• Me mbështetjen e të gjithë partive kryesore të botës perëndimore, PD do të jetë partia e parë në Ballkan, që angazhon anëtarësinë në zgjedhjen e deputetëve të ardhshëm për Kuvendin e Shqipërisë.
  • Pavarësisht prej sistemit që do të ketë Shqipëria, PD do t’i zgjedhë kandidatët e ardhshëm për deputetë, duke e përfshirë të gjithë anëtarësinë me sistemin “1 anëtar, 1 votë”.
  • Ky model perëndimor që e çon pushtetin tek anëtarësia dhe i shërben transparencës e llogaridhënies, është garanci që do të jetë edhe modeli ynë qeverisës nesër, në shërbim të njerëzve dhe jo të krimit e oligarkisë.
  • Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe koalicionit, me të cilin po veprojmë në mirëkuptim të plotë. Zotimi ynë është regjistrimi në zgjedhje vetëm kur të ketë zgjedhje të vërteta, jo farsë kriminale.
  • Kushti i padiskutueshëm për pjesëmarrjen tonë mbetet largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore që do të plotësojë kushtet për zgjedhje. Së shpejti, do të paraqesim një dokument të detajuar me detyrat e qeverisë tranzitore.

KOMUNIKIMI I KRYETARIT BASHA ME MEDIAT PAS TAKIMIT ME PËRFAQËSUES TË INSITUTIT REPUBLIKAN AMERIKAN PËR EUROPËN

Pyetje: Zoti Basha, nesër aleatët tuaj do të jenë në një tryezë me Presidentin Meta, do të jeni ju ?

Lulzim Basha: Kërkesën e kanë bërë aleatët dhe takimin do ta zhvillojnë aleatët me Presidentin Meta, por unë jam sot këtu për t’ju thënë dhe për të ndarë me qytetarët shqiptarë, përmes medias, se po avancojmë në rrugën tonë për demokratizimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike.

Takimi që sapo kam përfunduar është me drejtorin e Institutit Republikan Amerikan për Europën dhe ekspertët nga Uashingtoni, të cilët vijnë vetëm pak javë pas vizitës së Partisë Konservatore dhe ekspertëve të Partisë Konservatore. Qëllimi është i njëjti: Partia Demokratike, pavarësisht prej sistemit që do të ketë Shqipëria, do t’i zgjedhë deputetët e ardhshëm, kandidatët për deputetë të ardhshëm, duke e përfshirë të gjithë anëtarësinë me sistemin “1 anëtar, 1 votë”. Ky është një hap i jashtëzakonshëm, që nuk ka ndodhur përpara në Shqipëri, nuk ka ndodhur as në Ballkan. Është një model perëndimor, që e çon pushtetin dhe vendimmarrjen drejtpërdrejt tek anëtarësia e Partisë Demokratike. Kjo i shërben në radhë të parë transparencës, i shërben llogaridhënies brenda partisë.

Normat kryesore të Europës janë pikërisht transparenca dhe llogaridhënia. Ne e fillojmë brenda partisë tonë, brenda Partisë Demokratike, këtë model si një garanci që nesër ky do të jetë edhe modeli ynë qeverisës, me transparencë, me llogaridhënie dhe, duke dëgjuar zërin e anëtarëve të Partisë Demokratike, do të vendosim kandidatët tanë për deputetë, të cilët, po kështu, do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi, jo vetëm për integritetin moral, por, po kështu, edhe për shkallën e përgatitjes për t’iu përgjigjur nevojave, detyrave, përgjegjësive të përfaqësuesit të popullit. Në këtë mënyrë do të bëjmë një transformim të thellë të skenës politike shqiptare. Partia Demokratike e Shqipërisë është e para parti që e bën këtë. Unë jam i vendosur që ta çoj këtë proces të demokratizimit dhe modernizimit të Partisë Demokratike deri në fund.

Ata që do të përfitojnë nuk do të jenë thjesht dhe vetëm anëtarët e Partisë Demokratike që, padyshim, do të kenë pushtetin në duart e tyre për të vendosur me “një anëtar – një votë”, por do të jenë qytetarët shqiptarë, që do të përfitojnë një standard, deri më sot, të paprekur në Shqipëri, në këto 30 vite tranzicion, të transparencës, vlerësimit në sytë e publikut të kapaciteteve politike, intelektuale të Partisë Demokratike, por, po kështu, të hapjes së Partisë Demokratike, për të bërë të mundur që, në këtë proces, të përfshihet jo thjesht anëtarësia e Partisë Demokratike, por të gjithë qytetarët dhe, në veçanti, sa i përket prurjeve, sa i përket kandidatëve, për ta hapur këtë proces ndaj të gjithë atyre që besojnë dhe ndajnë vlerat tona, programin tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë e thellë politike ku ndodhet.

Pra, unë jam shumë i lumtur që fiks një vit pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, mbledhur me 29 prill të vitit 2018, kur e vendosëm këtë rregull në statutin tonë, kemi hedhur një tjetër hap të rëndësishëm me mbështetjen e miqve tanë amerikanë, të Partisë Republikane Amerikane, të Institutit Republikan Ndërkombëtar, me mbështetjen e Partisë Konservatore Britanike, natyrisht, edhe me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe Partisë Kristiandemokrate Gjermane, pra, me mbështetjen e gjithë partive kryesore të botës perëndimore, për ta bërë Partinë Demokratike partinë e parë të stilit plotësisht perëndimor, që angazhon anëtarësinë në zgjedhjen e deputetëve të ardhshëm për Kuvendin e Shqipërisë.

Ne jemi sot në një betejë për jetë a vdekje për demokraci, por kjo nuk e pengon Partinë Demokratike, siç e shikoni, të përgatitet për përgjegjësitë që ka para qytetarëve shqiptarë, jo thjesht për të sotmen, por edhe për të nesërmen, sepse duke zgjedhur deputetët, me përfshirjen e plotë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, duke garantuar transparencën në vendimmarrje brenda Partisë Demokratike, japim një garanci të fortë, që edhe qeverisja jonë nesër, do të jetë një qeverisje që do t’u takojë qytetarëve, njerëzve të thjeshtë të këtij vendi; Do t’i shërbejë me përkushtim njerëzve të thjeshtë të këtij vendi dhe jo interesave të krimit, oligarkisë apo grupeve të veçanta që kanë marrë peng sot qeverisjen e Shqipërisë dhe që janë ortakë bashkë me këtë qeveri, në fatkeqësitë e mëdha që i ka shkaktuar shkatërrimi i demokracisë, vendit tonë.

Pyetje: Zoti Basha, aletatët tuaj kanë paraqitur një platformë me disa pika. E mbështesni ju këtë platformë dhe a keni dijeni për këtë platformë? Dhe e dyta: Ata kanë propozuar një tryezë që të uleni ju me zotin Rama, si kryetar i Partisë Socialiste. Jeni i gatshëm ju, të uleni në tryezë?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe të gjithë koalicionit tonë. Partia Demokratike ka përfunduar javën e kaluar një dokument të detajuar sa i përket detyrave të qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe do ta paraqesë atë në ditët në vijim, në mënyrë publike. E kemi diskutuar edhe me aleatët tanë dhe një pjesë e mirë që aleatët tanë kanë shpalosur sot janë edhe pikat e programit tonë. Pra, ka një përputhje totale, ndaj të jeni të sigurtë që koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, me mirëkuptim dhe sinergji të plotë për të ecur përpara. Çështjet e tjera janë detaje të parëndësishme, sepse kryesorja është kjo: zotimi i gjithë koalicionit opozitar, që është sot maxhoranca e re politike, numerike dhe morale në vend, është regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë më të vërtetë zgjedhje dhe jo një tjetër farsë kriminale. Kushti i padiskutueshëm për këtë, padyshim, mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe një qeveri tranzitore që do të plotësojë kushtet, për të cilat do të keni më shumë informacion në ditët në vijim.

Faleminderit!