Partia Demokratike ka publikuar një video në rrjetet sociale përmes së cilës rreshton disa nga dështimet më serioze të qeverisë Rama, ashtu siç ato janë pasqyruar nga mediat dhe raportet ndërkombëtare.
Në përgjigje të kësaj fatkeqësie kombëtare, PD shprehet se programi i saj i hartuar në bashkëpunim me 100 eskpertë vendas dhe të huaj, është zgjidhje dhe alternativa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Akademikë, juristë, mjek, arsimtarë, inxhinierë, ekspert në fushën e teknologjisë së informacionit, të përndjekur e pronarë, ekspertë të bujqësisë, ishin pjesë e prezantimit të vizionit të PD për të luftuar korrupsionin dhe varfërinë e shkaktuar nga qeverisja e Ramës në Kuvendin e 1 qershorit.
Sipas PD ekipi ka vizionin, përgatitjen dhe vendosmërinë për ta zbatuar këtë program dhe të hap një horizont të ri mirëqënieje dhe shprese për familjet shqiptare.
Postimi i plotë:
“Shqipëria lëngon për shkak të një qeverie të papërgjegjshme, që e ka kthyer korrupsionin në sistem, eksporti kryesor i së cilës janë shqiptarët nëpër botë.
Çdo shtresë e shoqërisë, çdo familje, çdo i ri dhe e re, e ndjen peshën e rëndë të politikave të gabuara dhe prioriteteve korruptive.
Shqiptarët nuk i meritojnë koston e papërballueshme të jetesës, taksimin mbytës, arrogancën dhe klientelizmin që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe rrisin varfërinë.
Shqiptarët meritojnë më shumë!
Prandaj, në respekt dhe dhembshuri për nevojat e bashkëqytetarëve tanë, më shumë se 100 ekspertë, vendas e të huaj, kanë punuar intensivisht për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shqiptarëve përmes programit të Partisë Demokratike. Një ekip që ka vizionin, përgatitjen dhe vendosmërinë për ta për ta zbatuar planin tonë, përmes një kuluture politike me fytyrë njerëzore, e cila hap një horizont mirëqenieje dhe shprese për të gjitha familjet shqiptare.”
Ashtu sikurse është diskutuar gjerësisht këtë javë, programi i PD është ndarë në 10 blloqe kryesore, sikurse 10 ishin dhe tavolinat e ekspertëve në Kuvend, të cilat shpalosën propozimet kryesore të demokratëve për shqiptarët.
Ja një përmbledhje e tyre:
1. FONDI PËR MIRËQENIEN E FAMILJES
2 000 € për çdo bebe; 20 000 € për fëmijën e tretë; 30 000 çifte të reja shqiptare marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë.
2. MENDJE E SHËNDOSHË, TRUP I SHËNDOSHË
Drekë për nxënësit në gjithë shkollat 9-vjeçare dhe të mesme; Shkollë gjatë gjithë ditës, kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16:00.
3. NEXTGEN
Trajnim/ Praktike pune e paguar 1 vjeçare për 10 000 të rinj pas shkollës së mesme; 4 Kampuse për 25 000 të rinj për Teknologjinë e Informacionit dhe programimit.
4. TAKSË E SHESHTË 9%
Tatim fitimi 9% Profesionet e lira 9% Tatim për të ardhurat personale 9% Dividenti me taksën e sheshtë 9%
5. REFORMA E PRONËS
Kthim i menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë; Kompensim me vlerë tregu ku është zënë; Lëshimi i obligacionit/ bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës; Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis.
6. MBËSHTETJE PËR FAMILJET FERMERE
Çdo vit do të akordohen 100 milionë € subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë; 50 milionë € në infrastrukturë, për mbështetje të drejtëpërdrejtë (Përfitues 150 mijë fermerë)
7. RRITJE E PENSIONEVE
Bonus periodik
STATUSI I TË PËRNDJEKURIT
Me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut.
8. KRIJOHET XHANDARMËRIA KOMBËTARE
5000 djem dhe vajza të moshës 18-22 vjec që angazhohen në 4 vite shërbim aktiv në forcat e armatosura, bashkë me trajnimin marrin një profesion, ose diplomohen me shpenzimet e shtetit. (Paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjeç)
9. GJYKATA E AUDITIT
Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetarëve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit.
NJËSIA E ZBULIMIT TË PASURISË SË VJEDHUR
10. UDHËTIMI PA VIZA NË AMERIKË
Brenda mandatit të parë.