Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar takimin e radhës me demokratët e Shkodrës, në kuadër të zgjedhjeve të 29 koreikut. Basha u shpreh se qytetarët e vendit po shohin se si qeveria ka ndërtuar një sistem bazuar në lidhjet me krimin dhe korrupsionin.
Ai gjithashtu tha se PD është gati të ndërtojë një aleancë gjithëpërfshirëse për ndryshim, që kërkon lista të hapura, votën e diasporës dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.
Postimi i plotë:
Shqiptarët po shohin çdo ditë se si kjo qeveri ka ndërtuar një sistem bazuar në lidhjet me krimin dhe korrupsionin.
Sot Shqipëria ka nevojë për pastrimin e politikës, ndarjes me krimin dhe largimit nga sistemi të politikanëve të korruptuar. Kjo është plotësisht e mundur përmes vetting-ut në politikë. Nuk është e lehtë, por është dëshmia e parë e cila ndan ata që e kanë frikë, me ata që skanë asgjë për të fshehur.
Ky është një hap i rëndësishëm i cili së bashku me hapjen e listave, ku deputet i zgjedhin qytetaret dhe jo kryetari, është garancia për krijimin e një qeverie dhe Parlamenti që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Partia Demokratike është gati të ndërtojë një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqëror, për një projekt ndryshimi që nis me adresimin e çështjeve që mbajnë të bllokuar sistemin politik dhe atë ekonomik:
-Listat e hapura;
-Vetting-un në politikë;
-Kufizimin e mandateve;
-Votën e diasporës;
-Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë riorganizimi i PD, hapja ndaj të rinjve e të rejave, grave profesioniste, ngritja e urave të bashkëpunimit me këdo që beson te vlerat euroatlantike, për ta vënë politikën në shërbim të çdo qytetari që kërkon mundësi për të ndërtuar me ndershmëri një të ardhme më të mirë.