Lulzim Basha me demokratët e Tepelenës: Bashkimi i të gjithë qytetarëve të ndershëm është rruga e largimit të kësaj qeverie

Me demokratët e Tepelenës, Lulzim Basha ndau shqetësimin për gjendjen e rëndë të vendit si pasojë e keqqeverisjes dhe vizionin e tij për të kthyer pushtetin në duart e qytetarëve.

Basha pohoi se shqiptarët po kërkojnë në masë ndryshim dhe Partia Demokratike duhet t’i prijë kësaj vale popullore.

Por kreu i opozitës, nuk harroi ti kujtojë demokratëve se ndryshimi fillon nga vetja.

“Po ngjizet një konsensus mbarëkombëtar që kështu nuk shtyhet më, por ne jetojmë me këtë realitet e duhet të jetojmë me këtë realitet. Duhet të përballemi me këtë realitet, të gjithë, duke filluar nga unë i pari”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Basha theksoi se kjo nuk ka të bëjë thjesht me një rrotacion të pushtetit, por me rikthimin e tij në duart e qytetarëve. Ndaj themeltare për Lulzim Bashën është rëndësia e identifikimit të secilit prej tyre. Qytetarë në nevojë, të pa punë, në varfëri apo të dëmtuar nga abuzimi qeveritar.

“Ka ardhur koha që ne të kemi jo thjesht një ide, por regjistrin e plotë të familjeve në nevojë ekonomike, të të papunëve me qëllim që buxheti ynë që në ditët tona të para, t’i përgjigjet këtyre nevojave, t’i përgjigjet këtyre sfidave. Familjeve në nevojë ekonomike 200KW për muaj, do t’i kenë falas të paguara nga buxheti i shtetit. Familjet në nevojë ekonomike, do të kenë të paguar faturën e ujit nga buxheti i shtetit. Unë nuk do të pranoj kurrë asnjë investim, asnjë lek që hidhet për fasada dhe për luks sa kohë që nuk kemi zgjidhur tërësisht problemin e bukës, ujit dhe dritave, për çdo familje shqiptare, për çdo shqiptar kudo që është”.

Në Tepelenën e gjunjëzuar për shkak të narkotrafikut, kreu i selisë blu pohoi se droga nuk është zgjedhja e fshatarëve të varfër apo e të rinjve që nuk kanë asnjë mundësi tjetër, por e bandave të lidhura me pushtetin.

Basha tha se përmes Partisë Demokratike do të ndërtojë një Shqipëri të shanceve të barabata dhe meritokracisë.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi që u ofron mundësi të gjithë shqiptarëve. Cili është sekreti  shoqërive që ecin përpara. Nderojnë punën, nderojnë djersën dhe mundin e njerëzve. Kush punon ecën përpara. Çfarë kemi ndërtuar këtu në Shqipëri? Një sistem ku sado të punosh, sado i ndershëm të jesh, sado mund dhe djersë të derdhësh, nuk ecën përpara. Kush ecën përpara? Servili, gënjeshtari, i paafti, i korruptuari, krimineli. Cili vend ka bërë përpara në këtë mënyrë? Cila shoqëri është ndërtuar mbi këto baza? Asnjëra. Kjo është rruga për të shkatërruar shoqërinë, për të shkatërruar bashkëjetesën, dhe kjo po ndodh. Shqiptarët poi kin përsëri masivisht në kërkim të një jete më të mirë, jashtë Shqipërisë. Shkojnë në vende të huaja. Ikin nga vendi i tyre, shkojnë në vende të huaja në vende ku sistemi ofron që puna nderohet. Mundi nderohet, djersa shpërblehet. Ku hajduti dhe i korruptuari shkojnë në burg. Ndërsa këtu, puna, mundi, djersa ndëshkohen. I korruptuari dhe hajduti bëhen deputetë, bëhen ministra, bëhen kryeministra. Bëjnë ekonomi. Kanë pushtet, kanë mirëqenie, kanë para. Premtimi ynë kryesor ndaj shqiptarëve është që së bashku me shqiptarët e ndershëm, që janë shumica absolute këtu, ne do ta përmbysim këtë realitet. Do ta përmbysim duke marrë pushtetin që ka kjo pakicë e duke ja dhënë shumicës, të cilës i takon. Është pushteti i shqiptarëve. Është qeverisja e shqiptarëve. Janë pasuritë e shqiptarëve. Këta janë zaptuesit. Këta duhet të largohen. Dhe bashkimi ynë me të gjithë shqiptarët e ndershëm, është rruga e largimit të kësaj qeverie”, tha kryetari i opozitës Lulzim Basha.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 27 nëntor 2016

img_0921 img_0912 img_0871 img_0842