Kryetari i PD, gjatë takimeve për programin, me ekspertë të fushës dhe grupet e punës, ka diskutuar në mbledhjen e rradhës projektin e PD për shëndetësinë. Vetë kreu demokrat, në një postim në Facebook, ka dhënë disa detaje të këtij programi.

POSTIMI I PLOTË I KRYETARIT TË PD:

Me ekipin e shëndetësisë diskutuam për planin tonë që do t’u mundësojë qytetarëve shërbim shëndetësor me cilësi dhe shpejtësi.

Ndërkohë që miliona euro është fatura korruptive e koncesioneve në shëndetësi, sot shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore. Kjo është shifra më e lartë ndër vendet e Ballkanit, çka tregon gjendjen e vështirë në sektorin e shëndetësisë.

Po kështu, qytetarët po vuajnë pasojat e medikamenteve jo cilësore ndërsa në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt. Një tjetër problem është mungesa e aparaturave dhe koha e gjatë që u duhet të presin pacientët për egzaminime.

Me paratë që janë abuzuar me koncensione, PPP e tendera, çdo qeveri e përgjegjëshme do të kishte ofruar një shërbim cilësor për pacientët aty ku jetojnë dhe do të kishte përmirësuar kushtet e punës dhe ato financiare të stafeve mjekësore.

Eksodi i mjekëve nuk ndalet duke i “burgosur” në Shqipëri, por duke u krijuar kushte dhe mundësi për një jetë dinjitoze, për rritje profesionale dhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre.

Të gjitha problematikat janë adresuar në mënyrë të detajuar, duke ofruar zgjidhjet e nevojshme që kontributet për sigurimin shëndetësor që qytetarët kanë paguar, të mos shkojë dëm dhe ata të kenë shërbim shëndetësor në çdo kohë dhe barna cilësore për trajtimin e sëmundjeve të tyre.