“Kjo mbledhje ka vlerën zero. Eshtë vlerë zero sepse ne kemi bërë shumë të qartë, Partia Demokratike, opozita, është shprehur qartë, pa dakordësuar themelet, që do të thotë, draftin kushtetues, është tërësisht e kotë që të ngremë mure nëpërmjet ligjesh themelore organike, ligje që duhet ta gjejnë plotësisht themelin e tyre në Kushtetutë, dhe ky draft është i pambyllur. Ky draft është ende në diskutim dhe negociim. Siç pranohet edhe prej tyre, ka mundësi që të ndryshojë e për rrjedhojë çdo punë që bën ky komision nuk është gjë tjetër veçse veprim tjetër i njëanshëm, vetëm e vetëm për të krijuar një situatë force, në një situatë negocimi. Eshtë e papranueshme , është kundërproduktive dhe është një proces, pak të themi, antikushtetues.
Eshtë bërë shumë e qartë nga PD dhe nga opozita se pa rënë dakort për draftin kushtetues, të gjithë ligjet bazuar në një draft të një anshëm të miratuar tashmë vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës në këtë komision, nuk kanë asnjë vlerë. Praktikisht jemi në thyerje të atij që është dhe vendimi i parlamentit, për ta bërë me konsensus nëpërmjet një komisioni paritar, jo vetëm draftin kushtetues por edhe gjithë pjesën tjetër të reformës në drejtësi. E vetmja rrugë është, të biem dakort për çështjen e vetme, neni 88 I komisionit të Venecias, e cila ka ndikimin e saj në pika të caktuara të draftit kushtetues dhe më pas mbi bazën e kësaj, të hartojmë të gjitha ligjet.
Eshtë rënë dakort vetëm për dicka, që kushtetuta dhe ligjet do të bëhen së bashku. Kjo nuk do të thotë të bëhen brenda të njëjtës kohë. Do të thotë që pasi është mbyllur kushtetuta, të shihet me qartësi maksimale sesi ai draft i dakortësuar me konsensus do të zbatohet pikë për pikë tek ligjet organike. Për ndryshe, ekzistonte rreziku që me një kushtetutë të dakortësuar me konsensus , mazhoranca me tri të pestat e votave që ajo i zotëron edhe në mënyrë aspak ortodokse duke peshkuar mandatet, ta c’bënte konsensusin kushtetues në favor të saj. Kjo është një pikë jo vetëm e panegociueshme por tashmë është e mbyllur, është rënë dakort që do të funksionojë në këtë formë. Fakti që kanë miratuar një draft në mënyrë të njëanshme dhe po kështu, mbi atë draft do të bazojnë ligjet organike, nuk e bëjnë aspak këtë punë të komisionit, kushtetuese, konsensuale dhe të pranueshme. Sa më shumë do të vazhdojnë në këtë rrugën e njëanshme, aq më shumë do të përballen me qëndrimin shumë të fortë dhe parimor të shprehur tashmë dhe nga kryetari Basha në lidhje me këto veprime antikushtetuese të mazhorancës .
Ajo që është më e rëndësishmja është gjetja e konsensusit mbi atë pike, mbi nenin 88 të rekomandimit të Venecias. Nuk është një pikë e thjeshtë, nuk është thjesht një nen, është një zgjidhje sistemi. Në momentin që e zgjidhim shumë shpejt ne mund të fillojmë e të përmbyllim draftin e plotë, përfshirë dhe 7 ligjet organike me të cilët do të zbatohet ajo paketë kushtetuese. Çdo gjë tjetër është gabim”.
Reagim i nënkryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, 20 Qershor 2016