Në përmbyllje të tryezës së diskutimeve për programin ekonomik, kreu i PD, Lulzim Basha, u bëri thirrje qytetarëve për të debatuar për programin, pasi sipas tij, me këtë ofertë PD merr përsipër të ndryshojë në mënyrë themelore mirëqenien e qytetarëve dhe mirëqenien e shoqërisë në tërrësi.

“Natyrisht që diskutimet nuk shterojnë këtu. Këtu sapo kanë nisur. E në veçanti në çështjet më të mprehta të programit që janë aspektet e modelit ekonomik që promovojmë, nxisim dhe do të jetësojmë me iniciativat tona. Në këtë këndvështrim duhet parë si një mundësi e shumëpritur çdo shprehje kritike apo skepticizmi sepse ne jo vetëm që e mirëpresim debatin, por ne e nxisim dhe e ftojmë debatin me të gjithë. Në rradhë të parë me ata që janë qëllimi i këtij programi, me shqiptarët me shumicën e shqiptarëve që kërkon ndryshim, pavarësisht nga pozitat shoqërore dhe ekonomike ku ndodhen. Dhe së dyti po kaq e nxisim dhe e kërkojmë këtë debat me kundërshtarët tanë dhe në veçanti me ata kundërshtarë që janë dhe përgjegjësit për këtë situatë. Sepse kemi në dorë një program ekonomik me të cilin marrim përsipër të ndryshojmë në mënyrë themelore mirëqenien e qytetarëve dhe mirëqenien e shoqërisë në tërrësi” – u shpreh Basha.

Basha gjithashtu përsëriti se taksa e sheshtë 9%, thjeshtimi i burokracive, lufa kundër korrupsionit, është një model ekonomik që do të krijojë hapësira sot të përpira nga inefiçenca qeveritare.

“Modeli ynë jo vetëm i taksës sheshtë, i taksës së ulët 9%, por i thjeshtimit të burokracive, i luftës kundër korrupsionit, është një model ekonomik që do të krijojë hapësira sot të përpira nga inefiçenca qeveritare, nga korrupsioni i pushtetarëve dhe natyrisht nga efektet shkatërruese që kjo ka tek të gjithë faktorët ekonomik. Është një model ekonomik i cili do të nxis rritje të lartë ekonomike. Është nje model i cili do të luftojë evazionin fiskal që është një nga gangrenat jo thjesht të arkës së publikut, të arkës së shtetit, por është po kështu një nga arsyet kryesore të moskonkurrueshmërisë, sepse dihet fare mirë që një pjesë e operatorëve ekonomik që njihen edhe si oligark operoejnë në kushte të favoreve qeveritare. Ndërsa pjesa tjetër, jo vetëm nuk përballet me një trajtim të mirë dhe të barabartë dhe të drejtë, por goditet për të kompensuar humbjet e jashtëzakonshme që i sjellin arkës së shtetit, buxhetit të shqiptarëve monopolet dhe favoret ndaj monompoleve që natyrisht janë monopole të përbashkëta të pushtettarëve me oligarkët.” – tha Basha.

Më tej Basha tha se për të realizuar këto iniiativa, mjaftojnë vetëm paratë që shkojnë për aferën e inceneratorëve dhe vjedhjet që bëhen me tenderat publik.

“Dhe së treti që lidhet pikërisht me luftën kundër evazionit fiskal dhe rezultatet e pritshme në luftën kundër evazionit fiskal. Po nuk është vetëm evazioni fiskal, janë produktet e ligjeve të porositura, janë inceneratorët që me një të rënë të lapsit janë të barabartë me 10 vite bonus për fëmijën e tretë me rritmet aktuale të familjes shqiptare. Janë vjedhjet që i bëhen sektorit publik me tendera që arrijnë vetëm vitin e kaluar mbi 1.6 miliardë euro. Është zhvatja sistemike nga paratë e shqiptarëve nga xhepat e drejtpërdrejtë të tyre dhe nga taksat e tyre që i bëjnë OSHEE dhe KESH në veçanti me rezultatet e viteve të fundit ku kanë arritur të konkurojnë sa i takon dëmit ekonomik që i bëjnë shqiptarëve edhe me vet aferat më të mëdha siç është afera e inceneratorëve. Pra, një model ekonomik rritjeje, luftë evazionit dhe informalitetit, luftë ndaj korrupsionit dalin dhe teprojnë për të gjithë faturën e shpenzimeve që propozon programi ynë. Por nuk janë thjesht shpenzime, janë investime për nxjerrjen e ekonomisë ekzistuese nga dara e korrupsionit dhe mungesës së konkurrencës, janë investime që dhe Shqipëria të marrë pjesën që i takon në ekonominë e re, në veçanti në inovacion, në teknologjinë e informacionit dhe gjithçka tjetër që vjen me këto” – tha Basha.