Lulzim Basha me banorët dhe demokratët e Hasit: “Jemi gati, duke i kuptuar, duke i ndjerë hallet tuaja, si tonat, e jo duke jetuar në një botë të veçuar nga ju. Jemi gati sepse kemi zgjidhje, zgjidhje plotësisht të realizueshme”
Varfëria dhe papunësia e ka gjunjëzuar Hasin. Tregtarët e Krumës i thonë Lulzim Bashës se kalojnë ditë dhe javë pa shitur asgjë. Dimri i ftohtë ka mbërritur dhe cmimi i miellit dhe i druve është dyfishuar.
“Njerëzit ndjekin mundësinë për të qenë të lumtur vetë, jo t’ia përcaktojë shteti, ti do ecësh përpara, ti nuk do ecësh përpara, ti do ndërtosh biznes, ti nuk do të ndërtosh biznes, ti do marrësh subvencione, t’i nuk do marrësh subvencione. Kësaj do t’i japim fund dhe bashkë me të gjithë shqiptarët e ndershëm do të ndërtojmë një shoqëri ku përpara të eci më i zoti, më i miri dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”, u tha Lulzim Basha banorëve të Krumës që ankohen për mungesën e shanseve e të mundësive për punë e shkollim.
Hasi ka rreth 8 mijë banorë dhe mbi 50 përqind e popullsisë mbahet me ndihmë ekonomike. Ndërkohë qeveria po shpenzon 850 milionë lekë për fasadën e qytetit. Me demokratët e Hasit, Basha foli për ndryshimin e politikës që duhet të sjellë ndryshimin e realitetit.
“Shqipëria po përjeton ditë dramatike, të varfërisë, të papunësisë, që është thelluar nga një politike e papërgjegjshme që ka vrarë shpresën e që po i detyron shqiptarët më shumë, e më shpejt se kurrë më pare, të braktisin vendin e tyre. Pse është thesi i miellit këtu dyfish më i shtrenjtë se përtej Qafës së Prusht?!Pse? Sepse ka monopole. Le ta themi edhe më qartë që ta kuptojnë edhe fëmijët 12-vjeçar. Sepse Edi Rama ka vendosur që në Shqipërinë e 2016-ës mielli, buka, sheqeri, vaji, nafta të mos tregtohen siç tregtohen kudo në botë me rregullat e tregut të lirë, po t’ua jape një grusht njerëzish, një grusht njerëzish të kenë mundësinë dhe çdo kush tjetër që futet në treg ndëshkohet, penalizohet, me gjoba, me kontroll, me xhandar, me tatimor, më doganier”, tha Basha.
Basha theksoi se shqiptarët arrijnë të ecin përpara e të kenë sukses në Europë e në perendim, atje ku garantohen kushtet e barazisë para ligjit, ku respektohet puna, merita, mundi, aftësia.
“Shikoni të afërmit tuaj kudo ku kanë shkuar në perëndim. Këtu sado i aftë dhe i përkushtuar ndaj punës dhe zanatit tënd të jesh, shteti është ai që vendos nëse do të ecësh përpara apo jo, do të kapesh pas shtetit, do të kapesh pas drejtorëve, do të kapesh pas ministrave, duhet të kapesh pas Kryeministrit që të bësh përpara, vetë nuk bën dot përpara”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se demokratët duhet të qendrojnë pranë njerëzve, të njohin realitetin e tyre, të vërtetat e tyre.
“Po, jemi gati duke njohur hallet tuaja, duke i pranuar ato, duke pranuar edhe pjesën tonë të përgjegjësisë për sa na takon. Jemi gati, duke i kuptuar, duke i ndjerë si hallet tona e jo duke jetuar në një botë të veçuar nga hallet tuaja. Jemi gati sepse kemi zgjidhje, zgjidhje plotësisht të realizueshme, jo dëngla me shëndetësi falas dhe me premtime boshe që u përdorën vetëm për të marrë votat. Jemi gati sepse kemi vullnetin që ti përvishemi që ditën e parë misionit të shenjtë të Partisë Demokratike. Shqipëri për shqiptarët, qeverisje për qytetarët! Taksa të ulëta, buxhet për qytetarët, asnjë familje pa bukë, ujë dhe drita, zhvillim ekonomik duke i dhënë mundësinë çdo kujt që të ecë përpara në bazë të aftësisë, mundit dhe djersës së vet. Më i miri do të çajë përpara, por çdo kush do të mbështetet nga qeveria e ardhshme, nga shteti i shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 5 dhjetor 2016