Roland Bejko, nënkryetar i PD-së, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, duke komentuar reportazhin e emisionit “Report” në RAI3 mbi Shqipërinë, tha se kur akuzat i bën një bashkëpunëtor i afërt me Kryeministrin Edi Rama, në rastin konkret Arben Ahmetaj, janë më të besueshme për opinionin publik.
Ai u shpreh se drejtësia po i troket sistemit te dera, ndërsa theksoi se ky sistem i korruptuar do të rrëzohet. Bejko tha se korrupsioni është kthyer në problem jo thjesht për Shqipërinë, por për të gjithë Rajonin, pasi mund të çojë në destabilizimin e gjithë Rajonit.
Bejko ka kërkuar që qytetarët të mbështesin SPAK-un, si rrugën e vetme për të luftuar korrupsionin.
“Kush e thërret protestën sot? Ai që po hetohet për korrupsion, që nuk ka kartën morale. Korrupsionin mund ta luftojë SPAK, i cili do të rrëzojë këtë klasë të korruptuar politike, ndaj qytetarët duhet të mbështesin Prokurorinë Speciale. Ju mendoni se me protesta do të rrëzohet Edi Rama?”, tha Bejko.