga ata që kanë marrë pjesë përmes indiferencës apo oportunizmit në një ndarje që nuk duhet të ishte e tillë. Njerëzit duhet t’i kishin qëndruar parimeve të tyre, pavarësisht nëse nuk ishin lideri historik i Partisë Demokratike, por isha unë apo kushdo tjetër. Ke parime, ju qëndron atyre. Koherenca vlen!
E mira e epërme, jo ajo personale.
Absolutisht! Pra, duhet tejkaluar kjo. Nuk është çështje negociatash me dyer të mbyllura për bashkim mekanik. Njerëzit duhet ta shohin se PD është serioze me ta dhe të ardhmen e vendit. Është serioze për të ofruar opozitë frontale, të pakompromentuar ndaj qeverisë më të keqe dhe më të korruptuar të 34 viteve të fundit. Nuk je serioz nëse flet për luftën kundër korrupsionit në mëngjes dhe në darkë shan SPAK-un. Është mungesë e theksuar koherence. Ne duhet ta mbështesim seriozisht reformën në drejtësi dhe SPAK-un në përpjekjet e tij. Duhet ta marrim seriozisht reformën zgjedhore që i shërben shqiptarëve dhe jo disa politikanëve. Nëse e marrim këtë seriozisht, kjo padyshim do të krijojë një klimë mbështetjeje masive politike për opozitën. Nëse 40 apo 50 deputetë bëhen bashkë dhe e deklarojnë këtë, jo vetëm që nuk do të ketë të njëjtin efekt, por mund të kthehet në bumerang! Bashkim përse? Për nevojat e tyre për t’u rizgjedhur? Kujt i intereson kjo? Kjo krizë, si çdo krizë tjetër brenda opozitës, është një shans i madh për t’i treguar shqiptarëve që PD është e aftë të ndryshojë, të përqafojë sfidat dhe të ketë një vizion për të udhëhequr në të ardhmen.
Nëse shohim ato që kanë ndodhur në vitet e fundit, sjelljen e personave të caktuar… Kur në Parlament hapej zjarr, kam pasur disa të ftuar të huaj dhe njëri prej tyre ka një biznes. Më tha se e kishin telefonuar klientë për të pyetur çfarë po ndodhte, duke shfaqur nervozizëm për të punuar me të për shkak se ishte në Shqipëri. Gjëra të tilla kanë ndikim. Sipas meje kjo nuk është konstruktive, por në retrospektivë a keni diçka që do të donit ta kishit bërë ndryshe në vitet e fundit?
Është pyetje e vështirë për një përgjigje të shkurtër!
Është pyetje që politikanët nuk e kanë qejf!
Absolutisht, është përgjigja e shkurtër. Por nëse më pyesni çfarë, do të na duhej më shumë kohë. Sa herë që mendojmë për të shkuarën, sidomos kur flitet për vendimmarrje politike, është e lehtë të shohësh se si në disa momente, moderimi në vendime të caktuara apo vendime të një natyre tjetër mund t’i kishin dhënë tjetër formë ngjarjeve. Megjithatë, më e mira që mund të bëjmë kur flasim për të shkuarën, është të mësojmë dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime, por të tregojmë udhëheqje më të matur, me përvojë dhe më të mirë për vendin.
Pra, nuk do të veçoni diçka specifike që mund ta kishit bërë disi ndryshe?
Mendoj se po ta hapnim atë temë, do të na duhej më shumë kohë…
Dakord, kur të afrojnë zgjedhjet do ju ftoj sërish. A është konsolidimi i PD-së diçka që ju e doni?
Absolutisht!
Doni që të gjitha fraksionet të bashkohen?
Më shumë se bashkimin e fraksioneve, dua bashkimin e njerëzve rreth një ideje, vizioni, plani, për t’ju treguar të gjithëve se jo vetëm kemi një vizion, por kemi edhe një plan të besueshëm për ta mbështetur. Kemi një mënyrë të besueshme si mund ta arrijmë dhe kemi vendosmërinë ta bëjmë. Nëse e tregojmë këtë, të gjithë mbështetësit tanë do të na ndjekin në këtë rrugë. Duhet ta prijmë atë dhe udhëheqja duhet të jetë e sinqertë. Nuk mund të jetë një udhëheqje hipokrite që përpiqet të mbulojë interesat personale. Shqiptarët e shohin qartë, ata janë të lodhur nga politika e viteve të fundit. Ata e shohin qartë kush është i sinqertë dhe kush po përpiqet të përfitojë nga situata. Këtu nuk ka hapësirë për hipokrizi, për oferta të rreme. Nuk mund të bësh diçka në mëngjes dhe në mbrëmje të bësh të kundërtën, dhe të presësh që njerëzit të të besojnë. Duhet të jesh koherent, të bësh zgjedhje të vështira dhe t’ju qëndrosh. Kësaj i qëndron PD: mbështetje pa kusht për gjyqësorin pavarësisht ngjyrimeve politike apo hierarkisë. Ata që kanë abuzuar me besimin e shqiptarëve, me pronat dhe paratë e tyre, duhet të përballen me ligjin. Një reformë zgjedhore që fuqizon qytetarët në vend që të lërë në amulli institucionin e vjetër politik. Në përgjithësi, një vizion për vendin që i lejon shqiptarëve të zakonshëm të jetojnë dhe të shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, siç bëjnë kur emigrojnë në vende të huaja dhe ndërtojnë histori të mrekullueshme suksesi, jo thjesht një jetë të mirë për veten dhe familjet e tyre, por kthehen në kampionë të shoqërive ku jetojnë, në sporte, art, shkencë, ekonomi, shpikje. Përse të mos e bëjnë në vendin e tyre? Ky vend nuk është i mallkuar. Nuk është problem i shqiptarëve, por i qeverisë dhe politikës. Kjo është diagnoza, duhet ta ndreqim.
Dhe që të bëhet kjo gjë para zgjedhjeve, mënyra më e mirë është si opozita e bashkuar.
Po, por siç thashë më parë, nuk mund të ulemi në një tryezë të përbashkët dhe të themi se do bashkohemi, pa i paraqitur shqiptarëve një ofertë. Nuk besoj se 1+1=2 në politikë. Mund të jetë 1, 0 ose edhe minus.
Nuk bëhet fjalë për të mbështetur personalitetin e dikujt.
Duhet të jetë për njerëzit! Cila është oferta jonë për ta? Qytetarët janë të lodhur nga kjo qeveri. Ata e dinë se ajo është e korruptuar, se ka kriminelë në radhët e saj. Ajo që presin ata është alternativa, dhe kjo duhet të jetë e besueshme, me vizion. Qytetarët duhet të kenë garancitë më të mëdha se ne nuk do të devijojmë gjatë dhe sidomos pas zgjedhjeve. Nuk do funksionojë nëse harxhojmë kohë duke kërkuar bashkime mekanike. Njerëzve do ju shpifet dhe do ju ikë besimi.
Mua më pëlqejnë protestat e mira, ndoshta jam pak anarkiste vetë, por t’i vësh flakën Bashkisë apo karrigeve në Parlament, të hysh nga dritaret, nuk besoj se frymëzon shumë shpresë te qytetari mesatar. Cili është qëndrimi juaj për këtë qasje? I kuptoj protestat, kërkesën për drejtësi dhe ndryshim, por a është kjo mënyra e duhur?
Përvoja më ka treguar se përdorimi i mjeteve radikale në një protestë, që nuk është e veçantë për Shqipërinë, i largon pikërisht ata që duhen më shumë: votuesit e pavendosur, personat me ndikim që zakonisht kanë mospëlqim për akte të tilla që kanë tendencën të lënë në hije argumentet. Ndoshta për një kohë të shkurtër kjo i jep energji bazës, por kjo më pas ekspozon arsyet e atyre që ndërmarrin këto veprime. Atyre nuk ju intereson bashkimi i një pjese të madhe të shoqërisë nën vizionin e duhur. Ata interesohen vetëm të tregojnë muskujt brenda opozitës. Kjo është qasje e gabuar, është politikë për përfitime personale. Nuk është lloji i politikës që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga gremina ku kjo qeveri e ka katandisur. Shqiptarët meritojnë një debat të duhur dhe të ndritur për të gjitha problemet që i prekin. Deri më tani, kjo qeveri i është shmangur debatit duke përdorur veprime të tilla si alibi për të mos i hyrë diskutimeve.
Kur ndodhi incidenti në Parlament me zjarrin, kolegët e mi në Bruksel u tallën ndërsa mua më erdhi turp. Të gjithë folën për ngjarjen, por askush nuk mund të më thoshte përse ata ishin të acaruar, përse deputetët po linin skena të atilla? Mbizotëroi teatri dhe ata menduan se ishte qesharake, por nuk e dinë përse. Pra, kuptimi i vërtetë i protestës humbi!
Njerëzit kanë një shqisë të gjashtë dhe është e qartë se “revolucioni” në Parlament kishte vetëm motive personale. E pamë që u dorëzua menjëherë me marrëveshjen për amnistinë, që është shumë problematike. Kolegët tuaj kanë zbuluar, ashtu siç ne paralajmëruam, se qëllimi i vërtetë ishte lirimi i mëse 100 personave të dënuar nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion dhe krim të organizuar. Ne e ngritëm këtë çështje, dhamë alarmin se është një marrëveshje e pisët ku zyrtarë të korruptuar dhe të dënuar nga SPAK po liroheshin, ndërsa protestuesit kundër këtij korrupsioni nuk përfituan nga amnistia. Kjo është marrëveshje e pisët, as kompromis nuk mund ta quash, por një nënshtrim i atyre që e quajnë veten opozitë ndaj problematikës kryesore në këtë vend, që është qeveria e korruptuar. Kjo i bën njerëzit të pashpresë.
Unë isha pro amnistisë sepse burgjet janë të mbipopulluara dhe në gjendje skandaloze, por siç thatë ju, besoj se është keqpërdorur pak.
Është më keq se aq! Prindër janë mbajtur në qeli, të cilat nuk janë vende të mira për të qëndruar askund, po sidomos në Shqipëri që janë në kushte skandaloze, pa higjienë, ajrim, me ushqim të tmerrshëm. Ata janë mbajtur tre muaj më shumë në qeli derisa PS dhe disa persona që pretendojnë se flasin në emër të opozitës, arritën një marrëveshje për të liruar më shumë se 100 persona të korruptuar. Pra, për të liruar zyrtarë të korruptuar të kësaj qeverie, ata lanë në burg për tre muaj më shumë të burgosur të zakonshëm. Ata janë përgjegjës për sinjalin e tmerrshëm, kryesisht drejtuar gjyqësorit. “Ju i dënoni për korrupsion, por ne kemi pushtetin t’i lirojmë!”
Ndoshta në burgje tani janë 100 persona që meritojnë të jenë të lirë!
Kjo është e turpshme! Tregon se ata deputetë të Parlamentit që udhëhoqën këtë përpjekje, e kanë humbur kartën morale për të përfaqësuar opozitën. Me veprimet e tyre, në mënyrë vullnetare, ata u kthyen në shërbëtorë të bindur të agjendës së korruptuar të qeverisë. Këta njerëz përbëjnë rrezik për gjyqësorin. Ata i tregojnë qytetarëve por edhe partnerëve tanë se çfarë janë të gatshëm të bëjnë për të zbatuar agjendën e tyre personale. Ata janë të gatshëm të dëmtojnë investimin më të vyer të shqiptarëve dhe partnerëve tanë, që është reforma në drejtësi dhe shpresën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit për çdo qytetar shqiptar. Ata i kanë ngulur thikën në zemër kësaj shprese dhe këtij premtimi. Është çështje shumë serioze, të cilën PD nuk do ta falë!
Pyetja ime e fundit. Ilir Meta. Nuk jam fort e sigurt çfarë po kalon, por mendoni se po bën lojë? Mendoni se mund ta pozicionojë veten si “as nën mëngë” para zgjedhjeve? E shihni të kalojë në krahun tjetër, t’i bashkohet PS-së? Cili është këndvështrimi juaj apo nuk do të donit të spekulonit?
Ishte pyetja e fundit kjo?
Po.
Po zgjedh të citoj një fjali shumë të famshme nga një film që të gjithë e dinë. “E dashur Franklin, nuk më bëhet vonë!”
Ishte tamam fjalia që duhej! Lulzim Basha, shumë faleminderit.
Faleminderit ju.