Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku përmes një postimi në Facebook ka reaguar në emër të PD lidhur me përfitimin e nga amnistia e zyrtarëve të dënuar nga GJKKO për korrupsion. Sipas Çollakut, ndërsa lirohen të korruptuarit, viktima të pazarit që bëri atentat ndaj SPAK.
BASHKËNGJITUR POSTIMI I KRESHNIK ÇOLLAKUT:
Është e padrejtë, është amorale, është e pandershme, të përdorësh nevojën e njerëzve, besimin e publikut dhe sakrificat e demokratëve për të justifikuar e mbuluar pazare banale, lëshuar e përfituar favore të paprincipta.
Është hipokrite të bërtasësh për SPAK e Drejtësi të re dhe të shkallmosh e bësh zero rezultatin e punës së tyre.
Ndërsa sterkala e çorbës së pazarit derdhej nga goja në sallen e Parlamentit, mbi 100 të dënuar për korrupsion u liruan nga atentati ndaj SPAK që e quajtën “amnisti”.
Ndërsa ata, demokratët e protestave që prej vitesh enden dyerve të gjykatave, ata në emër të të cilëve u gatua gjithë ky pazar, mbetën njëlloj të kërcënuar e të detyruar të vazhdojnë kalavarin e gjyqeve dhe persekutimit.
Asnjë fjalë më shumë se turpi nuk meriton kjo histori.
TURP, nëse ju ka mbetur pak ndërgjegje për të kuptuar çfarë është.