Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, i ka bërë një skanim dështimit të qeverisë në arsim. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Karabina shprehet se panorama e këtij fillim viti të ri shkollor është shembja e shkollave dhe mbyllja e tyre.

Ajo më tej shprehet se që nga 2013-ta 180 mijë nxënës janë më pak në arsimin parauniversitar dhe 295 shkolla 9-vjeçare të mbyllura, dëshmojnë shpopullimin masiv të vendit për shkak të korrupsionit qeverisës dhe humbjes së shpresës.

Sipas Karabinës 222 vende janë të paplotësuara për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letersisë në gjithë vendin por sidomos në zonën veriore për shkak të rënies së interesit për të vazhduar mësuesinë.

Reagimi i plotë i Mirela Karabina:

Shembje shkollash e mbyllja e tyre si normë dhe propaganda e dështime të refomave në arsim, panorama e fillimit të vitit të ri shkollor që ofron Edi Rama dhe qeveria e korruptuar e tij.

Viti shkollor 2024-2025 nga njëra anë po nis me shembje shkollash për arsye fitimi dhe korrupsioni, mbyllje të tyre për shkak të shpopullimit dhe afrimit të familjeve drejt qendrës në kërkim të arsimimit të mirë të fëmijëve, kthyer në normë tashmë, mungesë mësuesish pasi nuk ka interes për të ndjekur këtë profesion të shpërfillur, dhe nga ana tjetër propagandë e shfrenuar dhe e dëmshme e qeverisë përmes një realiteti vitual dhe reforma të dështuara në arsim në përmbajte dhe në formë.

180 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar dhe 295 shkolla 9-vjeçare të mbyllura që nga 2013-ta, rënie me 40% të numrit të nxënësve në zonat rurale dhe 20% në ato urbane (INSTAT) dëshmojnë shpopullimin masiv të vendit për shkak të korrupsionit qeverisës dhe humbjes së shpresës, migrimit të detyruar të familjeve nga fshati në qytet në kërkim të arsimimit më të mirë të fëmijëvë të tyre.

222 vende të paplotësuara për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letersisë në gjithë vendin por sidomos në zonën veriore (Monitor 2024) për shkak të rënies së interesit për të vazhduar mësuesinë, pasojë kjo e indiferencës së Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit me situatën e rëndë të mungesës së mësuesve dhe formimit universitar të tyre.

30 mësues në arsimin parashkollor janë regjistruar vitin e kaluar në Univeristete, alarm ky që shumë shpejt do mbetemi dhe pa edukatorë të moshës më të rëndësishme të fillimit të edukimit.
Vlerësimi Ndërkombëtar “PISA 2022” për nxënësit 15 vjeçarë dëshmoi qartë se shkolla jonë vuan nga brendia dhe thelbi. Listuar nga fundi në shkenca dhe të fundit në botë në mendimin krijues, alarm dhe tregues ky i problemit madhor që do të ndikojë në pengimin e zhvillimit të vendit.

Qeveria e Ministria e Arsimit jo vetëm nuk luajtën gishtin me këtë rezultat katastrofik dhe as e vunë ujin në zjarr, por mes gënjeshtrash e mashtrimesh me tërmetin dhe pandeminë që paskan qenë “shkaktarët” e këtij rezultati, sipas tyre dhe duke fajësuar mësuesit, bëjnë sikur i trajnonjnë ata pa cilësi dhe efektivitet.

Rreth 10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit fillimisht dhe shtuar kosto në këto vite vonese për shkollat e dëmtuara nga tërmeti, 6 miliardë lekë i kaluan vetëm Bashkisë Tiranë asokohe dhe 100 milion euro nga BE, por edhe pse kanë kaluar vite tashmë nga tërmeti i 2019-ës dhe u premtua nga kryeministri se në shtator të 2020-ës shkollat do të ishin gati, jo vetëm nuk janë ende të gjitha por vazhdojnë të shemben me pretekstin e tërmetit dhe shumë shkolla të tjera.

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë shembur të gjitha shkollat e Tiranës me dhe pa dëmtime nga tërmeti, duke i gllabëruar oborret e tyre pasi interesi është i metrave katrorë për ndërtim duke i lënë nxënësit të enden me turne e më pas shkollat në hallet e punimeve tejet të dobta të tubacioneve që shpërthejnë sa vihen në punë apo kaldajave që nxjerrin gaz të dëmshmëm për shkak të cilësisë së dobët, gjithashtu dhe në mungesë vizioni dhe vullneti politik për të ndërtuar shkolla me standarte europiane, jo në bojatisje dhe fasadë, por në thelb, për arsimim cilësor e bashkëkohor.

E pra, kjo është situata e trishtë e fillim vitit ku nga kryeministri e ministrja nuk marrin asnjë përgjegjësi për gjendjen e rëndë dhe nuk kanë asnjë strategji vepruese si dilet nga kjo gjendje: Cili është investimi sa dhe si në mjete mësimore e infrastrukturë digjitale bashkëkohore?; Ҫ’po ndodh me shkollat e mbyllura në zonat rurale, si do mësojnë fëmijët e mbetur atje?; Si është situata me zëvendësimin e vendeve bosh me mësues specifikë në gjithë vendin, ndërkohë që portali partiak i emërimit të mësuesve është ende duke u zhvilluar edhe pse shkolla filloi?; Po me mësuesinë, formimin universitar dhe zhvillimin profesional real të mësuesve si do bëhet kur dhe sa?; Po nxënësit më aftësi ndryshe a kanë mundësinë e kujdesit dhe arsimimit të barabartë dhe me mësues mbështetës? E shumë probleme të tjera.

Për këto kanë interes dhe duan të dinë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe shoqëria në këtë fillim viti, dhe jo bojna e fasada shkollash e numrash pa dhënë llogari apo manipulimi me “libra falas”, që shumë mirë që ndodh, por ende janë për një numër të kufizuar nxënësish dhe nuk është as risi e as shpëtim.

Propaganda e dëmshme dhe dështimet e reformave në arsim të Edi Ramës dhe qeverisë së korruptuar të tij, do t’i kushtojnë rëndë për shumë vite shoqërisë dhe zhvillimit të vendit.